Kush janë pronarët e vilave, që prokuroria e shtetit nuk guxoi t’i hetojë deri dje dhe as t’i arrestonte të dyshuarit për krimet e shumëfishta në Brezovicë nga zyrtarët e Shtërpcës dhe të tjerë?
Pas deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla për operacionin e suksesshëm në bastisjet në Shtërpcë, Ferizaj dhe në Prishtinë, që u përmbyllë me 10 të arrestuar, reagoi kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, duke e vlerësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të institucionit të pavarur të prokurorisë, dhe duke e parë si pengesë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Frika e prokurorëve dhe gjykatësve
Ky reagim i kryeprokurorit u pasua me reagimin e ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila vlerësoi se pa punën e Ministrisë së Brendshme, prokuroria do të kishte vazhduar heshtjen.
“Pse nuk vepruan më herët kur ish zyrtarë të lartë duke nisur nga ish-presidentë, ish-kryeministra e ish-ministra dhe udhëheqës të institucioneve shumë të rëndësishme në vend ndërtuan vila në Brezovicë?”, pyet ministrja e Drejtësisë.
Edhe në një shkrim tonin të botuar dje, e kemi risjellur një shkrim (link) të 18 nëntorit, se si Gjykata Themelore e Ferizajt e kishte shpallur të pabazë hetimin e prokurorisë, ndërsa ne kërkonim rihapjen e rastit për shkak të krijimit të rrethanave të reja në drejtësi, pas arrestimit të Hashim Thaçit nga gjykata speciale.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të shihen si mbështetësit e luftimit të krimit të organizuar si mundësia më e mirë për rivendosjen e rendit dhe ligjit, dhe përballimin e ekstremizmit serb, veçanërisht pas shpalljes së Listës së zezë, të një grupi ndërkombëtar të krimit të organizuar serb me seli në veri.
Ky grup ka kontroll nga brenda dhe nga jashtë të Listës serbe, që ka nënkryetar të kërkuarin nga Lista e zezë Millan Radojçiqin, i cili mendohet se nuk ndodhet në Kosovë, aktualisht. Por, dje në Shtërpcë u arrestua ish kryetari i kësaj komune, me shumicë serbe, pas një drejtimi për 12 vjet të saj, Bratisllav Nikoliq. Nikoliq është anëtar i kryesisë së Listës serbe, dhe njeri me shumë ndikim brenda saj, dhe si një interlokutor me ish drejtues të shtetit të Kosovës, si presidentin Hashim Thaçi, që sipas raportimeve në media prezantohej si ‘mik i ngushtë i Thaçit’.
Përveç veprimit nëpërmjet listës së zezë, SHBA-ja e ka caktuar një Këshilltari të Përhershëm Ligjor për të rritur kapacitetin për të hetuar, ndjekur penalisht dhe ndjekur rastet që përfshijnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Kush janë ata që ngritën vila me leje të strukturave paralele të Serbisë?
Duket se sipas funksioneve, dhe burimeve të gazetës “Bota sot”, objekt i hetimeve pritet të jenë edhe: ish-drejtorë të policisë, ish-deputetë e deputetë, ish-ministra, ish-kryeministra e deri tek ish-presidentët që ndërtuan vila pa leje apo këtë e bën me ‘dhurata’ dhe ‘gradime’. Apo sipas ministres Haxhiu edhe “udhëheqës të institucioneve shumë të rëndësishme në vend”!
Është interesant që në hetime të përpunohen të dhënat se cilat vepra ndodhën në kohën që ish kryetari i Shtërpcës ishte kryetar i strukturave paralele të Serbisë, dhe cilët persona apo personalitete pranuan t’i kryenin këto vepra me struktura të Beogradit! Dhe për AKI-në të shikojë dosjet e tyre, nëse dikush nga ata u nxu ‘peng’ nga Beogradi, pikërisht me këtë dosje të re korrupsioni e ryshfeti.
Bazuar edhe në pohimet e ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, prokuroria nuk veproi deri dje, pikërisht sepse ishin të përfshirë: “ish-presidentë, ish-kryeministra e ish-ministra dhe udhëheqës të institucioneve shumë të rëndësishme në vend”
Kjo sipas vlerësimit gjuhësorë të akuzës, i bie se kanë ndërtuar vila, së paku dy ish presidentë, që do të thotë Hashim Thaçi dhe me gjasë Fatmir Sejdiu.
Ish-kryeministra, që i bie së paku në bazë të logjikës, i pari i dyshuar është Ramush Haradinaj, pastaj Agim Çeku, po ndoshta edhe Isa Mustafa e Bajram Kosumi, mund të jenë të gjithë këta, dhe ndonjë tjetër ish, por së paku dy prej tyre janë gjithsesi.
