Këshilltarja e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinajt, Meliza Haradinaj-Stublla e ka quajtur idenë e reciprocitetit si nënshtrim i Kosovës ndaj Serbisë. Në analizën e saj në Facebook, Meliza Haradinaj, ka përmendur disa arsye për këtë. Sipas saj, ata që e përkrahin idenë e reciprocitetit, janë dorëzuar në betejë ende pa nisur lufta. “RECIPROCITETI I NËNSHTRIMIT TË KOSOVËS
Treshja serbomadhe, kosovofobike Vuçiq, Vulin, Daçiq, luten të fitojnë këta shkurtpamësit e Kosovës që po premtojnë heqje të taksës në këmbim të reciprocitetit. Hipotetikisht, me heqjen e taksës dhe ngritjen e reciprocitetit, do të kemi këtë bilanc asimetrik ekonomik e politik:
- Kosova do të eksportojë në Serbi mallra me vlerë deri 30 milionë, ndërsa Serbia në Kosovë mallra me vlerë deri 700 milionë;
- Serbia do të vazhdojë t’i mbajë peng eshtrat e mbi 1.500 të të pagjeturve tanë në Serbi, ndërsa Kosova nuk ka çka t’i mbajë peng Serbisë;
- Serbia do të vazhdojë të mos japë përgjegjësi për gjenocidin e vitit 1998-1999 në Kosovë, me mbi 20.000 të vrarë e masakruar, e mbi 20.000 gra të dhunuara – ndërsa Kosova ska përgjegjësi kriminale që ka mbrojtur pragun e shtëpisë;
- Serbia do të vazhdojë bllokimin e pavarësisë energjetike të Kosovës, ndërsa Kosova nuk mund t’ia cenojë pavarësinë energjetike Serbisë;
- Serbia do të vazhdojë të mos i njohë diplomat akademike të Kosovës (për studentët e Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit), ndërsa Kosova nuk mund ta bëjë një gjë të tillë për serbët e Kosovës të cilët kanë të drejta të zgjeruara me Kushtetutë;
- Serbia do të vazhdojë ofensivën e anëtarësimeve multilaterale të Kosovës siç bëri me UNESCO-n e Interpolin, ndërsa Kosova nuk mund ta pengojë Serbinë, e cila tashmë është e konsoliduar në shoqërinë ndërkombëtare;
- Serbia lobon agresivisht kundër njohjeve të Republikës së Kosovës, ndërsa Kosova nuk mund ta bëjë një gjë të tillë ndaj Serbisë.
- Serbia ende e konsideron Kosovën si pjesë të saj me Kushtetutë, ndërsa Kosova nuk ka pretendime as mundësi të tilla.
Me gjithë këto fakte që përbëjnë realitetin e marrëdhënieve ende të përgjakshme Kosovë – Serbi, e çuditshme se si kanë moral kombëtar kandidatët për kryeministër të flasin për reciprocitet, në dëm të interesit nacional e shtetëror. Janë dorëzuar në këtë betejë, ende pa ja nisur “luftës”.
Kosova këtë herë voton për vetëveten, për Kosovën e qëndrueshme me taksë 100%, me ushtri që forcohet çdo ditë dhe nuk do të zgjedhë kandidatë për kryeministër që ia ndihmojnë fitoren Vuçiqit në zgjedhjet e pranverës 2020 në Serbi” shkruan Meliza Haradinaj-Stublla.
Discussion about this post