Për një kohë të gjatë z. Blerim Latifi po mundohet të na hedh pluhur syve nga mëngjesi gjer në mbrëmje. Këtë po e bën çdo ditë, javë, muaj e vit.
Shkruan: Driton Gashi
Por gjërat gjithnjë duhet thënë ashtu siç qëndrojnë, drejt e në sy, pa asnjë merakosje, pa asnjë tendencë, pa mënjaur asnjëherë të vërtëtën; pa i shtuar atyre ‘mëlmesa filozofike’ nga ‘kuzhina e urrejtjes’, emocioneve dhe nervozizmit. Secili njeri në këtë botë është ‘terrorist’ i së vërtetës së tij. Dikush më pak e dikush më shumë.
Prandaj, ka të tillë të cilët janë të gatshëm të vdesin për të ‘vërtetat e idetë e tyre’. Për këtë, shembulli më i mirë për mua, është filozofi danez Soren Kierkgaard i cili gjatë gjithë jetës së tij bëri përpjekje që të gjejë atë të vërtetë që ishte e vërtetë vetëm për atë dhe për të cilën ai ishte i gatshëm të jetonte dhe të vdiste. Por sigurisht gjithë këtë se çfarë po ndodh rrotull nesh, ai nuk do e justifkonte në asnjë formë e cila shfaqet përmes fytyrës së terrorizmit, cila do qoftë prejardhja e tij, cila do qoftë doza e tij edhe nëse ky terrorizëm do ishte më i vogël se grimca e atomit. Nuk ka vend për justifikime, mashtrime dhe luhatje nga e vërteta. Sepse terrorizmi nuk paraqet asnjë ide të vërtetë, por një të vërtetë të shtrembëruar, apo një të pavërtetë.
Por vërteta e hidhur e gjithë kësaj pune, është se në botë ekzistojnë organizata të shumta e të ndryshme terroriste. Fetare dhe jofetare. Ne po jetojmë në një një kohë, ku grupet terroriste janë prezente në mesin tonë. Ato kanë qenë këtu, edhe kur ne s’ishim në këtë botë fare, ato do që qëndrojnë këtu edhe atëherë kur ne do ikim nga kjo botë. Sepse janë të vjetra porsa njeriu, origjinojnë me njeriun. Ato shpërfaqin anën më të keqe njerëzore, kurse ne ndonjëherë po e shohim botën përmes shpërfaqejve të tyre. Kështu terrorizmi po arrin cakun e tij final, po përmbush pabesueshëm misonin e tij si te ishte ndonjë profeci. Fatkeqësisht, grupet terroriste fetare kanë ekzistuar, ekzistojnë dhe kanë për të ekzistuar, sikurse ekzistojnë e kanë ekzistuar ‘grupet terroriste islamike’ ekzistojnë dhe kanë ekzistuar edhe ‘grupet terroriste katolike’, të cilat në mënyrë kategorike z. Latifi i mohon zëshëm.
Nuk e di nëse vërtet të ketë dëgjuar apo hiqet si të mos ketë dëgjuar ndonjëherë për to. Kjo le të mbetet në ndregjegjien e tij. Porse ndërgjegjia s’është insekt i vogël që na është ngjitur në trup gabimisht e mund ta heqim lehtësisht duke shkundur supet. Ndërgjegjia nuk mund pastrohet përmes asnjë dizenfektuesi. Unë s’mund ta pija asnjëherë një ‘supë të tillë të hollë’ që më është servirur nga ndonjë ‘kuzhinë e urrejtjes’. S’mund ta pijë asnjë njeri tjetër në botë i cili së pari do e konsideronte veten me ndërgegjie të pastër dhe mend në kokë. Asnjëherë s’mund të mohoj argumentet të cilat qëndrojnë para meje të ftohta lakuriq, argumente të cilat vlojnë rreth meje si miza pa qenë nevoja të përdor fshesën t’i tremb apo t’i mbys ato një nga një. Sepse po të ishte e nevojshme do të fluturoja edhe mbi ajër, vetëm e vetëm që të kërkoj argumente të reja që të arrijë tek pasqyra e qartësisë sime. Por për z. Latifi këto s’janë argumente, pra ‘grupet terroriste katolike’ nuk kanë ekzistuar kurrë dhe nuk ekzistojnë. Sipas tij ato kanë shtegëtuar drejt shtigjeve të harruara të historisë së mesjetës dhe se katolicizmi na qenka reformuar me kohë dhe ka hequr dorë prej tyre shumë kohë më parë.
