Kolonializmi është dukuria e parë historike që krijoi lidhjen mbarëbotërore të njerëzimit, që dominon prej 500 vitesh historinë botërore, si asnjë dukuri tjetër.
Shkruan: Moza Boçari
Që nga shekulli XV, evropianët eksploruan e pushtuan pjesët e tjera të botës duke i sunduar, shfrytëzuar dhe grabitur. Rezultati përfundimtar i këtyre përpjekjeve ishte i egër dhe shkatërrues: gjenocid dhe plaçkitje njerëzore dhe materiale në përmasa të pashembullta. 56 milionë banorë të Amerikës, 90 për qind e popullsisë indigjene vdiqën në vitet 1800-të, kryesisht nga sëmundjet e sjella në tokat e tyre të përjetshme nga kolonizatorët.
Deri në fund të shekullit XIX, evropianët kishin larguar nga vendet e tyre më shumë se dymbëdhjetë milionë afrikanë, të marrë si skllevër bashkë me pasuritë e tyre.
Vlera e të gjitha mallrave të rrëmbyera nga britanikët në Indi-ndër të tjera, përmes taksimit jashtëzakonisht të popullsisë vendase, fitimit nga monopolet e paligjshme dhe vjedhjet – arrin shumën e paimagjinueshme prej 45 mijë 45 trilionë.
Në fund të sistemit kolonial, Evropa veriperëndimore u kthye në një superfuqi industriale në kurriz të kulturave të tjera. Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, të gjitha kolonitë u kthyen në shtete sovrane, por trashëgimia e kolonializmit vazhdon të funksionojë në mendjet e njerëzve, në strukturat e shteteve të reja, që janë te varura nga vendet e industrializuara.
Edhe pse ish-vendet koloniale afrikane fillimisht adoptuan kushtetuta demokratike, përballë problemeve ekonomike dhe dështimit të qeverive të reja të korruptuara, ato përfunduan në regjime një-partiake dhe diktatura. Këto ndodhën nën tolerancën e heshtur të Uashingtonit dhe të fuqive dikur kolonizatore, që ishin të interesuara për diktatorët qëndrueshëm partnerë në Luftën e Ftohtë.
Një skenar i ngjashëm u përsërit pas rënies së regjimeve komuniste në fillim te viteve 1990. Qeveritë e reja postkomuniste patën në përbërje të tyre elitën komuniste, e cila vazhdoi të përdorë të njëjtin sistem të dominimit politik bazuar në përkatësinë e lidhjet partiake dhe rrjetet e lidhjeve personale e klanore, tashmë të fuqizuara nga korrupsioni dhe nepotizmi.
Kolonitë e dikurshme u shërbyen fuqive perëndimore si furnitorë të lëndës së parë dhe fuqisë së lirë punëtore për industritë e tyre, si baza gjeostrategjike e baza për mbrojtje ushtarake, si dhe vendshkarkime “të tepricave“ të popullsisë.
A nuk i shërbejnë për të njëjtën gjë sot BE-së vendet e Evropës Lindore dhe Ballkanit?
Industria e zhvilluar e BE-së furnizohet me lëndë të parë dhe fuqi punëtore nga vendet lindore dhe ato në zhvillim. Produktet e prodhuara nga kjo industri eksportohen dhe shiten në vendet e origjinës së lëndës së parë dhe punës me shumëfishin e kostos së prodhimit, duke detyruar popullsinë e këtyre vendeve te punoje për të mbijetuar. Për shembull, Bullgaria dhe Rumania janë anëtare në BE prej vitit 2007. Ndërsa rroga mesatare bruto në Gjermani e Francë është 3500-4000 euro, në Rumani është 290-960 euro, në Bullgari 400 euro.
