
Për ditë me radhë në portale e rrjete sociale u diskutua për një martesë jo fortë të zakontë të një 73 vjeçari me një grua 50 vite më të re. ‘Dhëndri i ri’, por në moshë i shtyrë, qëlloi të ishte hiç më pak se Sulejman Rexhepi, përndryshe udhëheqës i Bashkësisë Islame të Maqedonisë. Kjo ngjarje u përdorë si shkas nga myftinitë e qyteteve të Maqedonisë për ta shkarkuar reisin – siç e ka për qejf Rexhepi ta thërrasin atë të tjerët.
Shkruan: Mirlind Behluli
Martesa e reisit, që në shqip do të thotë udhëheqës, përtej shijes së hidhur etike që la, ajo shpërfaq problemet e mëdha, strukturore e shumë shtresore që ka organizimi islam në Maqedoni. Por,fatkeqësisht, më mirë nuk është as Bashkësia Islame e Kosovës. Dhe për këtë kam një histori personale që shpjegon mendësinë e udhëheqësisë së BIK-ut. Dhe ‘afera’ e Sulejman reisit është rast i mirë për ta ndarë këtë përvojë. Para gati dy viteve, si gazetar i T7 po tentoja të intervistoja dikë nga Kryesia e BIK-ut në lidhje me ‘mos-transparencën’ buxhetore të kësaj organizate. Reagimi i parë, i rrufeshëm i zyrtarit të lartë të BIK-ut ishte një gjysmë koment-gjysmë pyetje: ti je mysliman, qysh po merresh me BIK-un? Pse po bëhesh pjesë e një agjende të një katoliku – duke iu referuar Drejtorit të T7, Berat Buzhalës. Këto fjalë shpërfaqin lakuriq mendësinë e udhëheqësve të BIK, të cilët edhe sot e drejtojnë këtë institucion.
Ai zyrtar po tentonte të më bindte, në emër të përkatësisë së përbashkët fetare, të mos shkruaj për BIK, për mos-transparencën e saj, për mos-ndërtimin e Xhamisë se Madhe. Pra po shfrytëzohej Islami e ndjenja e përbashkët myslimane që të ndalohej një raportim jo vetëm i drejtë, por edhe i nevojshëm. Dhe qershia mbi tortë: ky zyrtar përveç shfrytëzimit të Islamit si mburojë nga kritika legjitime, po ndërtonte në kokën e tij një plan të paqenë ku ish-drejtori im katolik nëpërmjet meje po e sulmonte BIK-un.
Një mendësi e tillë, ku sintetizohet keqpërdorimi e korruptimi i Islamit për nevoja personale me paranojën, është dominant në Kryesinë e BIK-ut. Aty gjithçka shihet si tendencë për ta dëmtuar BIK e rrjedhimisht Islamin. E gjithë kritika e madje edhe raportimi im shihej si një kryqëzatë e drejtorit katolik të T7 ku unë isha një mashë myslimane në këtë komplot kundër BIK-ut. Ndërkaq përgjigja ime ishte po aq e shpejtë: meqë jam mysliman, unë raportoj me ju. A nuk e thekson edhe vetë Kurani se duhet të flasim të vërtetën qoftë edhe kundër të afërmve tanë? Prandaj, që nga ajo ditë, e kam parë të domosdoshme ndryshimin e emrit të BIK-ut nga Bashkësia Islame e Kosovës në Bashkësinë e Hoxhollarëve të Kosovës. Pra lidhje në bazë të profesionit e jo të përkatësisë fetare. Pse ndryshimi i emrit është i rëndësishëm? Ndonëse është hapi i parë, ndryshimi i emrit shënjon një gjë të rëndësishme: ç’shenjtërimin e BIK-ut. Heqja e cilësorit Islame nga emri i BIK-ut fillon rrugën e nevojshme të de-sakrilizimit të këtij institucioni. Sepse, në instancë të fundit, BIK jo domosdoshmërisht dhe jo gjithnjë përfaqëson Islamin dhe myslimanët. Madje një institucion i tillë pos që është produkt modern, ai është edhe krejt i huaj për Islamin zanafillor e mbase edhe devijim i traditës. Ngase në zanafillën e Islamit, institucione të tilla përfaqësuese nuk ekzistonin, por shiheshin edhe si të panevojshme. Sepse Islami, si fe qiellore, atëbotë u kuptua si fe e lirë, që nuk përfaqësohet nga institucioni, por nga myslimanët, nga individët, nga secili dhe nga gjithkush. Ri-emërimi i BIK-ut do ta kapërcente lidhjen direkte dhe monopoliste të këtij institucioni me Islamin. Pra nuk do të kishte nyje të pazgjidhshme ndërmjet Islamit dhe BIK-ut e as çfarëdo ngjarje e pahijshme e anëtarëve të saj nuk do t’i mvishej Islamit ose besimtarëve të tij.
