Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka thënë se kontrata e Gani Jakupit është e klasifikuar, duke u thirrur në Ligjin për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë.
Sidoqoftë, Agjencia për Informim për Privatësi (AIP) ka insistuar dhe kërkuar nga MPJD-ja që për të mbyllur shqyrtimin e kësaj ankese, MPJD duhet të ofrojë qasje të plotë (kopje fizike apo elektronike) ndaj dokumentit përkatës, respektivisht kontratës së lidhur javë më parë, duke respektuar afatin e përcaktuar në vendimin e 22 dhjetorit të AIP, i cili ka karakter detyrues ndaj MPJD-së.
Paragrafi 4 i Nenit 7 i Ligjit në të cilin është thirrur MPJD-ja thotë që kompetencën origjinale të klasifikimit në nivelin “SEKRET”, “KONFIDENCIALE” dhe “E KUFIZUAR” e kanë sekretarët e përhershëm, kryeshefat ekzekutivë apo drejtorët ekzekutivë të institucioneve publike dhe pozicionet e barasvlershme me ta, përveç nëse ata ia delegojnë këtë kompetencë zyrtarëve të lartë vartës.
Kurse, paragrafi 2 thotë që vendimi nëse duhet klasifikuar informacioni dhe përcaktimi i nivelit të klasifikimit bazohet në një vlerësim të pasojave të dëmshme që mund të rezultojnë për interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës nga hapja e paautorizuar e informacionit të tillë.
Këto janë thirrur në paragrafët e nenit 4 që kanë të bëjnë me siguri publike: mbrojtje, plane ushtarake, sisteme armësh, apo operacione. Aty përfshihen informacione për marrëdhëniet me jashtë dhe qeveritë e jashtme, përfshirë burimet konfidenciale.
Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla- Schwarz nuk tha që kjo kontratë është e klasifikuar.
Ajo ka shtuar se për të ditur se për çfarë detyrash bëhet fjalë duhet të presin derisa të përfundojë projekti.
“Unë nuk mund të flas për detyrat e tij, nuk ka rrogë ai nuk merr rrogë. Ai as nuk merr pagë as nuk është këshilltar i Gërvallës siç është paraqitur në publik. Gani Jakupi si një pjesë e madhe e njerëzve që jetojnë jashtë Kosovës dhe që kanë një qasje të caktuar nëpër qarqe të caktuara ku mund të ndihmojnë më shumë se të tjerët. Ka marrë detyra të vështira” – thotë Gërvalla.
“Nuk e dëmtoj projektin për t’iu arsyetuar mediave”, tha diplomatja kosovare. /Kallxo/