Zgjedhjet e reja edhe mund të shpallen, mirëpo koha nuk do të mund të kthehet mbrapa. Arroganca që e dëshmuan partitë politike në luftën e tyre të paskrupullt për pushtet në kohë të pandemisë, kur i gjithë fokusi, qoftë i opozitës, qoftë i Qeverisë, do të duhej të ishte mbrojtja e popullatës dhe parandalimi i përhapjes së pandemisë të shkaktuar nga COVID-19, sigurisht se do të dënohet nga votuesi. Ndërrimi diametralisht i kundërt i qëndrimeve të politikanëve për një kohë shumë të shkurtër sigurisht se ka irrituar një numër të madh votuesish.
Shkruan: Asdren Rrahmani
“Nëse ti je një udhëheqës dhe askush nuk të vjen pas, atëherë ti vetëm ke dalë në një shëtitje rasti”, është kjo një thënie afgane të cilën një mik i imi e kishte komentuar në Facebookun tim. Kjo thënie më intrigoi, sepse ma kujtoi presidentin tonë Hashim Thaçi, i cili është shndërruar në një udhëheqës që del për shëti. Ç’është e vërteta, nuk është ashtu që bash askush nuk po i shkon mbrapa. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i është shndërruar si një hije dhe lëvizjet e tyre politike janë mjaft të koordinuara. Këta të dy ma çojnë mallin e dy valltarëve të tangos, një vallëzim shumë suptil me pasion dhe finesë. E gjitha kjo do të ishte në rregull sikur muzika të mos ishte tallava. E me muzikën tallava, suptiliteti dhe finesa ikin në pakthim. Ngjarjet politike në Kosovë do t’i analizoj pak më vonë.
Ditët e pandemisë botërore të COVID-19 vazhdojnë me lajme të trishta dhe me humbje jetësh të njerëzve, dhe ky numër vetëm sa shtohet nga dita në ditë. Britania e Madhe mendoj se gjatë kësaj jave do të marrë primatin në Evropë me numrin e njerëzve të vdekur nga COVID-19, dhe pas Amerikës do të jetë vendi i dytë për nga numri i vdekjeve të shënuara. Momentalisht është në mbi 26.000. Fatkeqësisht prognoza ime para ca kohësh, të cilën e kisha bërë në Ditarin tim, po del se është duke u realizuar. Gjendja në Britaninë e Madhe do të jetë më e keqe se ajo që ishte në Itali. Të dhimbshme janë këto statistika, sepse po flasim për jetë njerëzish, për prindër, gjyshër, vëllezër e motra të shumëkujt, të cilët kanë ndërruar jetë si pasojë e kësaj pandemie. Disa nga shtetet evropiane veçse kanë filluar me lehtësimin gradual të masave ndaluese. Në Angli ajo ende nuk është duke ndodhur. Personalisht duke dëgjuar lajme të shumta në emisione të ndryshme në radio me mysafirë dhe kyçje telefonatash të dëgjuesve, ajo çka po mundem të kuptoj është se durimi i njerëzve ka filluar paksa si të tëhollohet, e kësaj ditëve të fundit nuk i kanë ndihmuar as temperaturat sikur të ishim në muajin gusht. Vështirë të ngujohesh brenda kur jashtë ke temperaturë 23°C. Mund të vërej edhe një pakënaqësi në politikanët dhe në Qeverinë në përgjithësi, mirëpo mendoj se kjo do të përshkallëzojë më shumë një ditë kur kjo pandemi të tërhiqet, apo sadopak të vihet nën kontroll. Bindja ime është se shumë koka politike do të bien me qetësimin e kësaj pandemie.
T’iu kthehem kabllogrameve diplomatike nga Kosova. Edhe atje numri i të infektuarve me COVID-19 është rritur, gjithashtu edhe numri i viktimave të shënuara, mirëpo Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria në detyrë, përkundër situatës, trysnisë politike që iu bëhet pamëshirshëm nga të gjitha anët, mendoj se e kanë menaxhuar mjaft mirë çështjen e situatës emergjente me pandeminë.
Mirëpo përkundër gjithë botës ku lajmet janë të fokusuara në luftimin e pandemisë, në Kosovë kjo mbetet dytësore, për shkak të zhvillimeve politike të cilat atje ndërrojnë nga dita në ditë. Patëm edhe situatën ta quaj komike, edhe pse ajo në fakt është dukshëm më serioze. Kishte të bënte me kthimin e deputetit Begjet Pacolli nga Zvicra dhe me paralajmërimin që iu bë se edhe ai në riatdhesim do të karantinohej për 14 ditë dhe se ligji dhe masat vlejnë për të gjithë njësoj. Si duket kjo nuk i pëlqeu edhe aq zotëri Pacollit dhe filluan një mori mesazhesh me akuza dhe kundërakuza. Në shumë akuza të z. Pacolli ai merrte përgjigje edhe nga ambasadorë, përfaqësues të EULEX-it dhe deputetë evropianë, duke e përgënjeshtruar atë se të njëjtat rregulla nuk kanë vlejtur për ta. Zotëri Pacolli aterroi në Aeroportin e Rinasit me aeroplanin e tij privat, dhe sipas të gjitha gjasave ai u ndihmua edhe nga Qeveria shqiptare atje, e cila atë nuk e futi në karantinën e obliguar, e u vizitua edhe nga presidenti Hashim Thaçi. Kanë lindur dyshime të shumta se z. Thaçi mund ta ketë sjellë z. Pacollin në Kosovë në mënyrë klandestine, pasi që veturat e tij zyrtare nuk u nënshtrohen kontrolleve në kufi. Të gjitha këto, që z. Pacolli të jetë këtu për ditën e premte, kur pritet dhe mendohet se do të ftohet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës me pikë të rendit të ditës formimi i Qeverisë së re nga ana e LDK-së, pas marrjes së mandatit nga presidenti Thaçi. Presidentit i nevojiten të gjitha votat e mundshme, të cilat ai do të mund t’ia mblidhte LDK-së. Mendoj se edhe kushtëzimi i tij ndaj LDK-së ka të bëjë me rizgjedhjen e tij president edhe për një mandat tjetër 5-vjeçar.
