Nomenklatura e re komuniste e sapovendosur në pushtet më 1944 nis tashmë zyrtarisht shkëputjen e lidhjeve të vjetra të së kaluarës në dëm të një tradite shumë-shekullore të vendosura prej brezash në qytetin e Tironës.
Shkruan: Roald A. Hysa
Emrat e rrugëve dhe të lagjeve “me sugjerim nga populli” do të ndryshonin me forcë për të filluar një proces ideologjizimi masiv me doktrinën bolshevike për të krijuar “njeriun e ri”. Ndër emrat e rinj që ju vendosen rrugëve janë edhe ata të Qemal Stafës e të Mustafa Gjinishit, të cilët u vranë po vetë nga shokët e tyre.
Zhbërja e identitetit të Tiranës si qytet dhe tiranasve vendalinj ka nisur pothuajse qysh në ditët e para të ardhjes në fuqi të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Tashmë është një fakt historik që Partia Komuniste e Shqipërisë ka vepruar në ilegalitet të plotë deri në vitin 1948, kohë kur u zhvillua kongresi i parë dhe më pas nuk u fsheh më pas logos dhe strukturave të Frontit Demokratik të Shqipërisë. Një nga punët e para që arriti të imponojë zhbërjen e këtij identiteti të bazuar në një të kaluar me tradita e zakone fisnike ishte të tjetërsonte emërtesat zyrtare të rrugëve dhe të lagjeve tiranase, të cilat mbanin emra të tillë, si Sulejman pashë (themeluesi i Tiranës dhe sponsori i Xhamisë Sulejman pashë në qendër të qytetit), pastaj vijnë emra të tillë si Abdullah Bej, Mahalla e Re, Ismail Efendi, Ali Bej, Xhami Sherif (Tabakëve) etj. Ishin pikërisht këto emërtime që ju sillnin shqetësim dhe që duhet të zëvendësoheshin me emrat e rinj të partizanëve fitimtarë apo edhe ngjarjeve të ndryshme komemorative të regjimit komunist që u ngrit në Shqipëri.
Për herë të parë si problem emërtesat e lagjeve të vjetra tiranase ngrihet si “problem shqetësues” në faqet e gazetës “Bashkimi”, organi qendror i Frontit Demokratik në një rubrikë të brendshme të emërtuar “Vëmë re:”, ku problemi i parë që shtrohet është:
“Lagjet e Tiranës mbajnë akoma emra të vjetër, megjithëse emrat e rrugëve u ndërruan me të rinj. Përp popullin e Tiranës emrat Ali Bej, Abdulla Bej, Ismail Efendi etj. nuk kujtojnë diçka që duhet përkujtuar. Përkundrazi… Populli i Tiranës ka se me ç’emra t’i përkujtonjë lagjet dhe rrugët e tij. Nuk munt të tolerohet të thërriten me emra bejlerësh e efendilerësh lagjet ku shkëlqeu heroizmi i luftëtarëve që ranë për lirinë e popullit.” (Bashkimi, e premte 17 maj 1946, fq. 2)
Nga njoftimi kuptohet që emërtesat e rrugëve janë ndërruar tashmë dhe po kërkohet me ngulm ndërrimi i emrave të lagjeve, pra largimi nga kujtesa kolektive në një të ardhme e kësaj vetëdije kolektive, e cila sipas urdhërdhënësve i përket së kaluarës. Po ashtu nga fjalët e përdorura kuptohet ndjeshmëria klasore, ku ndjehen tonet urrejtëse klasore, kur thotë: “Nuk munt të tolerohet të thërriten me emra bejlerësh e efendilerësh lagjet…”.
Disa javë më vonë përsëritet i njëjti “shqetësim” porse nën okelion “Letra nga populli”, ku “shqetësimit” mbi emrat e lagjeve kërkohet edhe ndryshimi i emrave të shkollave të Tironës. Institutit Nana Mbretneshë t’i vendoset emri i Margarita Tutulanit një vajzë dëshmore, ndërsa Institutit Teknik të marrë emrin e Mustafa Gjinishit një figurë e lartë e LANÇ i vrarë pas shpine nga shokët e vet. Kjo “letër” në fund thuhet se është bërë nga “Një grup studentash e studenteshash”. Më pas përgjigjja e Redaksisë së gazetës vëren, se ndryshimet nuk duhet të mjaftohen me Tiranën, por edhe me qytetet e tjera duhet të vazhdohet për ta zhdukur përfundimisht këtë trashëgimi të së kaluarës. “Po kjo gjë nuk duhet të ngjasë vetëm në Tiranë, por në të gjithë qytetet e mëdha dhe të vogëla, bile edhe në fshatrat më të largëta.” (Mi emrat e lagjeve e shkollave etj. Bashkimi, e enjte 6 qershor 1946, fq. 2)
Jo më vonë se një javë në faqet e Bashkimit kemi njoftimin, se tashmë emrat e lagjeve të sipërpërmendura janë ndërruar dhe ‘Komiteti Ekzekutiv’ i Tiranës i ka ndryshuar të gjitha emërtesat e vjetra të lagjeve duke bërë një ndarje të re administrative me 11 lagje të reja, ku na jepen edhe kufijtë e rinj administrativë të lagjeveve me ndarjen sipas rrugëve, ku te emërtesat e rrugëve shfaqen emrat e dëshmorëve Qemal Stafës, Siri Kodrës, Mine Peza, Asim Vokshi etj. pra, kuptohet se procesi i transformimit po shkon drejt një ndryshimi rrënjësor me baza të thella ideologjike komuniste. “Me këtë rast ky Komitet i emëroj këto lagje me emëra të luftëtarëve të liris të çmuar dhe të njohur nga populli i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë.” Kështu vendosen emrat e Vasil Shantos, Mustafa Kaçaçit, Vojo Kushit, Xhorxhi Martinit, Hamit Shijakut, Shyqyri Ishmit, Misto Mames, Mustafa Gjinishit, Ali Demit, Kozma Nushit dhe për momentin shpëton lagjja Sulejman pashë përkohësisht, sepse më vonë emërtesat e lagjeve do të ndryshojnë dhe do të kthehen me numra. (Ndrohen emërat e lagjeve të Tiranës, Bashkimi, e enjte 13 qershor 1946, fq. 2) Po e njëjta gjë do të ndodhi edhe me Elbasanin, Korçën, Shkodrën, Durrësin etj., qytetet kryesore të vendit. Gjuha e përdorur nga shkruesit e kësaj gazete i përket dialektit toskë, i cili dominonte te fitimtarët e luftës dhe një fushatë përçmuese nisi ndaj vendalinjve për të treguar superioritetin e fitimtarit. Procesi i zhbërjes identitare të tironasve për t’i hapur rrugën e ideologjizimit komunist tashmë kishte nisur në një rrugë pa kthim.