Por argumentet nuk shtegëtojnë ashtu siç shtegëtojnë zogjtë drejt vendeve të nxehta me diell. Zogjtë shkojnë e kthehen përsëri në foletë e tyre, kurse arguementet qëndrojnë stotik para secilës stinë, qoftë edhe para ndonjë acari të largët të antraktidës apo para ndonjë temperature të lartë të shkretëtirës. Prandaj këtë reagim, mu desh ta emëroja si një përgjgjie ose më mire, një ‘kundërpërgjigje’ pa prezantuar prova letrare por që të shpalosë argumentet. Sepse ka kohë që z.Latifi jep përgjigje të llojllojshme si në mjegull, pa argumente. Jep ato lloj përgjigjjeje thujase të gjithë pajtohen njëkohësisht me të.
Prandaj, nuk po reagoj përmes kësaj ‘kundëpërgjigje’ si ndonjë vlerë e shtuar brenda vetës, por si një dëshmi që na dërgon drejt argumenteve të kristalta. Kjo ‘kundëpërgjigje’ s’është e tillë, pra, pa argumente dhe s’më është kërkuar nga askush, por buron nga vetja si një imperativ përmes ‘zërit të brendshëm’, përmes subjektivitetit. Po flas për hir të së vërtetës dhe dëshmisë, sepse njeriu në këtë botë nuk është asgjë tjetër veçse dëshmitar i cili duhet të dëshmoj mbi rrethanat e tij dhe historinë. Të dëshmoj mbi çdo fatkeqësi apo fatmirësi. Lidhur me këtë, dëshmoj që bota është një vend i egër; atë e bëjnë edhe më të egër egërsirat e saj- grupet e ndryshme terroriste. Më duhet të dëshmoj që krahas ‘grupeve terroriste islamike’ ekzistojnë edhe ‘grupe terroriste katolike’. Për më shumë, ‘grupet terroriste katolike’ kanë ekzistuar shumë kohë më përpara se ato islamike. Kur mendojmë për terrorizmin menjëherë në mënyrë imediate na shkon mendja tek grupet terroriste islamike, tek Islami, tek ISIS -i. Por ISIS është shfaqur shumë vonë në skenë.
Ajo shërbeu dhe po shërben si ‘inkubator i madh thithës’ i gjithë hapsirës socio-politike, kulturore e mediale, kur gjithë argumentet rreth saj u shtruan në mënyrë të gabueshme dhe po vazhdojnë të shtrohen gabueshëm, nga secili njeri, cili do qoftë formimi i tij kulturor, nga gjermani lëkurë-bardhë e deri tek zezaku lakuriq i Amazonës. Na futi të gjithëve nën kthetrat e keqkuptimit. ISIS dhe ushtarët e saj, mbuluan gjithë organizatat tjera terroriste të cilat operuan në botë në të kaluarën dhe në të tashmen, ashtu siç mbulojnë bletët ‘amën e tyre.’ Problemet u parashtruan në mënyrë të gabuar dhe po vazhdojnë të parashtrohen, sikurse kujton z. Latifi, i cili ka kohë që është futur nën ‘kthetrat e këtij keqkuptimi’. Sepse ISIS i përbërë nga një gursht njerëz në flamurin e zi pirat ‘piratëroi’ gjithë organiazatat tjera ‘terroriste katolike’ si dhe ato të ashtuquajtura humaniste. ISIS u bë papritur si kërcënim më i madh i botës. Kurse organizatat tjera katolike të cilat kryen krime e tmerre nëpër botë u harruan.
