Ngritja e Divizionit SS në Kosovë, më shumë do t’i demoralizonte nazistët, sesa do t’u forconte pozitën. Shqiptarët nuk ishin të prerë për luftë. Nuk e njihnin disiplinën, kishin mënyrën e tyre të të luftuarit, për të mos folur për mitet e ngritura rreth trimërisë dhe gjuajtjes në shenjë.
Komandanti i Divizionit “Skanderbeg”, August Schmidhuber, duket tepër pesimist në raportin e hartuar më 2 tetor 1944, pak para tërheqjes së gjermanëve nga Shqipëria në nëntor të po atij viti. Ky divizion i përbërë nga rreth 6,000 burra u formua vonë nga nazistët (rekrutimi filloi në shkurt të vitit 1944 dhe mori emrin në gusht të vitit 1944).
Ai kurrë nuk ka arritur forcën e tij operative, dhe u shpërbë më 1 nëntor të vitit 1944, kohë në të cilën shumica e rekrutëve e kishte braktisur dhe ia kishte mbathur. Raporti i gjeneralmajorit gjerman zbulohet nga albanologu Robert Elsie, i cili ka publikuar në faqen e tij www.elsie.de, këtë dokument të rëndësishëm që rrëfen për ngritjen e divizionit famëkeq nazist.
Gjeneralmajori Schmidhuber, i cili shpreh disa mendime jo shumë të këndshme për vartësit e tij shqiptarë në këtë tekst, më pas u shpall fajtor për krime lufte nga një gjykatë ushtarake jugosllave dhe u var më 27 shkurt 1947 në Beograd.
URDHRI I FORMIMIT
Urdhri i Formimit u bazua mbi supozimin se Shqipëria pak a shumë kishte arritur nivelin e përgjithshëm europian të qytetërimit dhe kulturës. Në lidhje me këtë, nuk mund të mohohet se, deri kohët e fundit, Shqipëria nuk ishte më shumë e njohur në Gjermani se sa vendet më të vogla të Amerikës së Jugut. Kjo mungesë e njohurisë “zyrtare” çoi në rrëzimin e njëfarë princ Vidi.
Pas katërqind vitesh si një provincë turke, Shqipëria është në çdo drejtim më turke se vetë Turqia – që nga mbulimi i grave te vetëpërkufizimi i tyre si komb. Që prej vdekjes së heroit të tyre kombëtar, Skënderbeut (1468), shqiptarët kanë vegjetuar në vend që të zhvilloheshin.
Ata nuk kanë vetëdije të veçantë për të qenë një komb apo shtet, por ende jetojnë si fiset e vjetra gjermanike, me një mendësi fisnore, klanore… Në shoqërinë shqiptare, njerëzit në fshat, që përbëjnë 85-90% të popullsisë, jetojnë nën sundimin mesjetar feudal të beut dhe agallarëve të tyre.
Jo vetëm që bujqit duhet t’u japin pronarëve të tyre një pjesë të mirë të prodhimeve, por gjithashtu duhet t’u shërbejnë atyre në mbrojtjen e territorit fisnor. Jo vetëm që shtypet ashpër nga pronari i tokës, por ai përdoret dhe abuzohet në politikën lokale. Nuk ka asnjë mënyrë që ai t’i shpëtojë kësaj. Urdhri i formimit u bazua në supozimet e mëposhtme ushtarake dhe organizative të gabuara: Shqiptarët nuk kishin pasur ndonjë trupë reale të rregullt, sipas koncepteve gjermane.
Formacionet ushtarake që ekzistonin në Shqipëri, duke përfshirë edhe milicinë me uniformë, ngritur nga italianët, u bënë trupa gati ushtarake, kur iu dhanë uniforma. Nuk kishte qëndrueshmëri të brendshme. Mungesa e disiplinës, një tipar kryesor i shqiptarëve, nuk është kapërcyer gradualisht në milicinë italiane.
