Tërmeti është shkundje fizike… Është tmerr… Është fatkeqësi për më të pafatët… Tërmeti është shkundje mendore…
Shkruan: Bujar M. Hoxha
Është humbje e sigurisë për ta vënë këmbën në tokë…
Është shembje e mureve të vetësigurisë…
Tërmeti është si vizita në varre…
Të shkatërron, por të sjell në vete…
Të ritrajtëson kuptimin e gjërave, sjelljeve, mendimeve…
Për fat të keq, ka një skotë njerëzish që as në drama të tilla vetjake dhe shoqërore nuk reflektojnë. E megjithatë, kaq do të ishte mirë. Jo vetëm që nuk reflektojnë, por këmbëngulin dhe zhyten akoma më thellë në ligësinë e shpirtit të tyre.
Kjo skotë nuk njeh as përmbajtje, as frenim gjuhe, as edukatë, as respekt për situatën. Asgjë nuk ua fashit inatin, urrejtjen… Asgjë nuk i bën të ndalen… Në kërkim të panjerëzores…
Mu në ditën që presidenti turk lajmëronte ndërtimin e 500 banesave në Shqipëri për të mbeturit në qiell të hapur prej tërmetit, dikush guxoi t’ia nëpërkëmbte emrin që në titullin e një batareje të pa(zakontë) kundër kryeministrit të Shqipërisë.
E ka bërë dhe më parë; ta bëjë dhe më vonë po të dojë. Askush nuk ia mban gojën, as dorën për të shkruar. Por nuk duhej ta kishte bërë tani.
E vetmja gjë që mund të shkruhej dhe mund të shkruhet ende tani është: Faleminderit president i Turqisë, faleminderit populli turk, që ashtu si shumë qeveritarë dhe popuj të tjerë na u gjendët pranë në këtë moment tragjik!
Mos ia kërkoni kot edhe kaq pak kësaj skote. Mos krijoni kot iluzione.
Turpi u mbettë atyre!
Discussion about this post