Çuditem me disa hoxhallarë dhe të tjerë që flasin për fenë islame, që përgatisin shkrime, që janë aktivë nëpër rrjete sociale dhe lëshohen në tema të rënda, por që, për sa shihet, ende nuk i kanë lexuar veprat e Ebu Hanifes, të cilat flasin dhe i sqarojnë në mënyrë brilante ato tema, vepra këto të përkthyera për herë të parë në gjuhën shqipe, në vitin 1999, nga unë personalisht, dhe të botuara nga Bashkësia Islame e Kosovës, në vitin 2000.
Shkruan: Mustafa Bajrami
Është për të ardhur keq, që këta njerëz, në vend se t’i lexojnë dhe mësojnë ato vepra që tani janë në gjuhën shqipe, sot e kohë më parë lëshohen deri atje poshtë, sa dezinformojnë opinionin shqiptar me interpretime (shumë herë) të gabueshme, devijuese dhe kështu po përhapin huti në mesin e besimtarëve muslimanë shqiptarë. Si ata që dalin me teza rreth këtyre çështjeve, si dhe të tjerët që prezantojnë antitezat karshi të parave.
Përse e bëjnë këtë punë, ende nuk e kam kuptuar!
Asnjë dijetar në historinë islame nuk i ka shpjeguar këto tema të rënda për të cilat po flitet, më mirë se Ebu Hanifja. Ai kolos i mendimit islam, këto tema i shtroi qartë, shkurt por me përmbatje shumë të thellë. Mjafton të lexohen me përkushtim, e nëse ka vende që nuk i kuptojnë, mos të hezitojnë të më pyesin mua personalisht, apo, të përgatisin ndonjë forum, ligjeratë, debat, dhe të dalim e t’i shpjegoj(m)ë pikat që nuk i kanë të qarta apo që nuk i kuptojnë.
Nuk është marre të bëhet kjo punë.
Këtu, për shkak të sensit dhe misionit të këtij statusi, nuk dua të përmendi faktin e hidhur, se ka edhe të atillë hoxhallarë që aty-këtu marrin ndonjë fjali, paragraf apo më shumë prej atyre librave, i vendosin nëpër shkrimet e tyre, pa përmendur në fusnota burimin nga ku i kanë marrë. Është pamoralshmëri e tyre, por kjo është çështje në vete, është çështje që ka të bëjë me moralin dhe karakterin e tyre, siç ka të bëjë me ligjin mbi pronësinë i cili tek ne shqiptarët fare nuk respektohet.
Prandaj, i bëjë apel të lartëpërmendurve që t’i lexojnë ato libra, ngjitas me to, t’i lexojnë edhe/sidomos tri shkrimet e mia në lidhje me Institucionin e Fetvasë, Muftiut dhe Vendimeve Juridike Islame, shkrime këto që janë të parat autentike të shkruara ndonjëherë në gjuhën shqipe. Këto shkrime u botuan kohë më parë nëpër mediume dhe revista tona, me titull: ‘Institucioni i Fetvasë dhe Muftiu, I, II, III’.
Discussion about this post