Policia e Kosovës vazhdimisht është duke bërë apel qytetarëve të Kosovës që t’i respektojnë masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për ruajtjen e shëndetit të tyre dhe parandalimin dhe luftimin e coronavirusit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani bëri të ditur se janë shqiptuar një numër i madh i dënimeve për qytetarët të cilët nuk e kanë respektuar Ligjin për Pandeminë anti-COVID-19.
“Për këtë arsye apelojmë tek të gjithë qytetarët që të respektojnë masat pasi është interes i shëndetit publik, ndaj tyre që nuk i respektojnë këto masa do të shqiptojmë dënime. Është një numër i madh i gjobave që janë shqiptuar, por përveç saj kemi aplikuar edhe masat e dhënies së vërejtjes”, ka thënë ai.
Zëdhënësi i Policisë, Kelani po ashtu tha se përveç policisë janë dhe disa akterë të tjerë të cilat janë duke sensibilizuar opinionin që të ndikojnë në ruajtjen e shëndetit publik.
“Përveç policisë janë dhe akterët tjerët në sensibilizimin e opinionit. Kemi bërë shumë apele që bashkërisht të ndikojmë në ruajtjen e shëndetit publik”, tha Kelani.
E sa i përket planit të policisë, ai tha se i kanë ndërmarr të gjitha masat si në nivelin qendror, po ashtu edhe në drejtoritë rajonale që të ndikojnë në ruajtjen e shëndetit te qytetarët.
“Plani i policisë i ka paraparë të gjitha masat, si në nivelin qendror dhe të drejtorive rajonale. Varësisht ku kërkohet nevoja jemi të gatshëm të veprojmë. Do të vazhdojmë që planin ta zbatojmë siç parashihet edhe me vendimin e qeverisë”, ka thënë ndër të tjera për RTV Dukagjinin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.