
NATO po shkon drejt kthimit të Detit të Zi në një arenë konfrontimi, që është një rrugë jashtëzakonisht e rrezikshme, tha zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Aleksandër Grushko, për televizionin “Rusia 24”, transmeton Kosova Post.
“Tani ata janë kthyer në rajonin e Detit të Zi. Ne vërejmë një rritje të aktivitetit në territorin e Bullgarisë dhe Rumanisë, dhe po shkojnë drejt shndërrimit të Detit Baltik në një arenë të rivalitetit ushtarak dhe Detin e Zi po e kthejnë në arenë të konfrontimit ushtarak. Është një rrugë jashtëzakonisht e rrezikshme që mbart rrezikun e incidenteve ushtarake”, tha zëvendësshefi i diplomacisë ruse.
Siç tha ai, Rusia ishte e gatshme të bashkëpunonte me NATO-n kur bëhet fjalë për de-përshkallëzimin në Balltik, por Aleanca refuzoi.
Ai shtoi gjithashtu se NATO po rrit aktivitetin ushtarak në kufirin me Rusinë, duke u përfshirë si një komponent strategjik.
“Ne vërejmë një fuqizim të vazhdueshëm të potencialit ushtarak të NATO-s në kufijtë tanë. Nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e aktivitetit ushtarak, një numër të madh të stërvitjeve ushtarake në të cilat tani është përfshirë përbërësi strategjik, por edhe për rregullimin e infrastrukturës, aeroporteve, magazinave, vendosjen e pajisjeve përforcuese, infrastrukturën e porteve. E gjithë kjo krijon një realitet të ri ushtarak në tokë, i cili po formohet sipas skemave të Luftës së Ftohtë.”, tha Grushko.
Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi se veprime të tilla të NATO-s po e detyrojnë Moskën të marrë masat e duhura për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin ushtarak të vendit.
Komunikimi normal – i pamundur
Komunikimi normal diplomatik në kushtet e hapave armiqësorë të NATO-s kundër Rusisë tani është i pamundur, deklaroi diplomati, duke theksuar se NATO shkatërroi qëllimisht të gjitha kontaktet dhe mundësitë e bashkëpunimit me Rusinë.
“Në këtë moment, praktikisht nuk ka elemente pozitive në marrëdhëniet me Aleancën,” vuri në dukje diplomati.
Sipas Grushkos, liderët e vendeve anëtare të NATO-s duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre për përkeqësimin e marrëdhënieve me Rusinë.
“Ne i kemi kushtuar vëmendje faktit që shumë zyrtarë të shteteve anëtare të NATO-s po përpiqen të justifikojnë veprimet e Aleancës, duke u përpjekur të hedhin fajin tek ne. Ne besojmë fort se njerëzit që morën vendimin në NATO, ishin të vetëdijshëm për përgjegjësinë për dëmin që shkaktuan. Në kushte të tilla, ne nuk pranojmë asnjë argument që do t’iu mundësonte atyre të transferojnë fajin për përkeqësimin e marrëdhënieve me Aleancën mbi supet e Rusisë,” vuri në dukje diplomati rus, shkruan sputnik.Sipas tij, kanalet e dialogut me NATO-n për sigurinë evropiane do të mbahen.
“Në çdo rast dialogu do të ndërtohet. E kam thënë tashmë se do të mbajmë kontakte normale me të gjitha kryeqytetet e vendeve të NATO-s. Është e qartë se siguria evropiane si temë e përgjithshme nuk do të zhduket nga pjesa thelbësore e kontakteve tona politike”, ka saktësuar Grushko.