Nëse dështon arritja e marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për bashkëqeverisje, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se “plani B” për partinë e tij është vetëm qëndrimi në opozitë.
Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, Mustafa ka thënë se LDK-ja dëshiron që qysh tash të merren vesh për të gjitha pozitat, përfshirë atë të presidentit, por ka shtuar se kjo parti njëherë s’mund të japë emrin e kandidatit për president.
“U kemi thënë edhe Vetëvendosjes që plani B për ne është të shkojmë në opozitë, asnjë plan s’kemi dhe asnjë veprim tjetër s’do të marrim. Nëse e bëjmë qeverinë me Vetëvendosjen e bëjmë, nëse jo s’pranojmë asnjë mandat nga presidenti e asnjë marrëveshje me partitë tjera, sepse ky është vullneti i qytetarëve, andaj të jeni të sigurt se s’ka plane tjera. Tjetri plan është i fundit, nëse s’merremi vesh, do të thotë në opozitë”, ka deklaruar ai.
“Kishim mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm në të cilin informova anëtarët lidhur me ecurinë e bisedimeve të cilat deri më tani i kemi pasur me Lëvizjen Vetëvendosje për koalicionin e mundshëm qeverisës mes dy subjekteve. LDK është e përkushtuar që të vazhdojmë të bëhen të gjitha përpjekjet që të arrijmë një koalicion për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen. LDK vlerëson se ky koalicion s’duhet të shihet si koalicion i rivalëve politikë, por i një partneriteti të destinuar për të bërë ndryshime të domosdoshme në qeverisjen në të mirë të vendit dhe për të ofruar perspektivë zhvillimore. Këshilli ishte i bindur që LDK-ja duhet të vlerësohet në këtë marrëveshje karshi përkrahjes që ka marrë nga qytetarët në zgjedhjet e 6 tetorit, qoftë në ndarjen e përgjegjësive me VV-në, qoftë edhe në programin qeverisës i cili është harmonizuar”, ka thënë ai.
Mustafa ka thënë se nuk kanë të caktuar takimin e radhës, por ka deklaruar se janë të gatshëm kurdo që ftohen nga Vetëvendosje.
“Do t’i përgjigjemi ftesës së VV-së për takimet e ardhshme. Vlerësojmë se nëse do të ketë vullnet politik, mirëbesim e respekt reciprok, çështja e marrëveshjes mund të arrihet. Parimi që u tha në Këshill të Përgjithshëm është se duhet të jenë të gjitha pozitat me të cilat do të sfidohet ky koalicion përgjatë katër viteve dhe që trajtimi i këtyre pozitave të jetë në harmoni me interesin tonë që të kemi koalicion që zgjat katër vjet, ose edhe tetë e assesi që do të sfidohet në momente të caktuara qoftë nga zgjedhje e presidentit apo momente të tjera që mund të jenë sfiduese”, ka deklaruar tutje Mustafa.
“Nuk shoh pengesa që Vetëvendosje të pranojë të jap zotim se e përkrah idenë që LDK-ja të ketë si kandidat presidentin ashtu që ne ta përkrahim kandidatin për kryeministër. Nuk kemi parë ndonjë gatishmëri, por ne kemi kërkuar nga VV që neve të na jepet presidenti dhe ne do t’ia japim më pas një ministri, por ata nuk kanë dhënë përgjigje pozitive”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se emrin e presidentit do ta japin në momentin kur duhet të jepet kandidati për president.
“Nuk kemi përcaktuar emra për askënd andaj do të japim emrat e ministrave ne momentin qe ai i prezanton para Kuvendit. Do ta japim emrin për kandidat për president në moment kur duhet të jepet kandidati”, ka shtuar ai.
Discussion about this post