Koalicion i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” ka prezantuar rezultatet e marra nga vëzhguesit e tyre rreth shpenzimeve të partive politike dhe monitorimit të mediave në tubimet e partive politike në fushatë zgjedhore.
Sipas tyre, shpenzimet kanë rënë 504 mijë euro krahasuar me tre ditët e para të fushatës. Sipas rezultateve, Partia Demokratike e Kosovës prinë me shpenzime, pastaj Lidhja Demokratike e Kosovës e cila pasohet nga Lëvizja Vetëvendosje, e pastaj koalicioni AAK-PSD. Koalicioni i OJQ-ve u bëri thirrje partive politike që të respektojnë limitet e përcaktuara nga KQZ.
Shpend Emini nga Demokracia në Veprim, në një konferencë për media bëri të ditur shpenzimet e partive politike në tubime në tre ditët e fundit, ndërkohë tregoi që ende nuk i kanë shpenzimet sa i përket reklamimeve dhe spoteve që partitë politike i kanë në televizione.
“Kemi parë që shpenzimet nga tre ditët e para kanë rënë 504 mijë euro, do të thotë partitë që kanë shpenzuar në aktivitetet e tyre gjatë fushatës zgjedhore në krahasim me 1 milionë e 64 mijë euro që kanë qenë në tre ditët e para që e qon në total shumën prej 1 milionë e gjysmë euro të shpenzimeve të subjekteve politike në aktivitetet e tyre, pra që nuk përfshinë shpenzimet që partitë apo subjektet politike i kanë shpenzuar në televizione për spotet e tyre reklamuese. Sa i përket shpenzimeve prinë Partia Demokratike e Kosovës me mbi 131 mijë euro në tre ditët e fundit, Lidhja Demokratike e Kosovës me 124 mijë euro, Lëvizja Vetëvendosje me 110 mijë euro, koalicioni AAK-PSD me 64 mijë euro, Nisma-AKR 41 mijë euro dhe Lista Serbe më 18 mijë euro”, tha ai.
Ai tha se këto janë shifrat vetëm për shpenzimet e subjekteve politike në aktivitet apo tubimet që janë organizuar në tre ditët e fundit.
Ai u bëri thirrje partive politike që të mbesin në limitet e përcaktuara nga komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Ne u bëjmë thirrje partive politike që të mbesin në kuadër të limiteve të përcaktuara nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve që mos të tejkalojnë shumën e paracaktuar për ta, që në fund të fushatës zgjedhore të përcaktuar me ligj që edhe partitë të jenë më transparente në shpenzimet e tyre por edhe mos të tejkalojnë shumën e cila është përcaktuar nga KQZ”, tha ai.
Ndërsa sa i përket mbulimit të mediave, rezultatet për tre ditët e fundit nxjerrin se më së shumti mbulueshmëri ka pasur LDK.
“Rezultatet tregojnë se më së shumti mbulueshmëri ka pasur LDK në tre ditët e fundit më 106 minuta, pastaj më Vetëvendosje më 91 minuta, koalicioni AAK-PSD më 82 minuta, PDK më 80 minuta, Nisma-AKR-PD më 79 minuta, Lista Serbe më 23 minuta, Fjala më 6 minuta”, tha ai.
Gjithashtu Emini tha se nga monitorimi me live streem (drejtpërdrejtë) të portaleve përmes facebook, LDK prinë me 749 minuta nga katër portale, koalicioni AAK-PDK me 511 minuta nga pesë portale, PDK më 355 minuta nga gjashtë portale, dhe NISMA-AKR-PD me 248 minuta nga vetëm katër portale.
Ndërkohë që Vetëvendosje dhe të tjerët nuk kanë përdorur live strem me portale për tubimet.
Ai tha se në tre ditët e fundit RTK ka transmetuar vetëm tubimet e PDK-së.
Discussion about this post