Në këtë sfond, diskutimet shumëvjeçare dhe dëshira naive e shqiptarit për t’u anëtarësuar në BE më kujtojnë përrallën e Hansit dhe Gretës. Prindërit e varfër i braktisën dy fëmijët e tyre, Hansin dhe Gretën, në mes të një pylli sepse nuk i ushqenin dot. Fëmijëve të humbur në pyll u erdhi në ndihmë dhe u tregoi rrugën një zog i bardhë. Duke ndjekur zogun, fëmijët arritën përpara një shtëpie me mure prej buke, dritare prej sheqeri dhe me çati prej torte. Kjo shtëpi i joshi fëmijët e uritur, që pasi hëngrën çka kish përjashta u futën brenda. Aty gjetën një tryezë të mbushur plot dhe një shtrat, në të cilin u shtrinë për të fjetur pasi ngopën mirë e mirë. Ata besuan se ishin në parajsë, por, në të vërtetë, ajo ishte shtëpia e një shtrige magjistare, e cila e kishte ndërtuar shtëpinë për të tërhequr fëmijët qe i gatuante dhe i hante. Ajo e mbylli Hansin më kafaz dhe urdhëroi Gretën të ushqente vëllain e saj, të cilin e peshonte çdo mëngjes për të parë nëse ishte shëndoshur mjaftueshëm për ta ngrënë (përralla mbaron me Gretën dhe Hansin që e kuptuan planin e shtrigës dhe shpëtuan prej saj).
Këtë përrallë-fabul duket se kemi jetuar në vendin tonë këto 30 vite në lidhje me qëndrimet apo pritshëmritë ndaj botës.
Vitet 1990-të filluan me hapjen e ambasadave në korrik 1990 – mbi pesëmijë shqiptarë u arratisën për në Eldorado pak muaj para rënies se komunizimit. Peshqeshet e vogla që ata filluan t‘u dërgonin menjëherë familjeve e kalonin rrogën e një profesori dhe u bënë burimi i parë i pabarazisë dhe korrupsionit.
Të dalë nga diktatura e egër 50 vjeçare, fëmijët jetimë të braktisur në mes të pyllit të “demokracisë“ zbuluan shtëpinë prej sheqeri të korruptimit moral e material. Populli dritëshkurtër, i etur dhe i pangopur, injoroi faktin se në krye të kopesë u vu përsëri elita komuniste, e etur për karrierë dhe pasuri.
U shkatërrua çdo infrastrukturë dhe kapacitet prodhues, ndërsa fshati, që deri në atë kohë kish rrethuar qytetin, pushtoi qytetin duke importuar edhe mentalitetin se çfarë është e tjetrit është edhe e jotja.
Si “ndërtim“ dhe zhvillim u shit shkatërrimi i natyrës, pushtimi pa kriter i hapësirave dhe betonizimi pa plan urban i qyteteve. Kudo filloi vjedhja masive dhe tjetërsimi i pronës së konfiskuar nga regjimi komunist në 47 vjet. Krimi dhe korrupsioni u bënë karburanti i vetëm i ekonomisë dhe politikës. Ndërkohë shqiptarët nisën masive nga vendi i tyre, duke lënë mbrapa më pak krahë pune dhe më pak tru.
Me pasurimin e shpejtë dhe kriminal, u vra çdo vlerë morale, duke plotësuar kështu kaosin e plotë politik, ekonomik, shoqëror e moral të vendit.
Të huajt fillimisht i mbështetën shqiptarët me ndihma humanitare. Ndërsa Shqipëria degradoi në keqqeverisje dhe autokraci, ata nuk nguruan të financojnë me hua qeveritë e korruptuara shqiptare dhe të mbështesin autokratët e shkëlqyer, duke mos kërkuar asnjëherë llogari se ku shkonin këto para.
Kjo histori po vazhdon edhe sot e kësaj dite. Ashtu si shtriga ushqente Hansin për ta shëndoshur, kështu të huajt po i japin borxhe pa fund një qeverie që vetë e quajnë të korruptuar. Tashmë që Shqipëria ka humbur dritën e së ardhmes dhe magjistarja ka vendosur të thithë gjakun e Hansit, pjesën më të shtrenjtë që i duhet një kombi për të jetuar, fuqinë punëtore të shkolluar dhe kualifikuar. Gjaku që duhej për të ushqyer Shqipërinë do të ushqejë tani direkt vendet e zhvilluara duke futur në lëngatë kombin shqiptar.
