
Deklaratat e djeshme të Don Shan Zefit kanë ngjallur reagime të mëdha. Ai, në një emision televiziv kosovar, përveç se mendonte bindshëm për Ibrahim Rugovën që ka vdekur si katolik, përndryshe, siç thotë ai, edhe Zoti do të çuditej po të mos ishte kështu, Shan Zefi ka folur edhe për raportet e shtetit të Kosovës me Vatikanin.
Në pyetjen e gazetares se përse Vatikani nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, prijësi fetar katolik ka thënë se: “Vatikani po vonon njohjen e pavarësisë, pasi e konsideron Kosovën vend mysliman”.
Ndaj kësaj deklarate, para pak çastesh ka reguar edhe Ministri i Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli.
Reagimi i plotë i Pacollit:
Don Shan Zefi: “Vatikani po vonon njohjen e pavarësisë, pasi e konsideron Kosovën vend mysliman”.
Megjithë respektin, kjo nuk është e vërtetë, pasi që personalisht kreu i Vatikanit, Papa Francesku gjatë takimit që pata e konfirmoi faktin se Vatikani do duhej të ishte ndër vendet e para që duhej ta njihte Kosovën dhe një gjë e tillë, natyrisht se do të ndodhë.
Madje Papa Francesku e vlerëson faktin e tolerancës së madhe ndërfetare si virtyt i lartë që e karakterizon Kosovën.
Në këtë drejtim, nuk duhet të spekulohet, por duhet të potencohet fakti që shumica muslimane si vlerë religjioze nuk përbën problem në asnjë mënyrë në raportet tona me Vatikanin.
Përkundrazi, lidhja e marëdhënieve diplomatike ndërmjet shteteve tona është akt politik që do të ndodhë në të ardhmen.
Discussion about this post