Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është një prej çështjeve që pritet të shkaktojë ngërç në vazhdimin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë rrugëtimit të tij si opozitar kishte kundërshtuar një marrëveshje të tillë në mënyrën më të ashpër, derisa edhe tash si kryeministër thotë se s’mund të ketë asociacion njëetnik.
Serbia ndërkohë e kërkon me ngulm themelimin e “Zajednicës”, derisa nga BE’ja kërkon që të respektohen dhe zbatohen marrëveshjet e Brukselit.
Gazeta Express ka siguruar një dokument që, sipas burimeve, është hartuar nga zyra e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak, në të cilin janë listuar opsionet e mundshme për pika të veçanta që kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ky dokument, i titulluar “ Opsionet e mundshme lidhur me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, i është dërguar Qeverisë së Kosovës, që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti.
Në këtë dokument janë dhënë opsione se si duhet të procedohet tutje me themelimin e Asociacionit, marrë parasysh të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me Asociacionin.
“ (i) Kompetencat e Asociacionit mund të detajohen edhe më tej për të përfshirë të gjitha çështjet në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale. Në veçanti, statuti për Asociacionin duhet të përsërisë kushtet për “kompetenca të zgjeruara” për komunat me shumicë serbe që janë të përfshira në Ligj.
(ii) Kompetencat e Asociacionit duhet të përfshijnë autoritetin e qartë për themelimin e pesë llojeve të marrëveshjeve bashkëpunuese lidhur me paragrafin 9 dhe 14 të Ligjit për Bashkëpunim Ndër-komunal. Duhet të ketë një shqyrtim të mëtejshëm të një institucioni të përbashkët publik, pasi një formë e këtij modeli mund të shërbejë si forma kryesore e bashkëpunimit brenda Asociacionit.
(iii) Zgjedhja në mes të “posedimit” dhe “ushtrimit” të një rishikimi të plotë do të mund të shmangej përmes themelimit të një konstrukti ndryshe. Asociacioni mund të “ushtrojë” rishikim të plotë sa u përket kompetencave të komunave anëtare të tij për zhvillim ekonomik, arsim, shëndetësi dhe planifikim rural e urban (si dhe për “çështje kulturore” si në ligjin për vetëqeverisje lokale, përderisa ka mbikëqyrje të plotë të politikave dhe aktiviteteve të autoriteteve qendrore dhe komunave të tjera sa u përket politikave dhe aktiviteteve të tyre në këto fusha”, thuhet në dokument, ku janë listuar tri opsione.
Zëvëndëskryetari i Asociacionit të jetë nga popullsia jo-shumicë në kuadër të Asociacionit.
Në këtë dokument janë dhënë edhe opsione rreth krijimit të strukturës organizative të Asociacionit dhe Administratës.
“Ligji dhe statuti për themelimin e Asociacionit do të mundet që në mënyrë eksplicite të ofronte fuqi punëtore administrative që do të pasqyronte diversitetin e popullsisë së Asociacionit dhe që gjithashtu në mënyrë eksplicite do të mund t’i mbante parimet themelore kushtetuese të barazisë, mosdiskriminimin dhe pluralizmin (ose që në mënyrë eksplicite nuk do të devijonte nga mbrojtjet e tanishme kushtetuese për pakicat, përfshirë ato që ofrohen në Nenin 62. Ligji ose statuti për themelimin e Asociacionit gjithashtu do të mund t’i zgjeronte mbrojtjet kushtetuese ekzistuese në nivel komunal (Neni 62) për vetë Asociacionin. Kështu, mund të përcaktohet që Zëvendëspresidenti i planifikuar për Asociacionin të zgjidhet nga popullsia jo-shumicë e Asociacionit dhe t’i jepen të njëjtat përgjegjësi që i ushtron aktualisht në komunat veç e veç “Nënkryetari i Asamblesë Komunale të Komuniteteve” (shiko Nenin 62, Kushtetuta e Republikës së Kosovës)”, thuhet ndër të tjera në këtë dokument.
