INTERPOL, organizatë kjo ndërkombëtare e policisë ka lëshuar një flet-arrest për Milan Radoiçiqin, ish nënkryetar i Listës Serbe, i dyshuar kryesor për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.
Lajmin për Telegrafin e konfirmoi ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Ministri Rashiq bëri të ditur për Telegrafin se urdhri për flet-arrest është lëshuar me ndërmjetësimin e UNMIK-ut, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Telegrafi i ka shkruar edhe INTERPOL-it lidhur me lëshimin e flet-arrestit për të dyshuarin Milan Radoiçiq dhe është në pritje të përgjigjes.
Ndryshe, Radoiçiq është i sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.
Lidhur me këtë ai është marrë në pyetje nga një Gjykatë në Beograd, ndërsa është liruar nga mbajtja, një ditë pas marrjes në pyetje.