(E plotësuar ora: 12: 55) Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, me të cilin zhvilluan një bisedë përmbajtësore dhe konfirmuam raportet e shkëlqyera ndërshtetërore.
Në fillim të takimit mediet janë lejuar të marrin pamje, teksa takimi ka vazhduar me dyer të mbyllura.
Pas takimit nëpërmjet një komunikate për medie presidenca njofton se ministri Çavusoglu dhe presidentja Osmani diskutuan për bashkëpunimin bilateral, në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, tregtisë dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.
“Presidentja Osmani dhe ministri Çavusoglu, diskutuan edhe për zhvillimet aktuale në rajon dhe në Evropë, me ç`rast, presidentja Osmani potencoi se integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike parandalon ndikimin rus në rajon dhe tendencën për destabilizim”, thuhet në komunikatë.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se anëtarësimi i Kosovës dhe rajonit në strukturat euroatlantike është domosdoshmëri.
“E vlerësoj maksimalisht mbështetjen e qartë të presidentit Erdoğan ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Mbështetje të tillë nga Turqia na duhet edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka theksuar në takim presidentja Osmani.
“Marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë strategjike dhe se ky shtet është ndër partnerët tanë kryesor në NATO. Komuniteti turk në Kosovë dhe mërgata e madhe shqiptare në Turqi janë urë e fortë ndërmjet dy shteteve”, ka theksuar presidentja Osmani.
“Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve, sipas Presidentes Osmani kanë potencial të thellohen edhe mëtej, posaçërisht në fushën e investimeve, si dhe duke rritur eksportin e Kosovës në Turqi”, përfundon komunikata.
Foto: RTK
Gërvalla nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Çavusoglun (Video)
(E plotësuar ora: 11: 00) Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, po qëndron në Kosovë. Ai është pritur nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla.
Pas takimit në një konferencë për medie Gërvalla ka falënderuar homologun turk për mbështetjen që shteti i tij i ka dhënë Kosovës.
Kryediplomati turk ka deklaruar se Turqia do të vazhdojë ta përkarahë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare por edhe në fushën e ekonomisë.https://www.youtube.com/embed/veFoNuVulGY
Gjatë këtij takimi u nënshkrua një marrëveshje mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Turqisë për rritjen frekuencës së fluturimeve mes dy vendeve.
“Është për tu përshëndetur marrëveshja e cila u nënshkrua sot në lidhje me rritjen e frekuencës të fluturimeve mes Republikës së Kosovës dhe të Turqisë”.
Ministri turk paralajmëroi investime në Kosovë edhe në fushën e energjetikës, nga të cilat tha se vendi në të ardhmen e afërt do të jetë në gjendje të eksportojë rrymë.
“Në fushën e energjetikës, kompanitë tona janë të gatshme të investojnë dhe nuk duan garanci të blerjes. Financimin do ta bëjmë vetë dhe për një vit do ta kryejmë. Besoj që në investime të tilla kanë interesim firma të fuqishme në mënyrë që të prodhojnë elektricitet dhe Kosova të eksportojë rrymë në një të ardhme të afërt”, tha Çavusoglu.
Çavusoglu pritet të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Edhe kryeministri Kurti e pret Cavusoglun
(E plotësuar ora: 10:15) Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se shefi i Qeverisë, Albin Kurti do ta presë në zyrë homologun turk Cavusoglun.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pret në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu. Vendi: Ndërtesa e Qeverisë. Koha: 11:50”, thuhet në njoftim.
Osmani dhe Gërvalla sot presin në takim ministrin e Jashtëm turk
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Mevlut Çavusoglu, ka arritur dje në Kosovë. Ai është pritur nga zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla.
Por, Gërvalla sot edhe zyrtarisht do ta presë në takim zyrtar homologun turk. Pas takimit, Gërvalla dhe Çavusoglu do të japin deklaratë për medie dhe do t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve.
Kurse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot në orën 11:00 pritet të takohet me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlut Çavusoglu.
Sipas njoftimit të presidencës, mediet mund të marrin pamje në fillim të takimit (ora 10:50), ndërsa pas përfundimit do të ketë komunikatë për medie. Takimi do të mbahet në kabinetin e presidentes.