Nëse komandanti i Policisë në një komunë brenda Asociacionit është nga komuniteti serb, zëvëndëskomandanti duhet të jetë nga pakica jo-serbe.
Përveç tjerash, në këtë dokument thuhet që duhet siguruar që kudo që në një komunë në kuadër të Asociacionit është një shef policie nga komuniteti serb, atëherë të ketë një zëvendësshef nga pakicat jo-serbe.
Kur flitet për këtë pjesë, përmendet se si në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 kërkohet që katër kryetarët e komunave veriore ta paraqesin listën e kandidatëve (serbë) për komandant rajonal të policisë në mënyrë që të reflektohet përfaqësimi i pakicave, derisa theksojnë se Parimet e Përgjithshme nuk i trajtojnë fare shqetësimet e popullsisë jo-shumicë në kuadër të Asociacionit.
“Në të vërtetë, pika e 13 e Parimit e heq pjesën e pikës 9 të Marrëveshjes së Brukselit, që thotë se “përbërja e Policisë së Kosovës në veri duhet të reflektojë përbërjen etnike të katër komunave (një garanci për përfaqësimin e pakicave). Nuk është e qartë pse Marrëveshja për parimet e Përgjithshme nuk ka përfshirë një dispozitë të tillë kyçe të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013. Përmbysja e kësaj do të kishte kuptim dhe ndoshta do të ndihmonte në largimin e mosbesimit që ka dalë për shkak të Marrëveshjes mbi Parimet e Përgjithshme”.
Tutje, kur flitet për kapacitetet ligjore dhe anëtarësinë, thuhet që “Statuti mund të sqarojë edhe më tej se Asociacioni është një entitet me trupë ligjore, që mund të formojë edhe trupa të tjera ( (si nën Ligjin mbi Bashkëpunimin Ndërkomunal) disa prej të cilave (p.sh. institucionet e përbashkëta publike, një ndërmarrje e përbashkët publike) mund të kenë gjithashtu trup ligjor. ii) Statuti duhet të bëjë të qartë se ndonjë nga komunat e caktuara me shumicë serbe do të jetë me të drejtë anëtare e Asociacionit, nëse komuna nuk kishte votuar për t’u tërhequr. Statuti mund të tregojë se një shumicë e Asamblesë së Asociacionit mund të miratojë anëtarësimin e çdo komune tjetër me shumicë jo-serbe”.
T’i lejohet Asociacionit e drejta për komentim të Ligjeve në Kuvendin e Kosovës.
Përveç tjerash, në këtë dokument thuhet se duhet t’i lejohet Asociacionit që të komentojë për legjislacionin e rëndësishëm përmes procedimeve në Kuvendin e Kosovës.
“Asambletë legjistlative zakonisht lejojnë procedime të tilla nga palët e interesuara dhe pritet që deputetët serbë në veçanti të inkurajojnë procedime të tilla nga Asociacioni.”
Në këtë dokument jepet edhe një konkluzion se “Marrëveshja e Brukselit, Marrëveshja Për Parimet e Përgjithshme, vendimi i gjykatës dhe ligjet e Kosovës për vetëqeverisjen lokale dhe për bashkëpunim ndërkomunal ofrojnë një hapësirë të konsiderueshme për zhvillimin e statutit të Asociacionit. Një zgjidhje do të kërkonte një lloj kreativiteti, por edhe vullnet të mirë në mes të palëve”.
Asociacioni mund të themelohet edhe pa statut, brenda kuadrit ligjor ekzisutes.
Gjithashtu theksohet se çështje problematike do të jetë tendenca e secilës komunë për “kompetencë përfundimtare ligjore”.
“Një Asociacion i ndërtuar në këtë mënyrë mund të marrë veprimtari të përbashkëta bashkëpunuese me shumë paralele me rregullimet e vëna në Ligjin e Kosovës mbi Bashkëpunimin Ndërkomunal. Një Statut mund të sigurojë njohjen e diversitetit dhe përfaqësimit të pakicave brenda Asociacionit. Edhe pa një statut, një Asociacion mund të krijohet brenda kuadrit të ligjit ekzistues”, thuhet në pjesën e konkluzionit.