Prandaj, ministerja nuk duhet të dalë më deklaratë me ish-funksione, por me emrat që ata i kanë, ‘hon e don’! (Sepse me shumë gjasë nuk do t’i ndërrojnë, meqë edhe nuk është ende ndonjë modë te ne, përveç kur ikin diku jashtë.)
E ish-ministra mund të jenë jo më dy, se gjithsesi se po, në bazë të shumësit të përdorur nga ministrja Haxhiu, por edhe nëse dalin 20 apo 100 nuk është habi.
Deputetët nuk e di pse i paska kursyer, ata ndoshta nuk janë më shumë se ministra, por nuk janë as të pakët. Apo mbase ka edhe ndonjë vëllamë partiak!
Po pse nuk i përmendi ish udhëheqës të lartë të policisë, këtë se mora vesh!
Ndoshta edhe për shkak të stilit, jo të veshjes së ministres, por për shkak të goditjes më të lartë retorike për publikun.
Mirë, që na zbuloi funksionet, të tjerat i zbulojmë ne vetë shqiptarët, sepse nga 100 e sa ministra kemi pasur, nja 20 apo 30 ua qëllojmë emrat, por pa short.
Është mirë, që pasi e morët këtë mundim, t’ia dërgoni listën e emrave, bashkë me informacionet shtesë që keni, duke i kërkuar hetimin e “fakteve të bashkëlidhura” dhe mendoj, se z.Lumezi, nuk do të kishte më derë nga të ikte, përveç se ti niste një hetim rrufe, ose të ikte vullnetarisht nga atje!
Kjo është politika, ekonomizimi i fjalëve publike, në interes të veprave!
Largimi nga zhurma në emër të qetësisë së përgjithshme!
Paralajmërimi i ri amerikan!
Sipas një njoftimi nga SHBA-të, të botuar në mediat në rajon, tashmë SHBA-të kanë bërë një plan të ri veprimi për luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, trafikimit e të tjerave në Ballkan. Kështu Vendimi amerikan thekson se Këshilltari i Përhershëm Ligjor do të caktohet në Ambasadën Amerikane në Zagreb dhe do të punojë në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë së Kroacisë.
“Këshilltari i Përhershëm Ligjor (KPL) do të përfaqësojë Ministrinë e Drejtësisë dhe OPDAT në zbatimin e aktiviteteve të asistencës teknike të financuara nga Byroja Ndërkombëtare e Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit e Departamentit të Shtetit për të rritur kapacitetin për të hetuar, ndjekur penalisht dhe ndjekur rastet që përfshijnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë Malin e Zi , Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Ky është një program rajonal”, thuhet në njoftimin publik.
Ndihma do të fokusohet në mashtrimet me prokurimin, korrupsionin, pastrimin e parave, krimin e organizuar, FinTech, dhunën me bazë gjinore, trafikimin e qenieve njerëzore dhe në dukuri të tjera kriminale.
“Kjo do të përfshijë asistencë teknike, mentorim dhe këshilla për hetimet, ndjekjet penale dhe vendimet e rasteve. Do të përfshijë gjithashtu analiza dhe këshilla për ligjet ekzistuese ose në pritje. RLA do të koordinojë dhe bashkëpunojë ngushtë me këshilltarët e tjerë të caktuar në vende të ndryshme të Ballkanit. RLA gjithashtu do të të punojë ngushtë me stafin e ambasadave amerikane në vende të ndryshme të Ballkanit”, thuhet në njoftim.
Kjo ndihmë ofrohet për të mundësuar që këto institucione dhe stafi i tyre të luftojnë në mënyrë më efektive terrorizmin, krimin e organizuar transnacional, korrupsionin, krimin financiar dhe krime të tjera.
A do të hetohet edhe deputeti Nikoliq?
Gjatë aksionit në Shtërpcë dhe lokacionet tjera policia ka njoftuar se konfiskuar para, armë të ndryshme, municion, vetura, aparat për prodhimin e kriptovalutave dhe pajisje të ndryshme elektronike, ndërsa 10 të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndër, ata që po mbahen në arrest është ish kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, për të cilin sipas prokurorisë dyshohet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.
Nikoliq është vëllai i Branisllav Nikoliqit, deputet i Listës serbe, i zgjedhur për herë të dytë, ndërsa sipas informacioneve është agjent i shërbimit inteligjent të Serbisë, BIA, dhe që për tri vite ka shërbyer si këshilltar i presidentit Thaçi. Nga ky post u largua për shkak të dyshimeve se ishte agjent i BIA-s, por nuk u pengua të zgjidhej deputet!
Nuk ka informacione nëse do të hetohet në këtë rast edhe deputeti Nikoliq.
Prokurori i rastit Rasim Maloku, tha dje në një konferencë se Nikoliqi dhe të arrestuarit e tjerë kanë marrë vila, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e vilave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar të Maleve të Sharrit, në Brezovicë.