Ajo ishte kultivuar me dëshirë. Për shqiptarin, disiplinë do të thotë një kufizim i lirisë së tij, diçka që ai natyrshëm e kundërshton. Shqiptarët jetojnë të lirë dhe të pavarur, ashtu si natyra i ka krijuar, dhe bëjnë atë që duan. Ata janë të ngeshëm. Ata nuk duan të luftojnë në formacione ushtarake, por në bandat e tyre, dhe nuk ka asnjë disiplinë të rregulluar në këto grupe.
Kur fillon shiu, shqiptari braktis pozicionin e tij. Kur errësohet, ai e lë pozicionin dhe shkon përsëri në fshat për një gotë raki. Kur ka qenë në shërbim për 12 ditë, ai shkon në shtëpi për 4-5 ditë pa e pyetur fare liderin e grupit të tij, dhe pastaj nëse kthehet, apo jo… Nuk i pëlqejnë stërvitjet ushtarake apo praktika e qitjes. E ashtuquajtura aftësia për të shtënë me saktësi është një mit.
Ajo që do më shumë, është shkrepja e armës së tij, kurdo që të jetë e mundur, i ulur prapa një barriere mbrojtëse dhe të qëllojë, të tërheqë këmbëzën, në ajër. Edhe të ashtuquajturat trupa të rregullta shqiptare e bëjnë këtë, edhe pse vetëm një batalion prej tyre ka mbetur. Uria shqiptare për shumë e më shumë municion nuk njeh kufij. Ai nuk ka as mirëkuptim dhe as interes për faktin se municioni është prodhuar në fabrikat gjermane nga gra dhe vajza, ndërsa njerëzit e fortë e të rinj të Shqipërisë ulen rreth në kafene ose përkulen me dembelizëm në qoshet e tregut.
Prandaj, ai nuk sheh arsye për të kufizuar përdorimin e saj. Guximi dhe heroizmi i shqiptarëve është një tjetër mit. Pak a shumë ju mund të gjuani një shqiptar, përreth globit, vetëm me një mortajë të lehtë. Gjatë sulmit, ai do të shkojë aq larg, sa të gjejë diçka për të vjedhur apo plaçkitur. Pasi ka kapur një dhi, parmendë ose rrotën e një makinë qepëse, lufta për të ka mbaruar dhe ai kthehet në shtëpi. Ndërsa në mbrojtje, shqiptarët janë shumë nervozë nga zhurma e zjarrit të mortajës.
Për 20 shqiptarë, ju keni nevojë për dy oficerë gjermanë – njëri për t’i udhëhequr dhe një tjetër për t’i mbikëqyrur. Në lidhje me uniformat, instruktorët shpesh kanë të njëjtat probleme, si me zezakët. Ishte hera e parë në jetën e shumicës së rekrutëve që vishnin këpucë në këmbë. Ata ishin shumë krenarë për to dhe i mbajtën veshur gjatë gjithë natës. Nga ana tjetër, sa herë që kishin ndonjë marshim të gjatë, i hiqnin këpucët dhe i varnin në sup.
Sa herë që një shqiptar duhet të arratiset, gjëja e parë që bën është të hedhë këpucët tutje që të mund të vrapojë më shpejt. Që t’i bësh shqiptarët të veshin uniformat e tyre, është një arritje e madhe, nëse mund të arrihet. Të gjitha këto tipare, e ka bërë me rëndësi faktin e ngritjes së pari të trupës së oficerëve dhe më pas të mbushte radhët me rekrutë shqiptarë. Nuk ka alternativa që të ngresh kontingjente në Shqipërinë primitive, në kohë lufte.
FORMIMI I DIVIZIONIT
Ky seksion i referohet kryesisht Kosovës, rajonit të destinuar për formimin e Divizionit SS “Skanderbeg”. Më shumë se çdo gjë tjetër, formimi i Divizionit u përshkua nga rezistenca e padukshme e bejlerëve dhe agallarëve.
Kjo, nga ana tjetër, u reflektua në pasivitetin e prefektëve dhe kryetarëve të komunave të nënshtruar ndaj bejlerëve, dhe në zërat armiqësorë dhe propagandën. Komiteti Kombëtar dhe autoritetet nuk bënë asgjë për të informuar popullatën lidhur me qëllimet dhe objektivat e formimit të Divizionit Shqiptar SS.
