I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se me dialogun e udhëhequr nga BE-ja, Kosova dhe Serbia do të ballafaqohen me trashëgiminë e së kaluarës.
Ai përmes një postimi në Twitter ka shkruar se të dyja vendet duhet të ecin drejt një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt.
“Me dialogun e udhëhequr nga BE-ja, Kosova dhe Serbia kanë një platformë për t’u ballafaquar me trashëgiminë e së kaluarës dhe të ecin drejt një të ardhme më të mirë, më të sigurt dhe më me prosperitet për popujt e tyre, komunitetet dhe shoqëritë si pjesë e familjes sonë evropiane”, ka shkruar ai.
Ky reagim i Lajcak vjen pas deklaratës që dje ka bërë i dërguari i SHBA’së për dialog, Richard Grenell.
Ai ka deklaruar se pas heqjes së tarifës dhe reciprocitetit do të vazhdojë dialogu.
“Posa të hiqen tarifa dhe reciprociteti (mbase këtë javë?), atëherë Dialogu nis me intensitet më të shtuar. Kam biseduar me liderët në Serbi dhe Kosovë, për ta bërë të qartë se duhet të fillojnë me ndërtimin e besimit sot në përgatitje të tij – dhe ata janë zotuar ta bëjnë këtë. Së shpejti do të ketë më shumë”, shkruan ai.