
Erërat e forta që kanë kapluar Rrafshin e Dukagjinit, kanë shkaktuar dëme të mëdha në komunën e Istogut. Komuna ka formuar një shtab emergjent për të bërë vlerësimin e dëmeve.
Banorët kanë treguar se dëmet që janë shkaktuar janë të konsiderueshme. Ndërkohë i pari i Istogut, Haki Rugova, ka thënë për Express se ka kërkuar ndihmë nga Qeveria e Kosovës për të kompensuar dëmet e shkaktuara
Shtëpi me çati të dëmtuara, shkolla me xhama të thyer e shtylla elektrike të rëna përtokë. Kjo ishte pamja e Istogut mëngjesin e së enjtes.
Erërat e forta që kanë kapluar këtë komunë në perëndim të Kosovës tash e dy ditë, kanë shkaktuar një mal me dëme në këtë komunë.

Istogut pothuajse i janë shkëputur kontaktet me të gjithë, pasi erërat kanë shkaktuar prishje edhe në energjinë elektrike.
Kryetari i Komunës Haki Rugova, ka thënë për Gazetën Express se të gjitha ekipet e nevojshme kanë dalë në terren, për të bërë vlerësimin e dëmeve.
Ai ka shtuar se Policia e Kosovës, FSK’ja dhe KEDS’i, po qëndrojnë në gjendje gatishmërie për të ofruar ndihmën e nevojshme.
“Ende po fryjnë erëra, ka pasoja në terren nga erërat e mbrëmshme, ka dëme të konsiderueshme. Objekte të ndryshme, shkollore, shëndetësore, në objekte publike, në rrymë, në bujqësi dhe të gjitha. Ne sot në mëngjes e vizituam terrenin bashkë me ekipe, ka ekipe në terren për vlerësimin e dëmeve. Jemi takuar me policinë me FSK’në, KEDS’in dhe struktura tjera që janë të involvuara në të tilla raste emergjente dhe do të bëjmë krejt çka është e mundur t’i sanojmë këto dëme”, ka thënë Rugova.
E për shkak të erërave të forta, mësimi në komunën e Istogut është ndërprerë.

Rugova tha se është marrë vendim që procesi mësimor të ndërpritet deri në ditën e hënë të javës së ardhshme, pasi erërat kanë shkaktuar dëme edhe nëpër objektet shkollore.
“Rrymë nuk ka, shumë ekipe të KEDS’it janë duke punuar, pritet që gjatë ditës së sotme në mënyrë graduale të fillojë nga Istogu e më pas edhe nëpër fshatra të lëshohet rryma. Është marrë vendim që mësimi të ndërpritet deri ditën e hënë, sepse as nëpër shkolla nuk ka energji elektrike. Disa shkolla kanë dëme të konsiderueshme siç është ajo në fshatrat Vrelllë dhe Kaliqan”, tha Rugova.

Ai ka theksuar se dëme në njerëz nuk ka pasur, ndërkaq disa familje janë lajmëruar për ndihmë pasi shtëpitë e tyre janë dëmtuar.
“Kemi informacione se disa shtëpi janë të pabanueshme për momentin për shkak të dëmeve, por do të gjendet zgjidhje e përkohshme. Dy familje janë lajmëruar, mund të ketë edhe të tjera, por do t’u gjejmë zgjidhje”, tha ai.
Rugova tha se shpreson që Qeveria e Kosovës t’i dalë në ndihmë Istogut për kompensimin e dëmeve, pasi sipas tij, komuna nuk ka kapacitete të mjaftueshme.
“Unë shpresoj edhe në përkrahjen e qeverisë, jam në kontakt me ta, do të shohim në ditën e nesërme do të jetë një rezultat më i saktë rreth dëmeve që janë shkaktuar. Jemi në një periudhë kohore rreth buxhetit, sepse nuk është aprovu ende, por në bisedë që kisha me qeverinë besoj se do të gjejmë zgjidhje bashkë, presim përkrahje nga qeverisa sepse komuna nuk e ka kapacitetin e duhur t’i kompensojë të gjitha dëmet”, deklaroi ai.

Se qeveria do të ofrojë ndihmë ka deklaruar edhe zëvendëskryeministri i parë, Avdullah Hoti.
Në statusin e tij në Facebook, Hoti ka thënë se do të shihen mundësitë që të sanohen dëmet që janë më urgjente.
“Sapo fola me Kryetarin e Istogut. Atje janë bërë dëme të mëdha nga era. Kryetari Rugova ka formuar shtabin emergjent, bashkë me FSK, polici, KEDS dhe institucione tjera. Besoj deri nesër ata e bëjnë një vlerësim të dëmeve. Do të shohim si mund t’i sanojmë disa dëme që janë më urgjente, si shkolla dhe objekte publike dhe ndonjë familje që është në kushte të rënda”, ka shkruar Hoti.
Ndërkaq banorët e Istogut kanë thënë se dëmet materiale të cilat kanë shkaktuar erërat e forta janë të mëdha.
D. H. Ka treguar për Express se si pasojë e rrëzimit të stallës së bagëtive, ka pasur lëndime edhe në kafshët e shtëpisë.
“Janë shkaktuar shumë dëme, stalla është rrëzuar, bagëtitë që kanë qenë brenda janë lëndu, kemi arritë me i largu, por kanë lëndime. Kemi dëme edhe në shtëpi, oxhaku i shtëpisë është rrëzuar dhe si pasojë e kësaj kemi mbetur edhe pa ngrohje. Nuk kemi as energji elektrike”, ka thënë ajo./GazetaExpress/








