
05/08/2020 Nga Dardan Gashi
Ka dy dekada që në Kosovë vazhdon të jetë problem çmimi i barnave, i cili vazhdon të mos jetë i unifikuar.
Kjo i ka mundësuar shumë kompanive farmaceutike që në kurriz të qytetarëve të manipulojnë me çmime duke fituar vlera milionëshe.
Megjithëkëtë, vitin e kaluar, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili kishte nënshkruar një udhëzim administrativ përmes së cilit obligohente me ligj barnatoret që çmimet e barnave të dedikuara për shitje të jenë të njejta.
Por, ky vendim i mirë për xhepat e qytetarëve nuk zgjati shumë. Kjo pasi ministri i tanishëm i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka nxjerrë vendim nr. 642/VIII/2020 me të cilën ka shfuqizuar udhëzimin administrativ për rregullimin e çmimit të barnave..
Arsyetim të vendimit kishte mospërputhjen mes dy dispozitave ligjore të konstatuara nga komisioni i dorëhequr i ankesave.
E ky veprim i ministrit Zemaj, po cilësohet akt kriminal pikërisht nga ish-ministri Ismaili.
Ismaili përmes një shkrimi në Facebook, shkruan se në kohën kur e gjithë vëmendja e opinionit publik është e përqendruar te tmerri që po e shkakton pandemia, ministri Armend Zemaj paska vendosur të bëhet partner i krimit të blerjes së barnave me çmime abuzive.
Ai shton se në mungesë të një dokumenti që do të unifikonte çmimet e barnave në vend, për 20 vjet me radhë Republika e Kosovës ka blerë mbi 6 milionë euro më shtrenjtë barna spitalore brenda vitit, ndërsa qytetarët tanë janë rrjepur financiarisht duke shpenzuar nëpër barnatore rreth 10 milionë euro më shumë për barna në vit.
“Para se ta nënshkruaja Udhëzimin Administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimit të barnave, Kosova dhe Bjellorusia ishin vendet e vetme në Evropë që nuk i kishin të rregulluara çmimet e barnave.Udhëzimi do të ndalonte këdo që ofertonte me çmime më të larta se në treg. Për ta parandaluar çdo lloj abuzimi me çmime, udhëzimi parasheh krahasimin e çmimeve me vendet e rajonit – Shqipëria, Maqedonia, Kroacia, Mali i Zi – dhe nxjerrë një çmim të volitshëm për qytetarët. Rrjedhimisht, do të kishim çmime më të ulëta, më shumë barna, furnizim më të qëndrueshëm, kursim të buxhetit dhe jetë më të shëndetshme.Kërkoj urgjentisht nga Qeveria që të shfuqizojë këtë vendimin që ka marrë dhe të tregojë se si është e mundur që në vend se ta luftojë pandeminë, po i lufton punët e mira dhe po rreshtohet krah për krah me krimin farmaceutik që na ka varfëruar çdo ditë, ka shkruar Ismaili.
E kundër këtij vendimi ka dal edhe Oda e Farmacistëve të Kosovës.
“Ajo që bëri Ministria e Shëndetësisë është përulja dhe stigmatizimi i vazhdueshëm i farmacistëve se po bëjnë pazare me shëndetin e popullit të Kosovës veçmas gjatë pandemisë”
Sipas OFK-së, anulimi i këtij vendimi thënë shkurt e shqip nënkupton mbylljen e shumë barnatoreve të cilat shpresën e vetme për vazhdim të profesionit e kishin këtë udhëzim administrativ.
““Falenderues” ndaj jush, padyshim se do të jetë populli Kosovës, shëndeti i të cilëve me anulimin e këtij Udhëzimi do të mbetet në dorën e tekeve të profiterëve të situatave si COVID 19.
“Mos mirënjohës” për këtë vendim padyshim do ti kesh vetëm përfituesit e tregtarë që për këto 20 vite malltretuan në radhë të parë profesionin tonë Farmacinë dhe popullësinë e Kosovës.
Jemi dhe do të jemi shteti i vetëm së bashku me Bjellurusinë që për shëndetin tonë nuk përkujdeset shteti, por çmimi barnave caktohet sipas tekeve personale.“Faleminderit Ministër”, do të jesh gjithmonë në mendjen e komunitetit të farmacisë, veçmas të atyre të cilët pas këtij udhëzimi shumë shpejtë do ti mbyllin Barnatoret” thuhet në reagimin e OFK-së.
Njohësi I ekonomisë, Jakup Bellaqa, për Syri.net Kosova tha se se është normale që kosnumatorët dëshirojnë të kenë çmime të ulta të tregut, por kjo çështje do të duhej të funksiononte sipas ekonomisë së lirë të tregut, ku tregu do të zhvillohej ku oferta dhe kerkesa do ta përcaktonte edhe çmimin e tregut.
Sipas Bellaqës, për tregun e farmacisë, do të duhej të egzistonte një rregullator, nëse do të vërehej ndonjë përkeqësim i situatës në treg.
Në këtë aspekt për çdo shqetësim do të duhej drejtuar një organi jashtë ministrorë sa i përketë çmimeve dhe rregulimit të tregut në ketë aspektë
Vlerësimi im sa i përket vendimit për rregullimin e unifikimit te barnave nga Ministria e Shendetësisë, se barnat e njejta të kenë edhe çmime të njejta, normalisht se konsumatorët dëshirojnë të kenë çmime të ulta dhe të njejta, por kjo çështje do të duhej të funksiononte sipas ekonomise së lirë të tregut, ku tregu do të zhvillohej, ku oferta dhe kërkesa do ta përcaktonte edhe çmimin e tregut apo çmimin ekuilibrues. Në ketë rast çmimet janë mekanizëm i tregut, sepse në përgjithësi çdo konsumatorë dhe barnatore farmaceutike e hulumton tregun dhe i detyrohet ti diktohet kushteve të tregut pa dashjen e vetë, andaj çdo pakënaqësi do ti drejtohej normal një rregullatori të kësaj fushe.
Ndryshe, edhe vetë Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, për vite me radhë është akuzuar se ka blerë barna shumëfish më shtrenjtë sesa çmimi real i tyre në treg, për furnizim të institucioneve publike shëndetësore.