Ta zëmë ‘organizata terroriste katolike’siç janë ‘Eastern lighting’ (‘Drita Lindore’) e themeluar në Kinë në vitin 1991, u harrua. Kjo ‘organizatë katolike terroriste’ nihej edhe me emrin ‘The Curch of Almigthy’ God’ (Kisha e Zotit të gjithëpushtetshëm), ku sipas tyre Jezu Krishti kishte zbitur në Tokë dhe ishte metamorfizuar në trupin e një gruaje kineze dhe atë të cilët nuk i bindeshin atyre dhe nuk e përkrahnin këtë organizatë e cila propagandonte fundin e botës, vriste njerëzit në rrugë dhe brenda shtëpive të tyre, duke i quajtur demonë. Ky kult është konsideruar si njëri ndër kultet më të rrezikshëm që ka operuar në lindjen e largët, duke vrarë e presekutuar qindra e mijëra njerëz. Pastaj, ‘organizata terroriste katolike’ e cila njihet me emrin ‘The Lord’s Resistante Army’ – LRA (Ushtria e Rezistencës së Zotit), e cila u themalua në Ugandë nga Joseph Kony (profet i vetdeklaruar) në vitin 1987. ‘Kjo ‘organizatë terroriste katolike’ operoi në Ugandë, Sudanin Jugor, Republikën e Afrikës Qendrore dhe në Republikën e Kongos. Nuk kishte për qëllim asnjë agjendë të caktuar politike porse vepronte sipas urdhërave të këtij ‘profeti të rrejshëm’.
Kjo ‘organizatë terroriste katolike’ ka bërë shkelje të drejtave të njeriut, përfshirë vrasje, rrëmbim, gjymtim, skllavëri të seksit të fëmijëve dhe tmerre të tjera. Pastaj ‘organizata tjetër terroriste katolike’ ‘The Army of God’ (Ushtria e Zotit) e themeluar në vitin 1982 në SHBA, e cila është konsideruar një organizatë e dhunshme e nëntokës, duke u shkaktuar krime të shumta, si rrëmbime, gjymtime, tentime vrasjeje dhe vrasje të shumta ndaj atyre personave të cilët mbronin abortin dhe homoseksualët. Por, lista ‘organizatave terroriste katolike’ është e gjatë se e atyre islamike, dhe këtu s’mund të flasim veç e veç për veprimtaritë e tyre kriminale. Dhe këto organizata kanë operuar brenda këtij shekulli, hiç më pak a më shumë, por para njëzet-tridhjetë viteve të fundit, për të cilat z. Latifi i mohon përmes termit të ‘radikalizmit’. Ai thotë, e keni të kotë, nuk ekziston diçka e tillë si ‘radikalizëm katolik’, apo ‘katolik radikal’ dhe se termi i ‘radikalizmit’ është i rezervuar vetëm për Islamin, pra, për ‘islamin radikal’, ‘muslimanin radikal’ dhe ky term është i rezervuar vetëm për arabin, sirianin, afganin dhe asesi për gjermanin, francezin apo amerikanin. Edhe Majkëll edhe radikal s’bën. Edhe Gjergj edhe radikal, s’bën se s’bën!
Oh tempora! Oh mores! (Oh çfarë kohësh! Oh çfarë zakonesh!) – do thoshte Ciceroni!
Pra, kriterin relativizmit që ka vendosur z. Latifi për vetën e tij tejkalon vet limitin e tij të relativizmit. Kalon në një ‘relativizëm radikal’ , në një ‘relativizëm ekstrem’. Termi i ‘relativizmit’ këtu vet relativizohet. Bëhet absurd.
Kurse po të ndalemi e t’i hedhim një sy Mesjetës, Kisha e papati kanë qenë njëra ndër ‘organizatat’ më të rrezikshme që ka njohur ndonjëherë historia njerëzore. Ajo ka kryer krime të tmershme në emër të Krishtit. Kryqëzatat janë dëshmia më e përgjakshme e historisë njerëzore.
Por, unë megjithatë nuk e shoh krishterizmin nga kjo perspektivë, siç nuk e shoh as Islamin dhe as një fe tjetër në botë. Përkundrazi, si krisherizmi dhe çdo fe tjetër në botë paraqesin një opus të larmishëm vlerash dhe kulturash. Paraqesin filozofinë e të jetuarit, pasionin, frymëzimin dhe vet njeriun.