Unë nuk jam i sigurt nëse kryetarja e Kuvendit të Kosovës, zonja Vjosa Osmani, do ta lejojë mbajtjen e një seance të tillë pa marrjen e mendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe a është e gjithë kjo proceduralisht kundërkushtetuese. Për t’i komplikuar gjërat edhe më shumë është fakti se sot kryetarja e Kuvendit do të kërkojë nga Gjykata e Apelit vendimin mbi gjykimin e deputetit nga radhët e Partisë së Ashkalinjve për Integrim, z. Etem Arifi, seancë kjo e cila ishte mbajtur më 20.8.2019, ku i akuzuari Etem Arifi ishte dënuar me një vit e tre muaj burgim. Sipas ligjeve në fuqi, është kundërligjore dhe kundërkushtetuese që një deputet i akuzuar të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Këtu, për aq sa unë po e kuptoj po vjen te komplikimi. Nëse ju kujtohet zgjedhja e Begjet Pacollit president, ajo u shpall kundërkushtetuese, sepse Begjet Pacolli e kishte ngritur dorën dhe kishte votuar për vete. Nëse e ndjekim logjikën e njëjtë, ky deputet nëse e ka votuar mocionin ndaj Qeverisë e bën atë votim të pavlefshëm, pasi që në përbërje të Kuvendit është një deputet i cili ligjërisht nuk do të duhej të ishte aty, por në burg. Për t’i komplikuar gjërat edhe më shumë, sipas logjikës sime, nëse i njëjti deputet ka votuar edhe për buxhetin, atëherë edhe ai votim do të duhej anuluar. Për t’u bërë gjendja edhe më absurde, nëse ky deputet ka qenë prezent në Kuvend gjatë votimit të Qeverisë, atëherë edhe ai votim do të duhej të shpallej i pavlefshëm, e edhe Qeveria si e tillë. Situata absurde na kthen deri në KQZ, dhe lëshimi fatal që është bërë gjatë verifikimit të mandateve të deputetëve. Si rrjedhojë dhe pasojë e gjithë kësaj do të duhej të shpalleshin zgjedhje të reja dhe të shpërndahej Kuvendi. Unë nuk jam jurist, mirëpo vetëm e bëra një lidhshmëri të logjikshme nga ngjarjet dhe interpretimet kushtetuese të mëhershme në Kuvend.
Zgjedhjet e reja edhe mund të shpallen, mirëpo koha nuk do të mund të kthehet mbrapa. Arroganca që e dëshmuan partitë politike në luftën e tyre të paskrupullt për pushtet në kohë të pandemisë e kur i gjithë fokusi, qoftë i opozitës dhe qoftë i Qeverisë, do të duhej të ishte mbrojtja e popullatës dhe parandalimi i përhapjes së pandemisë të shkaktuar nga COVID-19, sigurisht se do të dënohet nga votuesi. Ndërrimi diametralisht i kundërt i qëndrimeve të politikanëve për një kohë shumë të shkurtër sigurisht se ka irrituar një numër të madh votuesish. Unë me të vërtetë nuk mund t’i kuptoj politikanët, në kohë interneti kur secila intervistë e tyre, secila deklaratë është e qasshme për vetëm disa sekonda, mundet nga cilido telefon i mençur, ku e marrin guximin për të mbajtur diametralisht qëndrim tjetër tani për të njëjtën temë. Nëse vetëm i dëgjoni intervistat dhe akuzat e kryeministrit në tentativë, z. Avdullah Hoti, të vitit 2017 ndaj partive të cilat e formonin Qeverinë me Listën Serbe, me ato të sotmet, ku ky do të qeverisë vetë me Listën Serbe, njeriu sikur nuk mund t’u besojë veshëve të vet që a thua deri në atë nivel na marrin për idiotë apo pafytyrësia e tyre s’ka kufi?
Vlen të theksohet edhe një kthim 180-shkallësh i qëndrimeve të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Kadri Veseli, i cili tash deklaron se asnjë deputet i partisë së tij nuk do ta votojë këtë qeveri të mashtrimit, dhe se kërkojnë zgjedhje të reja pas përfundimit të pandemisë. Këtë unë e shpjegoj në dy variante të mundshme. Varianti i parë është se dikush mund ta ketë këshilluar duke i thënë se presidenti ka bërë aq shumë shkelje procedurale kushtetuese, që edhe baba Haxhi me qenë kryetar i Gjykatës Kushtetuese nuk ka se çka t’i bëjë, dhe se shkarkimi i tij nga pozita e presidentit do të thoshte kthimi i tij në parti, e këtu edhe ndërlidhet varianti i dytë i shpjegimit tim, se përveçse Hashim Thaçi, i cili është kryetar i LDK-së, ai gjithashtu e kontrollon edhe PDK-në apo një pjesë të konsiderueshme të saj, dhe tani z.Veseli dëshiron që ai ta marrë përfundimisht kontrollin ndaj partisë dhe kërkesa për zgjedhje të reja ka të bëjë me korrjen e një pjese të votuesve të indinjuar nga sjelljet e LDK-së, AAK-së, NISMË-s, Listës Serbe dhe AKR-së.
Vera sigurisht se do të jetë e nxehtë.