Një përgjigje për disa reagues dogmatë ndaj tekstit tim “NËSE MBYLLEMI NË EVOKIMIN E TË KALUARËS, NUK MUND TA KUPTOJMË TË TASHMEN”, 8 maj 2020I lexova me kurreshtje dhe vëmendje reagimet e opinionet tuaja.
Shkruan: Milazim Krasniqi
Kam respekt për mendimin e secilit, kur ka mendim. Në shumë raste e kam përmendur se pluralizmi kritik na ofron mundësi të debatojmë, duke e plotësuar e përmirësuar njëri-tjetrin, pa ia imponuar ndonjë version arbitrarisht. Mungesa e kësaj qaseje, e tolerancës dhe e respektit, flet për krizën e mendimit dhe gjendjen e vështirë në të cilën jemi katandisur ne muslimanët. Jo Islami, sepse Islami është në mbrojtjen direkte të Krijuesit. Në debatin tonë (aq sa është debat) për huqjen si për shpifjet e e etiketimet, secili e bartë përgjegjësinë individualisht.
Mua nuk ma lënë shenjë etiketime e shpifjet, sepse ka së paku 30 vjet që jam nën breshërinë e sulmeve egërshane të aktivistëve të besimeve tjera, të ateistëve, të islamofobëve, fatkeqësisht jo rrallë edhe të dogmatikëve muslimanë.Gjendja jonë si muslismanë në gjithë botën është e rëndë. Kjo katandisje e ka një histori, i ka shkaqet e veta konkrete. Ato janë të njohura për të gjithë ata që nuk e fusin kokën në rërë, po e hulumtojnë të vërteten. Në fakt më së lehti është të futet koka në rërë, të jetohet në iluzionin “ç’më duhet mua, s’kam s’bëj, vetë jam në rregull.” Por, nuk është kjo zgjidhja e duhur.
Zgjidhja e duhur është kërkimi dhe gjetja e përgjigjeve për problemet tona. Përgjigjet nuk gjenden pa studim, pa guxim intelektual, pa synim që të thuhet e vërteta. Përgjigjet e duhura nuk gjenden në një kuadër të ngushtuar, as sektar, as klerikalizues, ku përjashtohet dituria që vjen nga shkencat. Shumë dijetarë muslimanë pajtohen se kriza jonë në esencë është krizë e dijes. Seria e tragjedive dhe e krizave të tjera është pasojë e krizës së dijes. Ndërsa, përgjigjet për katandisjen tonë nuk gjenden as me imitime, as me citime të shkëputura nga kontekset, aq më pak me tentimin që t’i mbyllet goja secilit që shfaq një mendim. Kompetencën nuk na e jep me automatizëm diploma e shkollës, bile as drejtimi i studimit.
Aq më tepër shkollat si tonat e të botës arabe, që janë të dobëta, që nuk janë fare të ranguara, ose janë të ranguara mjerueshëm në listat e universiteteve.Lidhur me vetë esencën e temës, evokimin e të kaluarës në ligjërata hoxhallarësh e thirrësish, kam segmentuar vetëm përdorimnin pa karar e pa kontekst që bëhet. Mjafton të konsultohet shpejt libri “Edukimi kulturor i thirrësit” i Jusuf Kardavit, që të shihet se çfarë gjerësie e dijes kërkohet për thirrje. (Pra, e kam fjalën për thirrës gjithnjë, jo për nëpunës.)Ndërsa vazhdoj të mendoj se e kaluara duhet vërtet të studiohet, të evokohet, të afirmohet, të përbrendësohet deri në masën sa të bëhet shtyllë e botëvështrimit tonë islam. Por, në funksion të të kuptuarit edhe të gjendjes së tashme të rëndë e të gjetjes së përgjigjeve, e jo si kërkim azili në narracione për të kaluarën.Nuk dëshiroj ta zgjas këtë diskutim, pra as lidhur me çështje si fraksionet, as me etiketimet e kualifikmet që më janë bërë, sepse ashtu vetëm sa mund të ndizen inate e pasione, meqë një qasje fraksioniste e sektare, po e shoh të jetë prezente e ngapak edhe agresive. Edhe kjo si pasojë e krizës së mendimit. (Fatkeqësisht, persekutimi psikik dhe fizik i dijetarëve, është pjesë e historisë së njerëzimit, ku as ne muslimanët nuk kemi qenë dhe nuk jemi imunë.)
Natyrisht, nuk kam ndërmend të citoj këtu literaturë, sepse nuk ka sens në nivelin e këtij komunikimi. Ndokush që ka dëshirë të mësojë pak më shumë për preokupimet e mia në këtë fushë, ia rekomandoj librat e mi modest: “Meditime islame”, “E vërteta e Islamit ndër shqiptarë” ‘Dhuna dhe qytetërimi perëndimor: Islami si fillim i historisë”, “Letërsia dhe besimet fetare, “Islami i keqkuptuar dhe fatkeqësia botërore” dhe ‘”Thirja në vesh të shurdhër.”
Kaq. Selame. P.S. Falënderoj Floriarin që e postoj tekstin tim dhe ashtu më dha mundësinë t’u shoh në këtë dritë disave prej jush.