PAN-i për shumë vite me radhë ka qeverisur shtetin e Kosovës, duke e sjellë kështu në një shkallë të degradimit.
Kjo qeverisje ka bërë që vendi ynë të përballet me një mori parregullsi dhe korrupsioni të mbetet një nga dukuritë më të dëmshme për vendin.
Mirëpo, me ardhjen në qeveri të LVV, një shpresë sikur filloi të ketë populli se mund të ketë vend për ndryshim.
Por, është shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh kandidate për kryetare të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila po konsideron se ka një rikrijim të PAN-it në Gjakovë.
Sipas Kusari-Lilës, një pjesë e votuesve të PDK-së dhe NISMA-s në Gjakovë kanë votuar për Ardian Gjinin e AAK-së, e që me këtë nënkupton se ka të bëjë me një rikrijim të PAN-it.
“Në zgjedhjet e 17 Tetorit është rikrijuar ose ripozicionuar PAN-i në Gjakovë, për arsye se vota e PDK-së ka shkuar te AAK-ja, vota e kandidatit të Nismës ka shkuar në masë tek AAK-ja dhe kur e kemi PDK, AAK, NISMA e kemi një PAN, domethënë kemi një rikrijim të PAN-it”, ka thënë ajo.
Kjo deklaratë solli debat dhe mendime se një gjë e tillë mund të ndodhë përsëri në vend.
Ndërsa analistët politikë për “Bota sot”, thonë se një rikthim i PAN-it edhe mund të ndodhë pasi ambicia për pushtet mund të sjellë deri tek një rikrijim i përsëritshim i PAN-it.
Qarri: Ekziston mundësia e rikthimit të PAN-it
Në lidhje me këtë temë, analisti politik, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot”, thotë se është e mundur një gjë e tillë pasi opozita po mundohet në çdo mënyrë të rikthehet në pushtet
.
Gani Qarri
Sipas tij, PAN do të mundohet të shfrytëzojë balotazhin të bëjë veprime të tilla të pahijshme.
“Në fakt opozita e çoroditur, ende vazhdon traditën e veprimeve fisnore dhe as në gjendjen ku ka rrëshqitur, nuk po punon për të mirën e vendit dhe të qytetarëve të Kosovës, por po bën çmos që të luftojë arritjet e koalicionit qeverisës dhe mposhtë kandidatët e saj edhe në zgjedhjet komunale, duke votuar jo për kandidatin, por për partinë. Ndaj dhe shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh kandidate për kryetare të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila me të drejtë konsideron se ka një rikrijim të PAN-it në Gjakovë. Sepse sidomos në balotazh, PAN pritet të rigrupohet sërish edhe në komunat tjera, kur kihet parasysh fakti se në mbi 20 sosh do të mbahen sërish votime për të parët e komunave në gjithë vendin”, thotë ai.
Analisti më tej shprehet se Kusari-Lila ka të drejtë që mendon se në Gjakovë mund të ndodhë rikrijimi i PAN-it.
Qarri thekson që se VV mund të fitojë në Gjakovë vetëm nëse PAN nuk bëhet bashkë, pasi një marrëveshje mes tyre mund të ndodhë për të mos lejuar të qeverisë Kusari-Lila.
“Madje sipas zonjës Kusari-Lila, një pjesë e votuesve të PDK-së dhe NISMA-s në Gjakovë, qysh në raundin e parë, kanë votuar për Ardian Gjinin e AAK-së, e që me këtë nënkupton se, jo vetëm që kemi të bëjmë me një rikrijim të PAN-it, por kjo do të përsëritet ndoshta edhe në dhjetëra komuna të Kosovës, me 14 nëntor, kur pritet të mbahen votimet për balotazh. Ndaj, siç shprehet edhe vet zonja Kusari Lila, vetëm me negociata paraprake politike për ri-pozicionim dhe marrëveshje të akorduara me partitë opozitare, mund të rriten gjasat dhe mundësia, për të fituar ajo mandatin e kryetares së Gjakovës, në balotazh, nëse ndonjëra prej tyre, si PDK- pranon “tradhtinë” e partisë “simotër” të ish kryeministrit të PAN-it, z. Haradinaj dhe voton për Mimozën më 14 nëntor”, theksoi Qarri për “Bota sot”.
Ahmeti: Regjimi i vjetër po mundohet të rrëzoj LVV-në në çdo formë
Ndërsa, analisti tjetër politik, Hidajet Ahmeti, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se nuk mund të jetë befasi një rikthim i mundshim i PAN-it pasi dëshira për pushtet mund të rrezikojë përsëri interesin publik
.
Hidajet Ahmeti
“Mendoj se nuk është një befasi, pasi nga përvoja kemi parë afërsi të tilla në subjekte që kanë ngulfatur jetën sociale, ekonomike e politike në Kosovë. Afërsia në mes tyre çdoherë është bërë kur ju është rrezikuar pushteti, pasi pushtetin e shohin qëllimin final e jo interesin publik”, thotë analisti.
Nga ana tjetër, ai shton se regjimi i vjetër në forma të ndryshme po mundohet për ta relativizuar fitoren e LVV-së dhe kjo mund të sjellë deri tek ndëshkimi i qytetarëve duke u sjellë në qeverisje përsëri PAN-i.
“Mendoj se qytetarët duhet të jenë syhapur për ndëshkuar gjithë ata të cilët keqpërdorin paranë publike dhe pushtetin e konsiderojnë privilegj e jo përgjegjësi. Regjimi i vjetër në forma të ndryshme po mundohet ta minimizojë dhe relativizojë fitoren plebishitare të Lëvizjes Vetëvendosje, pasi edhe aleancat në nivel lokal po e dëshmojnë një gjë të tillë”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.