Si duket vonesat tona të gjata ndër shekuj si komb, rrallëherë na bëjnë përshtypje, madje as djerrja e kohës kot në ditët e sotme nuk na i vret sytë, ngase mënyra perfide e bërjes politikë në emër të interesit nacional, jo që është fyese për qytetarët e Kosovës, por është edhe poshtëruese, kur shikojmë rreth vetes se ku kanë arritur para nesh popujt dhe shtetet tjera!
Shkruan: Hafiz Gagica
Siç e dimë, në asnjë rrethanë ne shqiptarët nuk jemi dorëzuar përballë agresorëve të jashtëm si dhe pushtuesve të vendit tonë, por çuditërisht jemi dorëzue dhe jemi poshtërue keq nga njerëzit që vet i kemi zgjedh, të cilët interesin dhe egon e tyre personale e kanë vënë gjithherë mbi interesat shtetërore dhe nacionale!
Hajnia tani është legalizue, nepotizmi është bërë mjet për pazare kriminale, krimi ekonomik është bërë murtajë shoqërore, partitë janë shndërrue në leva të grupeve oligarkike, thua se partitë politike janë trashëgimi që ua ka lënë baba, dhe, krejt këto hajni bëhen për ta rritur pasurinë e familjarëve, miqve dhe klienteles së vetë fanatike. Dhe ne, prapë iu themi parti “demokratike” pro-perëndimore, e djathtë, e majtë apo e qendrës etj!
Dhe, çka është mjaft e habitshme, partitë simotra të djathta dhe të majta në Perëndim i dinë mirë këto fakte, por ato heshtin, më mirë me thënë, bëjnë sehir me paaftësinë tonë kolektive për ta ndalur të keqen!
Pyetja shtrohet, a mos po bëhen eksperimente me shoqërinë kosovare, apo janë pajtue për mos ta ndryshue këtë gjendje, të cilën e kanë krijue ata që e kanë transformue pasurinë shoqërore në atë private, thënë ndryshe, që pasurinë e shtetit e kanë përvetësue për interesa dhe lukse personale. Mbase, tani sipas kësaj logjike uzurpuese edhe partitë “duhet” shndërrue në “firma” aksionare dhe në pronësi të individëve bashkë me aksionarë dhe shërbëtorë servilë, të cilët në çdo kohë mund t’i shesin “aksionet” e tyre me çmime qesharake!
Shtrohet pyetja; deri kur asnjë politikanë dhe udhëheqës shtetëror të mos përgjigjet moralisht dhe as ligjërisht për gjitha këto anomali dhe dëme që ia kanë sjellë dhe po vazhdojnë t’ia shkaktojnë Kosovës?!
Por, një fakt është i pa tjetërsueshëm, se populli i Kosovës e ka bërë ndryshimin, dhe ai ndryshim ka fillue me 6 tetor, të cilin nuk mund ta pengon më askush, sepse ai po vjen, nëse jo aq shpejt, atëherë sigurisht se sot ka ardhur koha që qytetarët tanë nuk do t’i nënshtrohen kurrë më diktaturës së individëve të veshur me petkun e demokracisë.
Shqiptarët e Kosovës, por edhe ata në hapësirat tjera shqiptare gjithherë iu kanë prirë ndryshimeve pozitive politike dhe shoqërore në Ballkan, prandaj edhe tash kur po bëjnë hapa të ri drejt ndryshimeve të mëdha në Kosovë, nuk do ketë forcë që mundet me i ndaluar në rrugën e integrimeve evro-perëndimore!
Ndaj, e kërkon rendi, ndërgjegjja dhe morali ynë kombëtar si dhe vetëdijesimi politik, që njëherë e mirë klasa e vjetër dhe e harxhuar politike, e komprometuar dhe e korruptuar deri në fyt, të ikën vetë dhe t’i lëshojë rrugë gjeneratave të reja, derisa nuk ka ndodhur ndonjë “tërmet” nën këmbët e tyre!
Discussion about this post