Ministri i Ekonomisë së Izraelit, Amir Peretz, njëherësh lider i Parisë Laburiste në vend, njoftoi të mërkurën kundërshtinë e tij për planin e aneksimit të njëanshëm të Luginës së Jordanit dhe vendbanimeve ilegale çifute në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Duke folur për Korporatën e Transmetimeve Publike të Izraelit (IPBC/KAN), Peretz tha se megjithatë ky plan gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve të Parlamentit izraelit.
“Izraeli duhet të dëgjojë me kujdes se çfarë po flitet dhe çfarë po ndodh në rajon e veçanërisht në administratën palestineze”, theksoi ai duke shprehur mbështetjen e tij për dialogun me Palestinën dhe zgjidhje me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez.
Siç deklaroi Kryeministri Benjamin Netanyahu gjatë betimit në Parlament më 17 maj, Izraeli pritet të kryejë aneksimin më 1 korrik, pasi ky ishte edhe akordi për koalicionin qeverisës ndërmjet Netanyahut dhe kreut të Aleancës “Blu e Bardhë”, Benny Gantz.
Zyrtarët palestinezë kanë kërcënuar se do të shfuqizojnë të gjitha marrëveshjet bilaterale me Izraelin nëse ai procedon me aneksimin që do të dëmtojë zgjidhjen me dy shtete.
Plani në fjalë vjen si pjesë e të ashtuquajturës “Marrëveshja e Shekullit” e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e cila u njoftua më 28 janar të këtij viti. Ajo i referohet Jerusalemit si “kryeqyteti i pandarë i Izraelit” dhe njeh sovranitetin e Izraelit mbi pjesë të mëdha të Bregut Perëndimor.
Ky plan përcakton krijimin e një shteti palestinez në formën e një arkipelagu të lidhur me ura dhe tunele.
Zyrtarët palestinezë thonë se në bazë të planit amerikan, Izraeli do të aneksojë 30-40% të Bregut Perëndimor duke përfshirë këtu të gjithë Jerusalemin Lindor.
Plani ka tërhequr kritika të gjera nga bota arabe dhe është refuzuar nga Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI), e cila u kërkoi “të gjitha shteteve anëtare që mos të angazhohen në këtë plan dhe mos të bashkëpunojnë me administratën e SHBA-së për zbatimin e tij në çfarëdo forme”.