Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo bëri të ditur se ai shpreson në atmosferën e krijuar në Konferencën e Libisë që u organizua në kryeqytetin Berlin të Gjermanisë.
Sekretari Pompeo gjatë kthimit nga Berlini, ku ndodhej për pjesëmarrje në Konferencën në fjalë, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve që e shoqëronin në avion.
Duke vënë në dukje që gjatë konferencës u përshkua një distancë e rëndësishme drejt vendosjes së armëpushimit gjithëpërfshirës në Libi, Sekretari Pompeo tha: “Ende kemi shumë punë për të bërë. Është një fushëbetejë shumë e ngatërruar, Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Përfaqësuesi Special i OKB-së për Libinë Gassan Selame bënë angazhime të sinqerta”.
Pompeo bëri të ditur se do të monitorojnë nga afër procesin në fjalë dhe tha se “Shpresojmë që tani do të ketë më pak dhunë”.
Mike Pompeo gjithashtu theksoi se pret që të gjitha palët e interesuara t’i përmbahen embargos së armëve në kontekstin libian.
Duke theksuar që Përfaqësuesi Special i OKB-së për Libi, Gassan Selame do të vazhdojë të takohet me palët në vend, Pompeo tha se sot palët në konfliktin libian janë në një pikë më pozitive sesa dje.
Ndërkaq në lidhje me pozitën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Libi Sekretari Pompeo tha se “Amerika ka interesa në luftën kundër terrorizmit në Libi. Në këtë vend ekzistojnë gjithashtu mundësi të rëndësishme energjetike”, ndërsa dha mesazhin që do të vazhdojnë me përpjekje diplomatike për gjetjen e zgjidhjes politike në Libi.
Në komunikatën përfundimtare të Konferencës Libiane në Berlin të Gjermanisë, të organizuar me qëllim vendosjen e një armëpushimi të përhershëm dhe fillimin e procesit politik për gjetjen e zgjidhjes së krizës në Libi, palëve dhe mbështetësve të tyre iu bë thirrje për t’i dhënë fund aktiviteteve ushtarake dhe për t’u pajtuar me embargon e OKB-së për armë.