Përveç de-sakrilizimit të institucionit, ai do t’ia kthente natyrën mondane jo vetëm institucionit, por edhe vetë klasës së klerit. Një institucion i tillë do të mund të ishte llogaridhënëse, transparente e me përgjegjësi ndaj publikut. Por, emri do të sinjalizonte edhe një gjë tjetër, po aq të rëndësishme: duke ia larguar BIK-ut monopolin e përfaqësimit të Islamit – përfshirë interpretimin (ixhtihadin) e Kuranit dhe traditës profetike – e bën këtë organizatë të kritikueshme. Anëtarët e saj janë të gabueshëm, korruptohen e të korruptueshëm e të padrejtë si të gjitha qeniet e tjera njerëzore. Duke e shndërruar në institucion të përfaqësimit të nëpunësve të saj dmth hoxhallarëve, përveç kritikës ndaj institucionit, Islami e sidomos interpretimi i tij do të çlirohej nga tutela monopoliste e BIK-ut dhe hoxhollarëve. Ndoshta kjo është gjëja më thelbësore në këtë ndërmarrje. Ngase ky çlirim do ta rikthente Islamin në natyrën e tij zanafillore: e hapur për interpretim të gjithanshëm, pluraliste e madje në një kuptim edhe demokratik. Sepse Islami zanafillor interpretohej nga të gjithë ata që mbërrinin epitetin e ‘të zotëve të mendjes’; nuk kishte mendim të kodifikuar, kleri e institucione të tilla si BIK-u nuk ekzistonin.
Ringjallja e natyrës së vërtetë të Islamit mund ishte derivat i ndryshimit të emrit dhe substancës së BIK-ut. Ndoshta tingëllon paksa nostalgjike, mbase edhe utopike. Megjithatë kjo do t’i shmangte pyetjet si ajo e zyrtarit paranojak të BIK-ut mbi qëllimin e raportimit mediatik dhe do ta de-faktorizonte maksimën e pakuptimtë se “vetëm hoxhollarët janë të thirrur ta interpretojnë Islamin’. Nëse arsyeja njerëzore e pandihmuar nga shpallja mund të arrijë të vërtetën – siç thoshte Maturidiu –, atëherë pse duhet Islami të interpretohet vetëm nga hoxhollarët, të cilët kanë rastisur të jenë pjesë e BIK-ut? Për më shumë, kleri shumë herë është edhe jo produktiv. Përveç se nuk duhet të ekzistojë si klasë e veçantë, hoxhollarët shpesh janë bartës të pikëpamjeve që kanë bllokuar zhvillimin e brendshëm dhe të jashtëm të Islamit – për ta parafrazuar këtu Alija Izetbegoviçin.
Interpretimi i fesë islame përgjatë historisë ushtrohej zakonisht si profesion i lirë ose si angazhim krahas një pune tjetër. A nuk ishte Ebu Hanifja, themeluesi i shkollës juridike hanefite, të cilës i përkasim si shqiptar myslimanë, tregtar i suksesshëm? Mbase ushtrimi i interpretimit të Islamit si fe e lirë e me natyrë pluraliste mund të rezultojë në një mendim islam autentik karshi fenomeneve aktuale, aq i nevojshëm ndër për shqiptarët mysliman. E për derisa një gjë e tillë të mos ndodh ne do të përballemi, në njërën anë, me interpretime të ‘importuara’ dhe të pa kontekstualizuara dhe, në anën tjetër, me asocimin e të bëmave të hoxhollarëve, si ajo e Sylejman Rexhepit, me institucionin përfaqësues të myslimanëve.