Filatelia e Postës së Kosovës ka kohë që përmes imazheve të pullave postare afirmon vlerat tona kulturore dhe kombëtare, shkruan KultPlus.
Personalitete të ndryshme janë bërë imazh i pullave postare e një ndër ta është edhe patrioti Shaban Polluzha.
Sipas KultPlus, portreti që është përdorur për këtë pullë postale, del të jetë i artistit Agim Morina i cili nuk është pyetur fare për përdorimin e punës së tij.
Morina, këtë gjë e ka kuptuar krejt rastësisht dhe ka reaguar menjëherë përmes një statusi në Facebook ku është shprehur se ky portret është puna e tij dhe se për përdorimin e tij në pullë postale nuk është pyetur fare.
Më pas, fillojnë reagimet e qytetarëve të cilët nëpërmes komenteve të tyre shprehin indinjatën thellë për këtë hajni që e ka bërë Posta e Kosovës.
Për më tepër, aty dikush përmendi edhe kontributin e vetë që kishte dhënë për realizimin e filmit dokumetar të Adem Jasharit, për të cilin thotë se ka harxhuar mjete e shumë mund por që kurrë askush se ka përmendur emrin e tij. Mbase, shton ai komentues, asnjëherë nuk ishte ftuar të marrë pjesë, as në Manifestimin e parë e Epopesë së UÇK-së kur është prezantuar filmi, e as sot e kësaj dite.
Ky është reagimi i plotë i Morinës:
Posta e Kosovës paska nxjerrë një pullë postare me portretin e Shaban Polluzhës. Ky portret asht punimi jem. E kam punu në vitet ’90 të shekullit të kaluem. Ndërsa miku im, Ylber Durmishi, e pati shtypë dhe e pati shpërnda.
Leje që kurrkush nuk më ka pyetë e nuk më ka kërku leje, por as s’e ka marrë mundin, së paku, me më njoftu.
Ky shpërdorim edhe kishte pasë njëfarë arsyetimi, nëse ky portret do të ishte shpërnda falas. Por, jo! Posta po e shet një pullë 1.30 euro. Ndërsa unë po e shoh krejt rastësisht që ka dalë në qarkullim. /KP/Gazeta Mejdani/