Gjatë ditës së djeshme, ish-kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre dhe ish-nënkryetarja e kësaj partie, Vjosa Osmani më prerazi se kurrë ka pohuar se i ka ndarë rrugët me partinë e saj.
E pyetur nga gazetarët se a do të jetë vonë për LDK-në që të kërkojë nga Osmani mbështetje në rast se kemi zgjedhje të jashtëzakonshme, Osmani ka thënë se tashmë është vonë.
“Natyrisht që po dhe përgjigja konkrete e kësaj është vendimi i tyre i 20 qershorit për të më përjashtuar. Aty ka përfunduar gjithçka”, u shpreh Vjosa Osmani para gazetarëve.
Në anën tjetër, ajo ka lënë të hapur mundësinë që të bashkëpunojë me ish-kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Lidhur me këtë, kanë qarkulluar zëra në opinionin publik se largimi i Osmanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës do ta dëmtojë këtë parti e në anën tjetër disa mendojnë se Vjosa Osmani nuk do ta ketë fuqinë politike që e ka pasur brenda partisë.
Naser Rugova nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se partia në të cilën bën pjesë ai është tejet demokratike dhe se bindjet për orientime politike janë personale.
Ai ka përmendur se i ka reaguar disa herë Osmanit kur kjo e fundit nuk ka vepruar sipas normave statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Bindjet për orientime politike, janë personale dhe unë i kam reaguar disa herë zonjës Osmani kur ka qenë në pyetje LDK dhe normat statutare të LDK-së. Sa i takon aspekteve të tjera, është komplet vullnet i saj dhe çështje e saj personale dhe LDK-ja është parti politike e para në Evropën Juglindore shumë demokratike, shumë e hapur dhe vendimet e secilit individ thjesht i shoh personale dhe nuk kam të drejtë as t’i komentojë.”,tha Rugova.
Rugova ka thënë se Osmani ka paralajmëruar largimin nga Lidhja Demokratike por ende nuk është larguar, por sipas tij, LDK-ja mbetet LDK edhe pa Osmanin.
Ai madje ka marrë një shembull shumë interesant me tifozët e klubeve të futbollit dhe lojtarët si individë.
“Së pari, zonja Osmani edhe pse në njëfarë forme e paralajmëroi largimin nga LDK-ja, ende nuk është larguar, por janë larguar edhe shumë personalitete me peshë nga LDK-ja, por LDK-ja mbetet LDK. Po e marr një shembull konkret, Bayerni si kampion evropian në futboll, në rast të ndonjë largimi të ndonjë lojtari, tifozët i qëndrojnë besnik ekipit dhe nuk shkojnë pas lojtarit.”, tha Rugova.
Në fund, ai tha se nga LDK janë larguar edhe individë me peshë më të madhe politike, por sipas tij, këto lëvizje të individëve nuk e cenojnë elektoratin e emancipuar të LDK-së.
“LDK-ja është ekip e madhe, është brend, parti nacionale, aset nacional, ideatorja e formimit të shtetit, lëvizjet e individëve të caktuar, qofshin edhe bartës të listës, nuk e cenojnë një elektorat të emancipuar politikisht siç e ka LDK-ja.”, tha Rugova.
Ndërkaq, analisti Shkodran Ramadani është shprehur se nga kjo ndarje rrugësh humbin edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e edhe vet Vjosa Osmani.
Ai ka thënë se largimi i Osmanit nga LDK-ja do ta prekë një grup të caktuar të elektoratit të ri të partisë, ndërsa ajo nuk do të ketë pas vetës elektoratin tradicional të LDK-së, besimin e të cilëve e ka humbur me veprimet e fundit.
“Humbin të dy palët, sepse LDK-ja vitet e fundit e ka kultivuar një qasje që ka prekur dy kampe elektorale, votuesit tradicionalë të LDK-së dhe votuesit e ri të papërcaktuar. Me Vjosën kanë humbur tek ky grupi i dytë më shumë vota dhe ndarja i prek të dy palët. LDK i humb një pjesë të votuesve të ri, ndërsa Vjosa Osmani ka humbur besimin e elektoratit tradicional të LDK-së që Osmanin nuk e shohin lojale në raport me partinë dhe zonja Osmani ka qenë shumë e gjasshme që pas shkarkimit të kërkojë adresë tjetër jashtë LDK-së, gjasat janë të formojë listë të sajën me disa anëtarë të LDK-së, disa deputetë e disa pjesë të strukturave dhe t’i bashkohen Vetëvendosjes, por si listë, jo në Vetëvendosje.”, tha Ramadani.
Ramadani gjithashtu shprehet se Osmani i ka kaluar vitet më të mira të saj në politikë dhe tani ajo edhe në rast se formon një listë të re do të jetë vetëm aksesorë i Lëvizjes Vetëvendosje, por assesi lidere e një grupimi të fuqishëm politik.
“Besoj që vitet më të mira të Vjosa Osmanit i kemi kaluar, kulmin e ka pasur para zgjedhjeve dhe tani e ka marrë teposhtëzen, ekziston rreziku dhe nuk mund të kthehet në pozicion ku do të jetë politikanja më e votuar në vend. Ajo mund të jetë aksesor i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit, por assesi një lidere e një fuqie të madhe politike.”, tha Ramadani.
Në fund, ai tha se partitë të cilat dalin si ndarje nga partitë e mëdha, zakonisht përmes koalicioneve mund të kalojnë pragun, por ka raste sipas Ramadanit si ai i Partisë Socialdemokrate që as nëpërmes koalicioneve nuk mund ta bëjnë këtë.
Edhe sot, gjatë vizitës së saj në komunën e Deçanit, para gazetarëve Osmani është shprehur se tash e një kohë të gjatë nuk ka komunikim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, derisa ka pohuar se është në kontakte të vazhdueshme me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Se cila do të jetë e ardhmja politike e Vjosa Osmanit dhe ku e si do të vazhdojë ajo karrierën e vet politike mbetet të shihet, por një gjë tashmë është bërë e qartë, ajo dhe LDK-ja i kanë ndarë rrugët.