‘Përderisa pushteti është përgjegjësi dhe barrë goxha e rënd, atëherë edhe pushimi prej saj, qoftë edhe për një kohë të caktuar, është begati. Ndaj as mos të gëzohen shumë ata që fituan e as mos të pikëllohen shumë ata që nuk fituan. Fitorja është për burra por edhe humbja gjithashtu është për burra, asnjëra e as tjetra nuk janë turp, por janë pjesë të natyrshme të jetës, janë procese jetësore.’
Shkruan Dr. Shefqet Krasniqi
Zgjedhjet e 6 tetorit përfunduan dhe rezultatetpo dihen. Dikush u gëzua e sigurisht se dikush u pikëllua. Krejt kjo jo vetëm që është normale në çdo garë por kështu është pothuajse në çdo hap të jetës. Zaten tërë jeta e njeriut është e tillë, gëzim e hidhërim, rënie e ngritje, lodhje e pushim, shëndete sëmurje, e kështu me radhë. Populli ynë ka një të kaluar të hidhur por përplot përvoja. Ndaj dikur moti populli thoshte “mos u gëzo shumë për një të mirë që e ke, ngase ashtu siç nuk e ke pasur fare dikur ajo mund të ik prej dore”. Çdo gjë merre me një lloj “kandari”, pra me një mesatare, si gëzimin ashtu edhe hidhërimin, si të keqën ashtu edhe të mirën.
-Çdo gjë në këtë dynja ka ngritje e rënie, prandaj është logjike që pas çdo ngritjeje të vjen rënia. Ky është, në fakt, ligj i Zotit në këtë tokë. Nga ky ligj nuk kanë mundur të shpëtojnë as vet fetë, ato herë kanë pasur ngritje e herë rënie. Madje nganjëherë devijime aq të mëdha sa janë shkrirë fare. Edhe vet Feja Islame, e cila konsiderohet e fundit dhe përmbyllëse për njerëzimin, ani pse vazhdon të jetë e përkryer si fe, por në shoqëri, në terren, ka pësuar ngritje dhe rënie. Po këtij ligji të natyrshëm nuk i shpëtuan as mbretëritë e as perandoritë më të mëdha të cilat dikur sundonin botën. Madje disa patën ngritje të hatashme, ishin civilizime gjigante, por megjithatë, më vonë ato pësuan tkurrje e rënie saqë disa u zhdukën tërësisht. Shumë nga këto civilizime tashmë i dimë vetëm përmes dëshmive historike.
Disa nga ato civilizime e pushtete të mëdha i cekë i madhi Zot në Kuran. Përveç tjerash sigurisht për të na treguar madhërinë e Tij; se pushteti absolut i takon vetëm Atij. Vetëm Zoti nuk pëson ndryshime, përndryshe çdo krijesë e tij duhet të ndryshoj. Edhe njeriu është i ndryshueshëm dhe pëson ndryshime. Ai lind i vogël që nuk di asgjë, pastaj rritet, mësohet, zhvillohet, bëhet i zoti i vetës, e shpesh edhe zotëri i të tjerëve. Më pas dalëngadalë i vije pleqëria, lodhet, i dobësohen shqisat, humb kujtesën dhe dikur bëhet gati si fëmijë.
Meqë ky qenka një fakt i pamohueshëm, atëherë përse mos të jenë subjekt i këtij ligji edhe partitë politike, jo vetëm në vendin tonë por gjithandej nëpër botë? Nëse ata që nuk fituan zgjedhjet në Kosovë, kanë menduar se pushteti i tyre do të jetë përgjithmonë, atëherë sigurisht se nuk e paskan kuptuar këtë ligj të Zotit në tokë. E njëjta gjë vlen edhe për ata që korrën sukses në këto zgjedhje. Le të mos mendojnë as këta se pushteti i tyre do të jetë përgjithmonë. Pra duhet që të dyja palët ta kuptojnë se ligjet që Zoti ka vendosë në jetën tonë mbeten të qëndrueshme dhe se ato nuk ndryshohen orë e çast.
-Fitorja nuk është gjithherë sukses; njeriu për të qenë i suksesshëm nuk duhet medoemos të fitoj gjithmonë. Shumë shpesh ndodh që njeriut t’i ndihmojë disfata e herë-herë edhe dështimi. Shembulli më i thjeshtë për këtë është sëmundja, ani pse njeriu nuk e dëshiron sëmundjen dhe gjithmonë ankohet kur sëmuret, megjithatë, pas sëmundjes ai këndellet më shumë dhe ia di vlerën shëndetit më shumë. Ngjashëm me këtë janë edhe varfëria, uria, skamja etj. Përmes këtyre sprovave njeriu vetëdijesohet në lidhje me vlerën e pasurisë dhe begative që posedon.
