
Sipas një njoftimi të bërë nga Qendra Tregtare S.M. në Kamenicë, menaxhmenti i saj ka vendosur që përgjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit do të shpërndajnë bukë falas për gjithë qytetarët në nevojë të kësaj komune.
Pas lajmit të dhënë nga TV. Kamenica, redaksia e Gazeta Mejdani e kontakton qendrën në fjalë dhe pyet në lidhje me rastin.
Muhamed Morina që është njëri prej pronarëve të kësaj qendre i ka thënë redaksisë sonë se këtë vendim e kanë marrë për t’i ndihmuar të nevojshmit e kësaj ane të Kosovës dhe për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit për solidaritet përgjatë Muajit të Ramazanit.
Edhe pse redaksia jonë insistoi të mësojë më shumë edhe për ndihmat tjera që pronarët e kësaj kompanie i kanë dhënë gjithandej nëpër Kosovë, bashkëbiseduesi jonë nuk deshi të flas në lidhje me këtë veprimtari të tyren. Ai dha një arsyetim se përderisa këto ndihma po i japin në emër të Zotit, ata kanë parasysh porosinë e Pejgamerit a.s. i cili ka thënë : Kur besimtari ndihmon tjetrin, ndihma nuk bënë të marrë pompozitet, përkundrazi, njëra dorë nuk bënë të dijë se çka jep dora tjetër.
Në njoftim bëhet e ditur gjithashtu se të interesuarit për të marrë bukë falas duhet të lajmërohen në Qendër për regjistrimin e emrave në mënyrë që të sigurohet sasia e mjaftueshme e bukës./Gazeta Mejdani/