Profesori universitar dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Milazim Krasniqi ka thënë se shkëmbimi i territoreve nuk e zgjidh asnjë problem midis Kosovës e Serbisë.
Ai ka radhitur edhe arsyet për një gjë të tillë, duke shtuar se kjo ide ka qenë e ish-ambasadorit amerikan në Beograd, Kameron Manter, pasuar pastaj edhe nga Xhon Bollton e Federika Mogerini.
Më poshtë edhe postimi i plotë:
Ideja e shkëmbimit të territoreve ka qenë e ish ambasadorit amerikan në Beograd, Kameron Manterit, pastaj e Xhon Bolltonit, e Federika Mogerinit dhe e shumë zyrtarëve të tjerë të lartë amerikanë e europianë. Por, e sigurt është se shkëmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk e zgjidh asnjë problem, përveç që mundëson zhbërjen e shtetit të Kosovës. Ja pse?
1. Problemi më i madh në konfliktin tonë është qëndrimi i Kishës Ortodokse Serbe, sipas të cilës Kosova është “tokë e shenjtë serbe” dhe “Jerusalem serb.” Pra, shkëputja eventuale e veriut të Kosovës nuk ndikon asnjë gram në këtë qëndrim, sepse objektet kryesore të Kishës Serbe janë në Pejë (Patrtiarkana) në Deçan, në Prizren, në Graçanicë, në Gazimestan, pra në thellësi-brendësi të Kosovës.
Pretendimet e KOS mbesin në këto objekte dhe në këto hapësira. Aspak në veri.
2. Komunat e formuara me Planin e Ahtisarit (Graçanica, Novobërda, Kllokoti, janë në qendër e në lindje të Kosovës e jo në veri. Bile këto komuna kanë ndërlidhje teritoriale, konkrete ose lehtëissht të arritshme, (Graçanica, Novo Bërda, Parteshi, Kllokoti) e cila mund të nxitë formimin e një entiteti të ri autonom serb në zemër të Kosovës. Në rast të shkëmbimit të veriut në Luginën e Preshevës, këto territore mund të rebelohen e të kërkojnë bashkim me Serbinë. Rebelimi do të detyronte qeverinë të ndërhynte, konfikti i armatosur do të ishte i paevitueshëm.
3. Lugina e Preshevës do të shpërbëhej, meqë nuk do të ‘shkëmbehej’ në pako, po vetëm një pjesë e vogël e saj. Rreziku do të ishte që shqiptarët të spastroheshin etnikisht nga Bujanoci, sepse serbët e Bujanocit (40%e banorëve) nuk do të pranonin të shkëputeshin nga Serbia e të bashkëngjiteshin me Kosovën.
4. Shteti i Kosovës do të dukej si një mall në ankand. Rrjedhimisht, do të mund të tërhiqeshin shumë njohje, nuk do të kishe njohje të reja dhe shteti do të izolohej e do të mbikëqyrej nga Serbia, praktikisht do të shndërrohej në një Palestinë ballkanike.
5. Rreziku që konflikti të përhapej në rajon, sikundër i kishte potencialet në vitin 1999, do të ishte minimal, gjë që do të ndikonte vetëm për dështimin e Kosovës si shtet, pa e trazuar rajonin, ngase Serbia me Marrëveshjen Teknike-Ushtarake e ka të ndaluar të futet në Kosovë, ndërsa, shtetet fqinje të Kosovës, Mali i Zi, Shqipëria e Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s, pra kanë mbrojte të plotë kolektive e nuk rrezikohen me asgjë. Rusia pas rezistencës spektakulare të Ukrainës ndaj agresonit të saj ushtarak çdo ditë po dobësohet më shumë dhe izolimi i saj ia pamundëson që të involvohet më direkt në një krizë në Ballkan, prandaj kriza të jetë vetëm ndërmjet serbëve lokalë dhe qeverisë së Kosovës.
Natyrisht serbëve lokalë mund t’iu vinin ndihma në armë e njerëz me rrugë ilegale nga Serbia e edhe nga Rusia. Mundet edhe nga Franca. Pikërisht kjo mundësi e bën konfliktin të jetë edhe më i rezikshëm, vetëm për stabilitetin dhe ekzistencën e Kosovës. Në një rast të atillë, konflikti do të gangrenizohej, do të shndërrohej në konflikt që do ta dërrmonte e kompromentonte Kosovën. Dialogu do të shkatërrohej, njohjet do të hiqeshin dhe Kosova do të rikthehej në vatër kronike krize e jo fakor stabiliteti. Pas një kohe të konfliktit dhe pas ndryshimeve të mundshme gjeopolitike, sipas modelit rus në Gjeorgji, veriu do të mund të shpallte pavarësinë dhe funksionalisht të bëhej pjesë e “botës serbe.”/KP/