Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë që VV në radhë të parë duhet të provojë që ta bëj qeverinë dhe nëse s’mundet duhet të lëshojë rrugë.
“Ne s’do të lëvizimin në këtë aspekt, përderisa presidenti s’e konstaton që është përfundu procedura me VV ose kjo s’e merr mandatin që ta bëj qeverinë siç edhe i takon. Ne e kemi marrë vetëm miratimin e njerëzve tanë që Këshilli i Përgjithshëm me vendos për koalicione.
Për momentin kur përfundojnë procedurat ne do të lëvizimin më tutje.
Zgjedhjet mund të jenë opsion për VV-në, por për LDK-në nuk janë opsion i vetëm. Sepse qeveria s’mund të themelohet në këtë mandat, në këtë kohë pandemie, në të cilën është e vështirë të mbahen zgjedhjet se s’dihet kur do të përfundojë kjo gjendje.
Dhe po ashtu kemi dëgju që është disponimi i subjekteve të tjera politike, prandaj konsiderojmë që s’ka arsye të zvarritet kjo çështje”, ka thënë ai në RTV21, përcjellë Indeksonline.
Ndërsa sa i përket postit të kryeministrit ai tha se nëse LDK merr mandatin, ky post do t’i takojë kësaj partie.
“Ne tani e kemi vetëm pëlqimin e këshillit për koalicion me AAK, NISMA-n, AKR dhe minoritetet. Përderisa s’vjen mandati, s’do të hapim këtë çështje për kandidat për kryeministër. Kemi kuadro në LDK e ky është procesi më i lehtë që mund ta kapërcejmë.
Vjosa Osmani ka qenë kandidate në zgjedhjet e 6 tetorit për kryeministre, por tani është kryetare e Kuvendit dhe ajo i ka dhënë deklaratat e saj lidhur me mocionin e mosbesimit dhe koalicionet e ardhshme, mbetet në vullnetin dhe deklarimet e saj, por do të diskutohen të gjitha opsione”, tha lideri i LDK-së./Gazeta Mejdani/