Pas akuzave të disa prej deputetëve të Kuvendit të Kosovës ndaj kryeparlamentares Vjosa Osmani që sot gjatë fjalimit në seancën solemne që u mbajt për nderë të Ditës së Çlirimit, nuk e ka përmendur UÇK-në dhe Adem Jasharin, kjo e fundit ka reaguar.
Ajo ka publikuar videon e fjalimit ku shihet se ajo përmend Adem Jasharin dhe UÇK’në.
“Po kështu, i kujtojmë sot edhe heronjtë tanë, të cilët lirinë e vendit e patën ideal jetësor, komandantin e Ushtrisë Çlirimtare, Adem Jasharin, familjen Jashari, e cila dha gjithçka për Kosovën, u sakrifikuan për lirinë e vendit, dëshmorët e heronjtë e këtij vend”, ka thënë Osmani.
Më tej, ajo i ka përmendur edhe të pagjeturit, martirët dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.
“I kujtojmë po kështu me dhimbje mbi 1.600 të pagjeturit ende, bijtë e nënë Ferdonijes e të shumë nënave të tjera, i kemi në vëmendje vuajtjet e grave që i mbijetuan dhunës seksuale gjatë luftës, i kujtojmë martirët e shumtë, përfshirë gratë, fëmijët e pleqtë, si dhe të gjithë njerëzit e mirë të këtij vendi, të cilët sakrifikuan çdo gjë për lirinë e vendit të tyre”, ka thënë Osmani.