Agjencia ruse e lajmeve “Regnum” në një shkrim të titulluar “Pse presidenti i Serbisë nuk i priti ndihmat nga Rusia?”, ka shfaqur vrerë mbi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjë e cila mund të jetë fillimi i përplasjes së këtyre shteteve aleate.
Në këtë editorial thuhet se Vuçiq e ka quajtur vëlla e mik presidentin kinez Xi Jinping, ndërsa një gjë të tillë nuk e ka thënë për atë rus, Vladimir Putinin.
Megjithëse shkrimi nis me xhelozinë për Vuçiqin, i cili “ka kërkuar ndihmë nga amerikanët dhe evropianët, të cilën nuk e ka marrë”, dhe se “ai nuk ka dalë ta presë në aeroport ndihmën e madhe të ardhur nga Moska”, në fakt poenta e shkrimit përfundon me atë se “Vuçiqi është pajtuar me Uashingtonin që ngadalë t’ia kthejë shpinën Moskës dhe ta arrijë marrëveshjen me Kosovën”.
“Kjo sjellje e çuditshme e presidentit serb përgjatë disa javëve, tregon se kanë pësuar ndryshime në politikën e Beogradit ndaj Moskës. Ndoshta arsyeja e këtyre ndryshimeve qëndron në marrëveshjen, e cila, sipas mediave perëndimore, u përmbyll në 1 mars 2020 në Uashington me të dërguarin amerikan për çështjen e Kosovës, Richard Grenel”, shkruan media ruse.
Shkrimi i plotë i Regnum
Gjendja e jashtëzakonshme në Serbi ka qenë në fuqi që nga 16 marsi 2020. Gjatë konferencës për shtyp, kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq prezantoi një urgjencë, ai i kërkoi presidentit kinez Xi Jinping të ndihmojë Serbinë, duke e quajtur atë “vëlla” dhe “mik”.
Pesë ditë më vonë, Pekini dërgoi një aeroplan në Serbi me pajisje dhe disa mjekë. Vuçiq doli personalisht ta presë aeroplanin, me nderime himni, duartrokitje dhe të gjithë ministrat në formacion. Në fjalën e tij emocionale në aeroport, Vuçiq foli për “miqësinë e çeliktë” midis Kinës dhe Serbisë, e cila do të zgjasë me shekuj, për vëllain dhe mikun e tij Xi, të cilin “disa qindra mijëra njerëz” do të presin një ditë në Serbi. Kryeministrja serbe Anna Brnabiq propozoi krijimin e një monumenti në Kinë.
Disa ditë më vonë, më 25 mars, presidenti i Serbisë kërkoi gjithashtu ndihmë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Sheik Muhamed bin Zayed Al Nahyan dhe një mik i mirë i Vuçiqit dhe presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviqit. Vuçiq falënderoi sheikun paraprakisht, duke thënë se, “i dashur mik, faleminderit shumë për ndihmën tuaj dhe gjithçka që bëni për Serbinë”. Pas disa ditësh, një aeroplan mbërriti nga Emiratet e Bashkuara Arabe me maska, këpucë mbrojtëse, doreza dhe dy lloje të rrobave mbrojtëse.
Dy ditë pas vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme, presidenti i Serbisë foli gjithashtu me kancelaren Angela Merkel, por asnjë ndihmë nuk erdhi nga Berlini. Në fillim të prillit, ai gjithashtu edhe foli me komisionarin e BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Me gjithë deklaratat e Ministrisë së Integrimit Evropian të Republikës së Serbisë, kreu i delegacionit të BE-së në Serbi dhe komisionari i Zgjerimit të BE-së, në Serbi si ndihmë solli shumën prej 15 milionë eurosh, me të cilën Serbia po paguante karburantin për katër fluturimet e materialeve të blera nga Kina dhe vendet e tjera. Pajisjet e ventilimit mekanik që dyshohet se janë blerë nga Brukseli nuk mund të dërgohen në Serbi për shkak të një ndalim eksporti.
