Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duket se ia ka mësyrë shkarkimit të ekspertit kryesor amerikan për sëmundje ngjitëse, Dr. Anthony Fauci, i cili më herët ka deklaruar se jeta e njerëzve ka mundur të shpëtohet, nëse shteti do të merrte më herët masa për izolim gjatë pandemisë.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka shpërndarë një postim në Twitter të një ish-kandidateje republikane për Kongres, e cila shkroi se vetë kryeinfektologu Fauci kishte thënë në fund të marsit se koronavirusi nuk paraqet rrezik për shëndetin publik dhe se është koha që ai të shkarkohet.
Presidenti Trump edhe në të kaluarën i ka shpërndarë shkrimet kritikuese ndaj zyrtarëve apo armiqve dhe zakonisht nuk ka shkruar vetë kundër tyre. Sidoqoftë, veprimi i tij ngjalli dyshime se presidentit po i harxhohet durimi me shkencëtarin e njohur dhe se ai mund të shkarkohet, shkruan “Reuters”.
Fauci ka qenë në vijën e frontit gjatë luftës kundër koronavirusit në Shtetet e Bashkuara. Ai e ka kundërshtuar ose e ka përmirësuar presidentin Trump në lidhje me çështjet shkencore gjatë krizës së shëndetit publik, përfshirë vlerësimet për atë se a janë ilaçet kundër malaries efektine në luftën kundër virusit të ri.
Javën e kaluar gjatë një konference për gazetarë, Trumpi kishte ndërhyrë dhe nuk e kishte lejuar Faucin të përgjigjej në një pyetje për ilaçin Hidroksiklorokinë, të cilin presidenti e ka vlerësuar si zgjidhje kundër koronavirusit.