Rreth 8 varreza masive, shumica e tyre në qytetin strategjik Tarhuna janë zbuluar në Libi
Pasi Ushtria e Libisë javën e kaluar çliroi qytetin veriperëndimor nga militantët besnikë të gjeneralit renegat Khalifa Haftar, Tarhuna tani po përjeton tronditje ndërsa autoritetet zbulojnë varre të shumta masive në afërsi, raporton Anadolu Agency (AA).
Deri më tani, më shumë se 150 trupa, përfshirë gra dhe fëmijë janë zhvarrosur nga varret masive të fortesës së fundit të Haftarit në Libinë perëndimore para çlirimit të saj.
Gjithsej 8 varre masive, shumica e tyre brenda qytetit Tarhuna janë gjetur në Libi, tregojnë të dhënat e publikuara nga OKB-ja.
Autoritetet libiane më 5 qershor njoftuan se kanë gjetur 106 trupa në një spital në Tarhuna menjëherë pas çlirimit nga forcat e Haftarit.
Në një deklaratë të shkruar nga Operacioni Burkan Al-Ghadab (Vullkani i tërbimit) i ushtrisë libiane thuhet se sipas vlerësimeve fillestare, viktimat ishin ekzekutuar.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Amin al-Hashemi tha se ka shenja të torturimit në shumicën e trupave.
Ministri i Brendshëm libian, Fathi Bashagha njoftoi të enjten se forcat e Haftarit kishin djegur disa të burgosur në kontejnerë dhe kishin varrosur dhjetëra të tjerë të gjallë në varreza masive, sipas raporteve fillestare.
Të tjerët që u ekzekutuan nga militantët e Haftarit u hodhën në një pus me ujë.
Forcat libiane të sigurisë dokumentuan shumë “krime kundër njerëzimit” të kryera nga militantët e Haftarit në qytetin Tarhuna, tha Bashagha në një deklaratë të lëshuar nga llogaritë e mediave sociale të Operacionit “Vullkani i tërbimit”.
“Afro 160 trupa janë gjetur në Tarhuna pasi qyteti u çlirua nga ushtria libiane”, tha për AA, Buravi Masud Muhammad Abu Zeyd, zëvendës shefi i një spitali në qytet.
Ministria libiane e Drejtësisë ka ngritur një komision kërkimi për të hetuar këto raste të rënda në qytet.
Nga ana e saj, Misioni Mbështetës i OKB-së në Libi të enjten (UNSMIL) bëri thirrje për hetim mbi incidentin.
“UNSMIL mban shënime me raporte tmerri për zbulimin e të paktën 8 varrezave masive në ditët e kaluara, shumica e tyre në Tarhuna”, shkroi UNSMIL në Twitter. “E drejta ndërkombëtare kërkon që autoritetet të kryejnë hetime të shpejta, efektive dhe transparente për të gjitha rastet e pretenduara të vdekjeve të paligjshme”.
UNSMIL u bëri thirrje hetuesve “të ndërmarrin menjëherë aktivitete që synojnë sigurimin e varreve masive, identifikimin e viktimave, konstatimin e shkaqeve të vdekjes dhe kthimin e kufomave tek të afërmit e tyre”, duke shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje sipas nevojës.
Qeveria libiane e njohur ndërkombëtarisht ka qenë nën sulm nga forcat e Haftarit që nga prilli i vitit 2019, me më shumë se 1.000 të vrarë në dhunë.
Qeveria nisi Operacionin “Burimi i Paqes” në mars si kundërpërgje ndaj sulmeve mbi kryeqytetin Tripoli dhe sërish rimori vendet strategjike, përfshirë bazën ajrore Al-Watiya dhe Tarhuna.