Të ndalemi tani tek ‘njeriu shqiptar’. Tek ai shqiptar i cili e ndjen vetën arab, të cilën z. Latifi e kishte shprehur në një koment aty për aty në facebook dhe më ra në sy për të keq, ndoshta edhe për të mirë, kush e di. Këto komente të tij më ngjallën një kureshtje prej maceje për të hulumtuar edhe më shumë mbi të vërtetën dhe të pavërtetave që kishte afishuar.
Mes rreshtash ndjeva një urrejtje të tij, mllef të shprehur për disa individë të pacipë, të cilit kishin fyer figurën heroike të Adem Jasharit, duke kënduar me urrejtje. Sepse, sipas z. Latifi, kusht për të urryer një figure historike kombëtare, në këtë rast atë të Adem Jasharit, qëndron tek ndjesia e të qenit arab dhe tek të menduarit si një arab musliman. Pastaj kusht tjetër për të urryer një figurën heroike të Adem Jasharit qëndron tek të qenit agjent sekret i Serbisë. Për të dytën sigurisht që ka të drejtë, është e vetkuptueshme, por për të parën kurrësesi. Më e drejt do të ishte të thuhej, që ai njeri i cili fyen figurën jo vetëm të Adem Jasharit, por edhe çdo figure tjetër kombëtare, duhet të jetë i çmendur, i shkalluar, i dehur gjer në mallkim, apo djall i mallkuar nga vet Zoti i cili na shfaqet në formë të njeriut. Apo ai njeri i cili fyen këtë fugurë duhet të jetë paramilitar serb, apo ushtar i Arkanit, i Millosheviçit, Sheshelit etj.
Sepse, s’është domosdoshme që një shqiptar të shndërohet në një arab, e këtej të urrej një figurë kombëtare.
Sepse çfarë lidhje kanë ndjesia e të qenit arab me urrejtjen e një figure historike kombëtare? Çfarë do të thotë të mendosh si arab parasegjithash? Dhe cili nga arabët e njihka figurën heroike të Adem Jasharit? Të tërheqësh paralele mes një arabi dhe një shqiptari i cili ndjehet arab dhe të thuash që vetëm përmes kësaj forme arrihet gjuha e urrejtjes, përbën një tendecë e cila përshfaqet përmes një gjuhe raciste. Nëse një shqiptar ka zgjedhur të jetoj si arab, atëherë nuk është faji i arabit, por i atij që ka zgjedhur të jetoj si arab. Por, urrejtja është urrejtje, ajo ndonjëherë shkon aq larg dhe s’ka nevojë të kushtëzohet.
Gjuha e urrejtjes është vet urrejtja që tregohet por përmes kësaj gjuhe. Por këtu, gjuha e urrejtjes së atyre që fyen figurën e Adem Jasharit nuk tejkalon aspak gjuhën e urrejtjes që z. Latifi ka për shqiptarët të cilët ndjehen arabë, apo për vet arabët, si dhe fenë islame në veçanti. Kur është fjala tek dobësitë e individëve që keqpërdorin çdo formë të fesë, nuk humb dembelizmin e të shkruarit në gazeta e portale, apo të flasë pa përtesë në emisione televizive në mënyrë negative. Në atë mënyrë negative, për disa mediokër të cilët e kanë në gjak lajthitjen. Por, unë nuk jam avokat i askujt aq më pak i fesë islame, por më duket e pandershme, që një profesor filozofie të komentoj gjëra të cekta dhe të paqena, të komentoj shtrembërime. Pikërisht këto shtrembërime e të pavërteta z. Latifi i mbron sikur të ishte një ‘nosit’ cili është i gatshëm të hudhet edhe në zjarr për to. Para se dikush do të fitojë epitetin e të qenit filozof, së pari do të duhej të krijonte disa kushte e parakushte për vetën e tij, – për të arritur deri tek gjykimi objektiv i realitetit.
