Nuk është e tepërt ta them edhe njëherë: Për t’i kuptuar ndryshimet që po ndodhin në raport me Kosovën, domodso duhet kuptuar shkaqet dhe zingjirin e ngjarjeve të mëdha që po ndodhin në botë.
E kam përsëritur shumë herë: Njohja e raporteve të Perëndimit me Lindjen e Mesme e sidomos me Turqinë dhe çka ka përreth saj, ndihmon shumë në njohjen e gjithë asaj që ka ndodhur dhe që ka për të ndodhur në Ballkan. Është interesant fakti se sa shumë ndikojnë këto regjione në njëra tjetrën. Sepse janë të lidhura me nyje tejet të forta dhe të ndërlikuara historike.
Përderisa nuk i kuptoni këto, ju do të detyroheni tu besoni shpjegimeve qesharake të politikanëve, pseudo-intelektualëve dhe analistëve tanë, të cilët, nga pamundësia për ta njohur realitetin e lartpërmendur, të zhytur thellëisht në injorancën e tyre, problemin e Kosovës e shpjegojnë (vetëm) me terme të politikave vendore.
Shkaqet dhe pasojat e ndryshimeve që po ndodhin në Kosovë i lidhin me emra të përveçëm të klasës politike kosovare, e ndonjëherë edhe të asaj shqiptare.
Këto shpjegime janë shterpe dhe skajshmërisht të shtrembëruara. Janë produkt i mosleximit të “librit të botës”. Janë pjellë e asaj mendësie që mua personalisht më ka ndrydhur dhe dhunuar për vite për faktin se shkruaja dhe shpjegoja këto fenomene me terme të një real-politike evidente.
Kosova muajve të fundit edhe njëherë ka hyrë në agjendën e bisedimeve të të mëdhenjve.
Por kësaj radhe, si viktimë.
Në rastin më të lehtë, si mall që po duan ta sakrifikojnë në pazaret e mëdha dhe të pista ndërkombëtare.
Për fatin tonë të keq…!