Kosova është ndarë në dy kampe, ndërsa koronavirusi shpërndahet me shpejtësi në vendin e rraskapitur nga hajnia shumëvjeçare e politikanëve.
Njerëzit i kanë dy zgjidhje. Ta dëgjojne qeverinë e t’i respektojnë masat kufizuese që synojnë shpëtimin e jetëve të tyre ose t’i dëgjojnë Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn, që t’i shpërfillin ato.
Këta që janë për pak kohë në pushtet, deri tash na dëshmuan se janë të interesuar të punojnë për të mirën e Kosovës. Pala tjetër, për dy dekada e bindi edhe militantin më të flaktë, se nuk u bën përshtypje jeta e kosovarëve, por vetëm xhepi i tyre i stërmbushur mbi kurrizin e popullit të varfër.
Ata që në mënyrë sistematike e kanë shkelur Kushtetutën dhe ligjet, të drejtat dhe barazinë para ligjit, kanë abuzuar e shpërdoruar masivisht, sot bërtasin se po shkelet Kushtetuta. Janë bërë bashkë si një kor i mjerë që po irriton njerëzit kudo me këtë luftë të egër politike në kulmin e pandemisë.
Duhet t’u vijë turp që e lanë sidomos shëndetësinë në këtë gjëndje të mjerueshme, ndërsa sot akuzojnë ata që nuk kanë asnjë përgjegjësi për të kaluarën e turpshme.
Kori i këtyre politikanëve hipokritë e të rrezikshëm kërkon sot më shumë teste, por e mbyll gojën kur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ua përplas të vërtetën në fytyrë. Kosova ka vetëm një laborator për analiza, ka mungesë të theksuar mjekësh specialistë, epidemiologë, mikrobiologë, ka buxhet qesharak.
E megjithatë, në këto rrethana me një lidership të pakorruptuar, që nuk sheh se si të vjedhë edhe në këtë fatkeqësi, shteti po arrin të përballet me krizën.
Por, rezultatet nuk mund të arrihen pa popullatën. Shumë prej tyre, shpërfillën udhëzimet, rekomandimet, masat e autoriteteve shëndetësore, duke rrezikuar kështu pjesën tjetër. Ashpërsimi i masave i padëshirueshëm për askënd, ishte zgjidhja e vetme që mbeti.
Pra, dy rrugë i kemi. T’i dëgjojmë autoritetet që po përpiqen të shpëtojnë jetët njerëzore apo t’u shkojmë pas sërish këtyre të tjerëve që na e nxinë jetën për njëzet vjet me radhë dhe po mundohen ta shfrytëzojnë këtë situatë kritike për ta bërë një qeveri të paligjshme, antikushtetuese dhe jolegjitime.
Me gjasë, thirrja rri n’Shpi, së shpejti do të zëvendësohet nga e kundërta.
Një njeri normal nuk mund t’ua falë këtë tallje në mes të krizës, atyre politikanëve që pasi iu bënë të gjitha të zezat, me çdo kusht duan ta pengojnë qeverinë që t’u vijë në ndihmë njerëzve të lodhur nga kjo maskaradë e paparë në botë./syri.net/