
Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka ka deklaruar se “Përpjekja për të stabilizuar e zhvilluar rajonin tonë, nuk mund të jetë kurrë e suksesshme pa integrimin e plotë të Kosovës në strukturat Euro-Atlantike”.







Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka deklaruar se “Përpjekja për të stabilizuar e zhvilluar rajonin tonë, nuk mund të jetë kurrë e suksesshme pa integrimin e plotë të Kosovës në strukturat Euro-Atlantike. Duke filluar padyshim me anëtarësimin në NATO, e duke vazhduar më pas me integrimin në Bashkimin Evropian”.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë të zhvilluar pak ditë më parë me Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Anton Quni, ministrja Xhaçka tha se “është gjithmonë një kënaqësi kur kemi mundësinë të ulemi e të flasim së bashku për të çuar përpara jo vetëm interesat e shqiptarëve kudo në rajon, por edhe sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin e mbarë rajonit”.
Por, vijoi ministrja, para së gjithash, dua ta uroj kolegun Quni për detyrën e tij të re.

“E di që ai vjen në këtë post në një moment plot sfida për Kosovën.
Një moment realisht jetik për të ardhmen e Kosovës dhe pozicionin e saj në rajon. Por unë nuk kam asnjë dyshim që kolegu Quni, ashtu si dhe qeveria e drejtuar nga kryeministri Hoti dhe mbarë klasa politike në Kosovë, do të dinë ta shfrytëzojnë më së miri këtë moment kaq të rëndësishëm për Kosovën, qytetarët e saj dhe shqiptarët kudo që ndodhen”, – nënvizoi Xhaçka.
Ministrja Xhaçka shprehu sigurinë që ata kanë të gjithë kapacitetet jo vetëm për t’u përballur me sfidën e negociatave, por edhe për të çuar përpara integrimin e Kosovës në strukturat Euro-Atlantike.
“Dua t’ju siguroj ju, e përmes jush Qeverinë dhe vëllezërit tanë kosovarë, që mbështetja jonë do të jetë e pakursyer në çdo aspekt. Sot në rajonin tonë ka paqe e stabilitet. Pavarësisht sfidave e vështirësive që kemi akoma përpara është bërë një progres i jashtëzakonshëm”, – tha Xhaçka.
Fakti, shtoi ajo, që sot Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë anëtarë me të drejta të plota të NATO sigurisht që është një garanci më shumë për konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit e paqes që kërkojnë të gjithë popujt e rajonit.

“Jemi të gjithë të vetëdijshëm që ka shumë punë për të bërë për të arritur këto objektiva madhore strategjike. Dhe dua ta garantoj ministrin që qoftë në rrafshin politik e diplomatik, qoftë në atë teknik ne do të jemi krah për krah vëllezërve tanë duke ndarë të gjithë eksperiencën e Shqipërisë me integrimin në NATO”, – nënvizoi Xhaçka.
Për më tepër, tha ministrja, i kam shprehur kolegut Quni angazhimin tim personal, dhe angazhimin e kryeministrit Rama, për hapjen e një kapitulli të ri dhe shumë intensiv bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, i cili fillon me negocimin në një kohë sa më të shkurtër të një marrëveshjeje të re bazë mes dikastereve tona, që shpresoj ta firmosim gjatë vizitës sime të ardhshme në Kosovë.

Ministrja Xhaçka shprehu bindjen se me këtë vizitë fillon një kapitull i ri dhe shumë intensiv në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes.
Nga ana e tij ministri Quni vlerësoi rolin e Shqipërisë në mbrojtjen e interesave të Republikës së Kosovës duke e konsideruar Shqipërinë si bashkëpunëtorin më të mirë.
“Ju jeni udhërrëfyesi ynë drejt integrimeve euroatlantike në rrafshin e sigurisë dhe në rrafshin ushtarak dhe me plot bindje e them se ne ju konsiderojmë si ambasadorin më të mirë që edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës nesër të jenë krah për krah me të gjitha ato forcat që zhvillojnë aktivitete të ndryshme për të ndihmuar të gjithë ata qytetarë që kanë nevojë për siguri dhe për paqe. Unë nuk e di që ka ndonjë adresë më të mirë ku ne mund të kërkojmë bashkëpunimin se sa Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë”,- theksoi ministri Quni.

Ministri Quni është shprehur se Forca e Sigurisë së Kosovës ka nevojë për ndihmën e partnerëve strategjikë, por sipas tij “është e nënkuptueshme që kjo ndihmë pritet nga ata me të cilët ne i ndajmë interesat e përbashkëta, shqetësimet e përbashkëta, pasi për shumë dekada e kemi një rrugëtim të përbashkët”.
“Është mirë që partnerët strategjikë janë të përbashkët, si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën. Kur flasim për nivelin e besimit përkundër marrëdhënieve shumë të mira që i kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Turqinë, Kroacinë, Britaninë e Madhe, e shumë shtete të tjera mike, është e natyrshme që ndihma më e madhe pritet nga vëllezërit dhe motrat e Shqipërisë që na përkrahin në gjitha proceset e zhvillimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës”, u shpreh Quni.

Kujtojmë se gjatë ministerialit të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s të mbajtur disa ditë më parë, ministrja Xhaçka theksoi se “Shqipëria konfirmon praninë e saj në Kosovë”, por edhe në vendet e tjera.
Me nismën e ministres Xhaçka, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë dhe ajo e Republikës së Kosovës, do të hapin një kapitulli të ri dhe shumë intensiv bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, i cili fillon me negocimin në një kohë sa më të shkurtër të një marrëveshjeje të re bazë mes dy dikastereve, që siç u shpreh ministrja Xhaçka, shpreson ta firmosë gjatë vizitës së ardhshme në Prishtinë.
Nga ana tjetër, Shqipëria rikonfirmon pjesëmarrjen e saj në të gjitha misionet, ku Forcat e Armatosura janë të angazhuara. Kështu ka theksuar ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, gjatë Ministerialit të Mbrojtjes të 30 vendeve anëtare të NATO, i mbledhur për të dytën herë online për shkak të COVID – 19.
Ky takim ishte parashikuar që të mbahej në Tiranë, por pandemia e tre muajve të fundit bëri të pamundur organizimin në Shqipëri, të një prej eventeve më të rëndësishme vjetore të Aleancës.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë fjalës së saj, tha se “Shqipëria konfirmon praninë e saj në Kosovë, Afganistan, Letoni dhe po punojmë për një mision të përbashkët në Irak në kuadër të Kartës së Adriatikut, drejtimin e së cilës e ka vendi ynë.
Vlerësim për burrat dhe gratë në uniformë, kontributi i të cilëve janë siguria që misionet e operacionet të vazhdojnë pavarësisht pandemisë”.
Ministrja e Mbrojtjes propozoi fokus të veçantë të NATO-s për mbrojtjen dhe deterrancën në krahun jugor të Aleancës.
Duke vlerësuar rolin vendimtar që NATO ka në mbrojtjen e rendit global, bazuar në vlerat e përbashkëta, ministrja e Mbrojtjes tha se një aleancë e bashkuar dhe solidare është përgjigja më e mirë ndaj çdo rivali gjeopolitik të NATO-s.
Në qendër të diskutimeve të dy ditëve të Ministerialit, ishin misionet e operacionet e NATO-s si, si dhe mbrojtja e deterranca në Aleancën më të madhe ushtarake në botë.