
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka thënë se Kosova duhet të krijojë më shumë lehtësira për leje qëndrim të shtetasve nga Shqipëria.
Minxhozi ka paraqitur nevojën për forcim të tregut midis Shqipërisë dhe Kosovës, duke krijuar të gjitha hapësirën që mos të ketë barriera për zhvillimin e shkëmbimeve midis nesh.
Sipas tij, shtetasit e Shqipërisë kanë vështirësi për të marrë leje qëndrimi në Kosovë, kurse për të bërë biznes në Shqipëri procedurat tashmë janë më të çliruara.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ku thekson se në vitin që lamë pas Shqipëria dhe Kosova kanë shkëmbyer 15 përqind më tepër se në 2018 dhe kanë shmangur disa barriera doganore, por prapë ka pengesa.
Edhe pse marrëdhëniet politike së fundmi nuk janë të kënaqshme, veçmas prej iniciativës për Mini-Shengen Ballkanik, megjithatë sa i përket marrëdhënieve tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ka trend rritës.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi thotë se i takon qeverisë së ardhshme t’i përcaktojë prioritet e zhvillimit rajonal dhe nacional ndërkombëtar për Mini-Shengen, teksa deklaron se në radhë të parë të dyja qeveritë duhet ta forcojnë tregun midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Minxhozi është i vetëdijshëm për qëndrimet e Kosovës dhe Shqipërisë rreth iniciativës për Mini-Shengen, sipas të cilit shpesh herë ka edhe konflikte verbale.
Diçka që nuk po i pëlqen diplomatit shqiptar këtu në Kosovë, janë vështirësitë për të marrë leje qëndrimi shtetasit nga Shqipëria. Minxhozi po kërkon trajtim më të veçantë për qytetarët dhe biznesmenët për leje qëndrimi.
Ndërkaq, ambasadori Minxhozi po pranon se taksa rrugore në “Rrugën e Kombit”, është e shtrenjtë, por po shpreson që do të ketë një ulje të çmimit të taksës në të ardhmen.
Sipas ambasadorit, sikurse që ka biznese të Kosovës që ankohen se në Shqipëri nuk ka klimë të favorshme për të bërë biznes, ashtu edhe bizneset e Shqipërisë po ankohen për kushtet e të bërit biznes në Kosovë.
Po ashtu, Minxhozi pohon në intervistë për KosovaPress, se janë shmangur disa barriera doganore, por ende disa prej tyre janë pengesë për bizneset, sikurse certifikatat sanitare dhe çmimi i lartë i skanerit të mallrave në kufi.
Minxhozi është shprehur mirënjohës për humanitetin dhe solidaritetin e kosovarëve të treguar në tragjedinë e ndodhur nga tërmeti që e goditi Shqipërinë në nëntor.
Këtë vit, Kosova ka importuar mallra nga Shqipëria në vlerë mbi 250 milionë euro, ndërsa ka eksportuar rreth 70 milionë euro.