Nuk ka dyshim se seanca e sotshme në Kuvendin e Kosovës kaloi me tensione dhe fyerje të shumta. Aty u shpreh krejt ajo që e kishin përgatitur deputetët për t’ia thënë në sy Albin Kurtit, shkruan Gazeta Mejdani.
Përveç tjerash, në fjalimet e deputetëve vërehej një dozë e theksuar e mllefit dhe gatishmërisë për “hakmarrje” politike ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe ndaj kryetarit të saj, Albin Kurtit.
Megjithatë, shkruan Mustafa Bajrami, në Kuvend sot u dëgjuan edhe këshilla drejtuar Kryeministrit që po pritej të votohej.
Ndër këshillat qesharake, bajate e fëmirësore, sipas Mustafa Bajramit ishin ato kur flitej si duhet të sillej e si duhet të vepronte Kurti në të ardhmen.
Më poshtë gjeni postimin e Bajramit të plotë në llogarinë e tij në Facebook:
Gjëja më fëmijërore, më qesharake e më bajate që binte në sy sot në Kuvendin e Kosovës ishte ai momenti kur opozitarë të ndryshëm me mikrofon i jepnin ‘vaz e nasihat’ Albin Kurtit si të sillet, çka duhet të bëjë, si duhet të veprojë e si nuk duhet të gabojë përgjatë rrugëtimit të tij si kryeministër i Kosovës. Them se ishin qesharake e fëmijërore, sepse ato ‘këshilla’ ishin të pakuptimta, vinin nga opozitarë, thuheshin në kohë të gabuar e nga njerëz të gabuar. Saktësisht shprehnin mllefin, hidhërimin e mospajtimin, jo ‘nijetin’ e mirë për të këshilluar..!