Në vazhdën e aktiviteteve të tij politike dhe diplomatike, sot presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli bashkë me udhëheqës tjerë të partisë, kanë vizituar Skenderajn, ndërsa dje kishte pritur ambasadorin e Japonisë në Vjenë, jo-rezident për Kosovë, Shkëlqesinë e Tij Kiyoshi Koinuma, shkruan Gazeta Mejdani.
Tani kur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare po ofrohen, me qëllim të organizimit dhe mobilizimit të degëve, nëndegeve, forumeve të partisë dhe simpatizantëve të saj, Aleanca Kosova e Re, po mban takime me strukturat udhëheqëse të partisë.
Vizita e sotshme e Presidentit Pacolli në Skenderaj është vazhdimësi e aktiviteteve të tij në prag të zgjedhjeve të ardhshme si dhe një mundësi e mirë për tu informuar për së afërmi mbi gjendjen e degëve të partisë tij.
Në takim u ri-konfirmua gatishmëria e degës për këto zgjedhje dhe përkrahja për AKR-në.
Në anën tjetër, nga llogaria zyrtare e AKR-së në Facebook mësohet se gjatë mandatit të kësaj qeverie, ministritë që udhëhiqeshin nga AKR-ja kanë investuar me dhjetëra projekte në Skenderaj. Këto investime kishin të bënin sidomos me ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të kësaj komune.
AKR do të vazhdojë përkrahjen e qytetarëve të Skenderajt edhe në këto zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Për më tepër, dje Behgjet Pacolli kishte pritur ambasadorin e Japonisë në Vjenë, jo rezident për Kosovë, Shkëlqesinë e Tij Kiyoshi Koinuma, ku kishin biseduar për mundësitë e thëllimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Gjithashtu edhe hapja e Ambasadës japoneze në Prishtinë në fillim të vitit të ardhshëm ishte temë diskutimi, për të cilën ish-zëvendëskryeministri i parë Pacolli u shpreh i bindur që do të ndikojë pozitivisht në thellimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve, dhe në të njëjtën kohë ofroi mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës në të gjitha etapat.
Zëvendëskryeministri Pacolli e njoftoi Ambasadorin Koinuma edhe me ecurinë e themelimit të Parkut të Biznesit Japonez, i cili do t’i ofrojë bizneseve japoneze kushte të favorshme për investime në Kosovë.
Të ju rikujtojmë, Aleanca Kosova e Re në këto zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare do të garojë në koalicion me Nismen Socialdemokrate./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post