Vetë Komandantit të Divizionit iu desh të japë shpjegime përmes fjalimesh publike në ditët e tregut në të gjitha qytetet e Kosovës. Premtimet e bëra nga Presidenti i Komitetit Kombëtar Shqiptar në Prizren, Bedri Pejani, të cilat i ishin dhënë me shkrim Reichsfuhrer SS, nuk ishin më të mira se të gjitha premtimet e tjera shqiptare. Bedri Pejani vetë, që u zëvendësua nga ish-ministri i brendshëm Deva, është një mashtrues klasik politik i cili, gjatë gjithë jetës së tij, ka arritur të bëjë një jetë të mirë, duke ndërhyrë në politikë si jashtë dhe brenda vendit.
Ashtu si shumica e të ashtuquajturve politikanë shqiptarë, atij nuk i intereson fare se nga vijnë paratë, për aq kohë sa plotëson kërkesat e tepruara të jetesës së tij. Formimi i Divizionit në numrin e planifikuar fillimisht, ndoshta do të kishte qenë më i lehtë në qoftë se Komandanti i Divizionit do të kishte shkuar vërdallë me një thes me ar ta shpërndante atë në mesin e bejlerëve të rëndësishëm.
Ata pastaj do të kishin siguruar që ai të kishte rekrutë të mjaftueshëm prej banorëve të tyre. Nëse dikush në Shqipëri ju ofron miqësinë e tij, ai së pari do t’ju pyesë: “Sa ar do të më jepni?”. Çështja ishte thjesht se kishte disa njerëz, të cilët dëshironin të nxirrnin fitime prej formimit të një Divizioni shqiptar.
Sa u përket thirrjeve, afatet e të cilave kryesisht nuk merreshin shumë seriozisht, iu përgjigjën vetëm burrat mesatarë dhe të lodhur. Djemtë muskujlidhur të fermave mbetën në fshatrat e tyre. Rekrutimi është si më poshtë që nga 25 shtatori 1944: 11,398 burra, prej të cilëve 9275 janë gjetur të përshtatshëm për shërbimin. Nga këta, 6491 ishin rekrutuar në fakt.
Prefektët dhe kryetarët e komunave nuk bënë asgjë për të detyruar rekrutimin. Pjesa më e madhe e popullsisë e interpretuan këtë reagim pasiv të prefektëve dhe kryetarëve të komunave, si një shenjë për ta konsideruar formimin e Divizionit si diçka jozyrtare dhe të parëndësishme, dhe thjesht për t’u injoruar. Ata që ishin të interesuar për formimin e Divizionit, u vrerosën tek shihnin se vetëm të varfrit ishin përgjigjur, ndërsa bijtë e bejlerëve dhe tregtarëve në qytetet ishin në gjendje t’i shpëtonin shërbimit ushtarak falë lidhjeve dhe ryshfeteve.
Më 1 maj 1944, Komiteti Kombëtar i kishte premtuar Divizionit një rekrutim prej 10.000 njerëzish. Në fakt, Divizioni duhet të jetë liruar në mënyrë të fshehtë në atë kohë, pasi autoritetet shqiptare bënë aq pak për të ngritur Divizionin, për shkak se objektet e akomodimit ishin të gjitha të lëna pas dore dhe nuk ka pasur instruktorë apo personel mjekësor në dispozicion, për të mos folur për mungesën e armëve, materialeve dhe uniformave.
Të vetmit njerëz që ishin të gatshëm në atë periudhë të shkurtër kohe ishin punonjësit e administratës së Divizionit, të cilët, për shkak të trajnimit të tyre me bazë të gjerë, ishin në gjendje të shërbenin si instruktorë. Për shembull, shefi i kontabilitetit ka shërbyer si komandant i kompanisë dhe arkëtari ka shërbyer si komandant toge.
Arkëtari ishte përgjegjës për trajnimin e një mesatareje prej 50 shqiptarësh, dhe u dha atyre më të mirën e mundshme. Zyra Qendrore Administrative e SS ka dhënë kontributin më të madh në formimin e Divizionit në çdo drejtim…
Discussion about this post