Për të kuptuar çfarë pasurie e përvetësuar është përthithja e fuqisë së kualifikuar mjafton si ilustrim një statistikë nga Gjermania. Zyra Federale e Statistikave në Gjermani publikon rregullisht shpenzimet e konsumatorit nga familjet me fëmijë. Shpenzimet mesatare të prindërve për rritjen e një fëmije 0-18-vjeç janë rreth 130 mijë euro. Kësaj shume i shtohen edhe rreth shtatëmijë euro shpenzime për çdo vit nëse fëmija ndjek shkollën e lartë.
Nga ana tjetër, shteti gjerman përballon një pjesë të kësaj kostoje, si dhe shpenzime të tjera për rritjen e fëmijëve. Kështu shteti ofron lehtësitë e mëposhtme:
– Nënat shtatzanë paguhen para dhe pas lindjes, për 6 javë me rrogën e plotë mujore.
– Pas lindjes nënat paguhen per 28 muaj me 63 për qind të rrogës së plotë.
– Shteti paguan çdo muaj 200 euro nga lindja deri në moshën 18 vjeç-deri në moshën 25 vjeç kur ata studiojnë. Pranë totalit, për çdo fëmijë që përfundon arsimin e mesëm shteti shpenzon rreth 41,904 euro dhe nëse kryen studime të larta ose mëson një profesion rreth 55 mijë.
– Shteti paguan për shkollat publike ku shkollohen thuajse të gjithë fëmijët gjermanë rreth 8900 Euro në vit për çdo nxënës.
– Shkollimi i një studenti të Mjekësisë i kushton shtetit gjerman 31,690 euro në vit, pra 190 mijë në total për të gjashtë vitet e studimit në mjekësi.
– Familjeve ju ofrohet lehtësim nga taksat në masën rreth 7,248 euro në vit për çdo fëmijë.
Për ta përmbledhur, kostoja për rritjen dhe shkollimin e një fëmije deri në moshën 18-vjeçare është afërsisht, 180 mijë euro të atij me arsim të lartë rreth 250 mijë euro duke arritur maksimumin për të diplomuarit në mjekësi rreth 390 mijë euro në total.
Kjo do të thotë se duke punësuar një mjek të përgatitur në Shqipëri shteti gjerman kursen 390 mijë euro, ndërsa për 100 mjekë kursen 39 milionë. E thënë ndryshe, 110 milionë euro që BE-ja i dhuroi Shqipërisë për tërmetin, Shqipëria ja ka parapapaguar vetëm me 260 mjekë nga mijëra të tillë që kanë emigruar kryesisht në Gjermani, por edhe në vende të tjera të BE-së.
Për të plotësuar këtë vlerësim financiar do të duhet të llogarisim edhe koston për Shqipërinë nga humbja e investimit për një fëmijë deri sa ai diplomohet si mjek. Nuk gjeta të dhëna të tilla, por po marr me përafërsi se kostoja është afërsisht sa gjysma e kostos në Gjermani, rreth 200 mijë euro duke llogaritur këtu, shpenzimet e prindit, investimet ne kopshte, shkolla, universitete, pagat e mësuesve, infrastrukturën etj.
Pra, mund të themi se një mjek shqiptar që emigron dhe punësohet në Gjermani merr me vete 200 mijë euro investime të familjes dhe shtetit dhe i kursen Gjermanisë 390 mijë pa përmendur këtu dëmin që i shkaktohet popullsisë taksapaguese në Shqipëri mungesa e shërbimit shëndetësor, si pasojë e mungesës së mjekëve, pasi një mjek që largohet zëvendësohet vetëm të paktën pas tetë vjetësh – pesë vjet shkollë dhe tre vjet specializim.
I kam shkruar këto mendime jo për të ndaluar migracionin e fuqisë punëtore, jo për të kërkuar nga politika ndërkombëtare pagesë për gjakun që po i merr një vendi në zhvillim, por thjesht për të ngritur ndërgjegjen kombëtare, për njerëzit që e shikojnë faktorin ndërkombëtar si shpëtimtar.
Historia botërore është histori luftërash për hir të kapitalit. Për kapital i forti shfrytëzon të dobëtin. Ne kemi qenë dhe jemi historikisht të dobët, për shkak të vetëdijes së pazhvilluar që kemi ndaj vlerave tona dhe përulësisë që kemi ndaj të huajit. Shqipërinë mund ta shpëtojë vetëm shqiptari atdhetar, që do veten, fëmijën dhe kombin e tij. /Exit/