Më 27 mars, presidenti i Serbisë iu drejtua gjithashtu presidentit amerikan Donald Trump me mirënjohje, sepse “botës i duhet udhëheqja e tij”. Asnjë ndihmë e Shteteve të Bashkuara për Serbinë nuk erdhi. Në të njëjtën ditë, Vuçiq iu drejtua “mikut të dashur”, kryeministrit britanik Boris Johnson, duke i uruar atij një shërim të shpejtë nga virusi. As Mbretëria e Bashkuar nuk e ndihmoi.
Gjatë kësaj kohe, gati 3 mijë persona u infektuan në Serbi dhe rreth 70 njerëz vdiqën nga Coronavirusi, përfshirë zëvendësministrin në Ministrinë e Mbrojtjes së Mjedisit dhe një kler të Kishës Ortodokse Serbe. Për më tepër, Serbia nuk ka furnizime mjekësore dhe teste për koronavirus dhe më shumë se 250 profesionistë mjekësorë, mjekë dhe infermierë, janë të infektuar.
Nga ana tjetër, Rusia dërgoi 14 aeroplanë të mëdhenj transporti dhe rreth 100 mjekë në Itali. Më 30 mars, Trump iu drejtua presidentit Putin për ndihmë, gjë të cilën e mori (disa aeroplanë dhe një anije të tërë).
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, i nderuari me çmimin e madh rus të “Aleksandër Nevskit”, vetëm pas kësaj, më 2 prill, i kërkoi ndihmë presidentit Putin – tre javë pas shpërthimit të epidemisë dhe pavarësisht faktit se Qendra Humanitare Ruse po punon në Nish. Si përgjigje, Rusia nisi 11 aeroplanë të mëdhenj transporti dhe rreth 90 mjekë në Serbi brenda 24 orësh.
Në raport me numrin e banorëve, Rusia ka ndihmuar Serbinë më shumë sesa Italinë. Ruisia ndihmoi dukshëm më shumë sesa e ndihmoi Kina.
Sidoqoftë, presidenti i Serbisë nuk doli në aeroport për pritur ndihmën nga Rusia, siç është rasti me ndihmën kineze. Ai e dërgoi një një ish-punonjës të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, dhe tani Kryeministren Ana Bërnabiq, e cila foli shkurtimisht me mjekët ushtarakë rusë. Vuçiq falënderoi popullin vëllazëror rus në Twitter, por nuk e quajti Putinin mik apo vëlla. Disa gazeta ditore, të cilat janë të ndikuara nga qeveria, nuk njoftuan në faqet e para marrjen e ndihmës ruse. Nga ana tjetër, më 9 prill, Milorad Dodik në Republika Srpska personalisht priti tre avionë rusë në Banja Llukë.
Kjo sjellje e çuditshme e presidentit serb përgjatë disa javëve, tregon se kanë pësuar ndryshime në politikën e Beogradit ndaj Moskës. Ndoshta arsyeja e këtyre ndryshimeve qëndron në marrëveshjen, e cila, sipas mediave perëndimore, u përmbyll në 1 mars 2020 në Uashington me të dërguarin amerikan për çështjen e Kosovës, Richard Grenel.
Sipas marrëveshjes, ekzistencën e së cilës Beogradi nuk e mohon, Uashingtoni do ta zhvendosë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti (favorit i Gjermanisë dhe kundërshtar i ndarjes së Kosovës) dhe do të kontribuojë në heqjen e taksës nga autoritetet e Kosovës për mallrat serbe. Në këmbim të kësaj, Prishtina, d.m.th. presidenti Hashim Thaçi, do të pajtohet për një rregullim minimal të kufirit. Nga ana tjetër, Beogradi, jo zyrtarisht do të distancohet nga Moska dhe nuk do të pengojë në anëtarësimin e Prishtinës në OKB, e cila në përputhje me Kartën e OKB është e barabartë me njohjen zyrtare.
Rënia e Kurtit tregon se Uashingtoni e ka përfunduar pjesën e për marrëveshjen. Tani, Beogradi e ka radhën. /Gazeta Mejdani/