Por, kur natyra objektive e të të gjykuarit harrohet, në skenë futet paragjykimi, gënjeshtra e mashtrimi. Këtej negativisht dhe gabimisht z. Latifi identifikon islamin me arabizmin. Ngatërron qëllimshëm identitetin kombëtar të një arabi me identitetin fetar të tij. Sipas tij islami është arabizëm dhe kaq. Këtu përfundon e gjithë kjo mesele. Historia hudhet në një qoshe, afër koshit të mbeturinave. Por, islami e arabizmi nuk janë sinonime. Nuk janë të pashkoqitshëm nga njeri – tjetri, siç është mishi në eshtra. Për hir të vërtetës, kjo është e pavërtetë. Sepse Islami ka lindur në vitin 610 (pas Krishtit) kurse Arabia Saudite ka lindur në vitin 1931, kurse z. Latifi kësaj llogarie i huq diku nja 1320 vite. Jo edhe aq keq kur është fjala tek matemtika. Për të përmirësar llogaritjet e pasakta, z. Latifi do bënte mirë që konsultohej nga librat e matematicienëve me origjinë islame, – të cilat themeluan algjebrën siç është Muhamed Ibn Musa, pastaj Omar Khayan etj. Pastaj, për të mos përmendur fare zbulimin e algoritmave, pa të cilat algoritma bota nuk do të ishte ajo që është sot, dhe nuk do të ishte e mundshme fare shpikja e kompjuterëve apo facebookut, ku sot është bërë e vetmja mundësi e platformë që të luftohet terrorizmi. Por, po ta dinin këtë, këta shkenctarë mendjendritur, që një ditë e keqja do të luftohet vtëm përmes një ‘bote virtuale’, nuk do i nxjerrnin fare në dritë zbulimet e tyre. Nuk do i mundësonin fare z. Latifi të shprehej për ‘botën islamike’ si ‘botë e shkretëtirës’, ‘botë mesjetare’ ‘botë primitive’ ‘botë radikale’ etj. Apo të më mundësonte mua që të bëj një koment të tillë, dhe të postoj falas në facebook.
Si çdo fe tjetër në botë, edhe Islami ka dhënë kontributin e tij në shkencë, të cilët do i sugjeroja t’i hedhte një sy ‘epokës së artë’ në mënyrë më objektive, jo vetëm përmes teologëve të krishetrë gjenialë siç janë Shën Augustini e Akuini, të cilët i mësoni në department, por Ghazaliut, Ibn Sinës (Avicenës) Ibn Rushd (Averosit) Ibn Klaudin e shumë të tjerëve, për të cilët ndonjë student me tipare minore në departanentin e filozofisë do i merrte për ‘grup terroristësh islamikë’. Por, departamenti i filozofisë në Universitetin e Prishtinës, fatkeqësisht është shndërruar në një ‘album fotografish’, ku filozofia studiohet margjinalisht, duke kapërcyer epokat siç kapërcejnë atletët pengesat e hekurta në një maratonë. Emrat e këtyre mendimtarëve nuk sugjerohen, bëhen të parëndësishëm, përhumben lehtësisht.
Por, unë s’mund të përhumbem lehtësisht nga mëngjesi gjer në mbrëmje apo nga mbrëmja gjer në mëngjes. S’mund të ma mbush mendjen asnjë njeri tjetër në botë, që ata të cilët kanë fyer figurën heroike të Adem Jasharit janë shumë më të rrezikshëm se sa vet miqtë e tij të dikurshëm të luftës. Miq të cilët vjedhën amanetin e tij dhe shndërruan në hajni. Miq të cilët u shndërruan në politikanë të pasluftës dhe vjedhën shtetitn. Miqtë e tij të dikurshëm të luftës u shndërruan në ‘armiqtë’ e shtetit të cilën e aspironte Adem Jashari.
Dhe njeriu i fundit i cili do i bënte apologjetin vet figurës heorike të Adem Jasharit, është vet z. Latifi, i cili shërbeu për shumë vite me radhë, po si këshilldhënës këtyre politikanëve.
Z. Latifi duhet t’i nështrohet vetekzamininit, vetkritikës, të shikohet përmes pasqyrës së tij të paqartësisë. Por për këtë, atij i duhet të ndërtojë një pasqyrë të madhe. Shumë të madhe.