Kështu duhet të jetë edhe me partitë. Disfata shumë herë u ka bërë dobi edhe ushtrive më të mëdha ngase nga një disfatë ndodhë që ato ushtri të kenë mësuar shumë gjëra e taktika që nuk kanë ditur më parë.
-Nga ana tjetër, të gjithë duhet ta kuptojmë se pushteti nuk është privilegj. Secili që mendon se pushteti apo pozita është privilegj e ka gabim. Pushteti është përgjegjësi, madje shumë e madhe. Ai që merr një post duhet uruar por në njëfarë forme edhe ngushëlluar p.sh. t’i thuhet: Zoti të ndihmoftë në këtë përgjegjësi apo detyrë të re.
Përderisa pushteti është përgjegjësi dhe barrë goxha e rënd, atëherë edhe pushimi prej saj, qoftë edhe për një kohë të caktuar, është begati. Ndaj as mos të gëzohen shumë ata që fituan e as mos të pikëllohen shumë ata që nuk fituan. Fitorja është për burra por edhe humbja gjithashtu është për burra, asnjëra e as tjetra nuk janë turp, por janë pjesë të natyrshme të jetës, janë procese jetësore.
-Shoqëria ka nevojë prë ripërtrirje; Çdo shoqëri, çdo familje dhe çdo individ ka nevojë për ripërtrirje, madje madje edhe vet fetë qiellore të Allahut xh.sh. kanë pasur nevojë për ripërtrirje, këtë na e vërtetonë dërgimi i Pejgamberve njërit pas tjetrit, pastaj i vet librave të shenjëta, dërgohet njëra pas tejtrës.
Nga kjo nevojë nuk është përjashtuar as feja Islame, për të cilën ka thënë Pejgamberi Muahmed (paça dhe shpëtimi i Zotit çoftë mbi të):”Allahu dërgon këtij umeti në krye të çdo njëqind vite (ndonjë njeri) i cili ua ripërtrin atyre fenë e tyre". Andaj secila gjeneratë ka pasur nevojë për ripërtëritje në çdo fushë, pra edhe në fe, e njëjta gjë vlen edhe sot e kësaj dite. Se këndejmi pse mos ta shohim ardhjen e opozitës në pozitë dhe pozitës në opozitë sinjë lloj ripërtëritje!
-Kohëzgjatja e një pushteti varet prej vet pushtetarëve. Dihet se ardhja në pushtet arrihet përmes votës, por sa qëndron dikush në pushtet varet nga vet pushtetarët. Kjo do të thotë se nëse ata punojnë mirë dhe ia dëshmojnë popullit sinqeritetin e tyre, punën dhe angazhimin e palodhshëm, atyre sigurisht se do të ju zgjatet pushteti. E nëse veprojnë të kundërtën, atëherë, pushteti vetëm sa i korit dhe shumë shpejt largohen nga aty.
-Nuk është me rëndësi kush është në pushtet por shumë me rëndësiështë çfarë punon apo vepron ai pushtet për shtet. Populli tashmë ka filluar të vetëdijesohet ashtu që të mos shikojë kush është në pushtet por të shikoj kush është në shërbim të popullit. Kjo edhe njëherë konfirmon atë që potencuam se pushteti nuk është privilegj por përgjegjësi. Pushteti është shërbim, detyrë dhe përgjegjësi për rregullim e jetesës dhe mirëqenies se qytetarit. Fundja të gjithë jemi pjesë e këtij vendi, jemi vëllezër dhe motra, bijë dhe bija të këtij dheu e mëmëdheu.
Të nderuar, përmes këtyre rreshtave nuk kam qëllime politike e as synim t’i mbaj krahun dikujt. Dua thjesht ta them një të vërtetë dhe t’i mbaj krahun të drejtës, në cilëndo krah qoftë ajo. Po kështu dëshiroj të ofroj një këshillë, meqë kjo është përgjegjësia ime si njeri i fesë, pa dashur asnjëherë të përzihem në politikë apo të merrem me aktivitete politike.
Mendoj se pas këtyre zgjedhjeve të gjithë jemi fitues, secili aq sa ka punuar, andaj urime të gjithëve fitorja. Ata që kanë fituar ngritje, le t’i provojmë e t’i shohim sa të qëndrueshëm e sa të besueshëm ndaj popullit, kombit dhe vendit të vet do të jenë. Ata që kanë pësuar rënie, le të pushojnë e le të përmirësohen. Kjo botë është ‘rrotë’siç thotë populli, e rrota sillet herë andej e herë këndej.
Për fund mbetem me shpresë dhe lutëm që Zoti të ruaj këtë vend, t’i ruaj këta njerëz e t’u japë sukses e bereqet të gjithë atyre që mundohen për të mirë të këtij vendi e të kësaj shoqërie. Amin
Sinqerisht,
vëllai i juaj Shefqet Krasniqi
Discussion about this post