Apel!
Deputetëve dhe deputeteve të Parlamentit të Kosovës!
Si qytetar i Kosovës që jam, si intelektual që përcjelli nga afër e nga brenda ngjarjet politike e sociale, si kontribuues i këtij vendi e i kësaj shoqërie, për aq sa kam ditur e për aq sa kam mundur, si ish-përfaqësues i institucioneve të këtij vendi atje ku kam jetuar e ku kam punuar dhe si një prind që jam, për hire të vendit tonë e për hirë të gjithë neve që jetojmë këtu, ju bëjë ftesë që të mos e votoni nesër mocionin. Mos e rrëzoni qeverinë. Sepse, kam frikën se rrëzimi i saj ka për t’i sjellë vendit tonë probleme edhe më shumë, ka për ta acaruar situatën edhe më shumë, dhe ka për ta varfëruar vendin e shoqërinë tonë edhe më shumë.
Kjo përpjekje për rrëzimin e Qeverisë, nuk vjen për shkak të një vizioni patriotik të liderëve të partive politike, nuk është se duan të bëjnë diçka më mirë për vendin tonë, por është rezultat i inateve të tyre ndaj njëri-tjetrit, është rezultat i papërgjegjshmërisë së tyre tani kur janë ngritur kundër njëri tjetrit.
Është kohë e turbullt. Në turbullira nuk veprojnë njerëzit e mençur, por ulen, presin, i shikojnë gjërat, i krahasojnë e pastaj marrin vendime dhe veprojnë. Është kohë koronavirusi gjithashtu. Tani kur e gjithë bota është ngritur në këmbë dhe e bashkuar po punon ta përballojë këtë katastrofë që po e kërcënon njerëzimin, kur miq e armiq, dashamirë e kundërshtarë janë bashkuar, edhe ju bëhuni bashkë që ta tejkaloni këtë krizë. Për hirë të vendit tonë, për hirë të fëmijëve tuaj e fëmijëve tanë.
Deputetë dhe deputete të Parlamentit të Kosovës!
Është moment historik. Është kohë delikate. Kohë kur emrat tuaj do të shkruhen e do të mbesin përjetë në librin e historisë së Kosovës. E ardhmja e vendit tonë është mbi supet tuaja. Ne ju kemi zgjedhur sepse në juve kemi besuar. Ju besojmë edhe më tutje. Andaj mos na zhgënjeni, mos gaboni ta votoni mocionin e ta rrëzoni qeverinë.
Frikohuni Zotit, dëgjojeni ndërgjegjen e pastër tuajen e mos bini viktimë e inateve të liderëve të partive tuaja. Veproni me mendje të shëndoshë.
Mos e rrëzoni Qeverinë. Do t’i gëzoni njerëzit e këtij vendi. E të nesërmen do të gëzoheni edhe ju, më shumë se ne.