Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani është takuar sot me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë Philip Kosnett me të cilin përveç çështjes së pandemisë folën edhe për ecurinë e dialogut.
Kosnett dhe Osmani diskutuan për çështjet të cilat do t’i shtyjë përpara presidentja gjatë mandatit të saj, ku kjo e fundit theksoi pikat si, politika e jashtme, siguria, e forcimi i shtetësisë do të jenë në fokus të parë.
Osmani tha se do të punojë në mënyrë aktive për përmirësimin e vazhdueshëm të imazhit të vendit.
Ndërlidhur me çështjen e pandemisë, të dyja palët theksuan nevojën për respektim të plotë të masave të prezantuara të qeverisë, si mënyra më e sigurt dhe e duhur për të shpëtuar jetë.
Osmani po ashtu e siguroi ambasadorin Kosnett që do të angazhohet të krijojë një platformë të mirëfilltë të dialogut me gjithë spektrin politik, duke cekur që në këtë drejtim theks të veçantë do t’i jep konsultimeve me opozitën si dhe përfshirjen e tyre aktive në çështje të interesit të veçantë për vendin.