Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar nga Podujeva se largimi i trupave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka të bëjë me çështjen e taksës 100%.
Kurti së pari po thotë se nuk beson se trupat e KFOR’it amerikan do të largohen nga Kosova, por edhe sikur do të ndodhte një gjë e tillë kjo nuk bëhet për shkak të tarifës së vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnjës.
Sipas tij largimi i trupave të Amerikës nga Kosova është një dëshirë e djalit të presidentit Trump.
“Unë nuk mendoj se KFOR-i amerikan duhet të tërhiqet nga Kosova. Përkundrazi, dhe besoj se nuk do të tërhiqet nga Kosova. Kemi parë një si dëshirë të djalit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mirëpo kjo nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind. Nëse ajo dëshirë bëhet edhe vendim i presidentit amerikan, sërish nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind. Ka të bëjë me një reduktim të trupave që SHBA e ka bërë edhe në Afganistan edhe në Siri”, ka thënë Kurti.
Kurti po thotë se beson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë në Kosovë në të gjitha format.
Ai po thotë se taksën do ta heqin gradualisht dhe do ta zëvendësojnë me reciprocitet ndaj Serbisë.
“Por, po them, unë besoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të qëndrojnë në të gjitha format e tyre shtetërore në Kosovë me Ambasadë, me ekonomi, me kulturë, me mbrojtje dhe jemi për partneritet dhe aleancë të fuqishme. Ne do ta heqim tarifën 100 për qind në mënyrë graduale, duke e zëvendësuar me reciprocitetin gradual. Jemi të bindur se kjo është rruga e duhur përpara dhe qëndrimi më racional dhe më i dobishëm për vendin tonë”, deklaroi kreu i ekzekutivit, Albin Kurti.