Gjykata Supreme ka liruar sot nga paraburgimi tri ish-infermieret e përfshira në keqtrajtimin e të moshuarës në shtëpinë e pleqve “Orenda” në komunën e Pejës. Aurona Pelaj, Altina Rexhepi dhe Remzie Kuqi-Gashi, tashmë nuk gjinden në paraburgim, raporton Kosova post.
Lidhur me rastin, Kosova Post ka kontaktuar me njërin nga avokatët për të konfirmuar se a ka qenë vendimi i duhur lirimi nga paraburgimi i ish-infermiereve.
Avokati, Asdren Bytyqi tha se nuk mund ta jap një përgjigje lidhur me vendimin e Gjykatës, pasi ato do të dënohen patjetër, por paraburgu jepet vetëm në situata kur ka rrezik të ikjes, arratisjes, ndikimit në dëshmitarë, në prishjen e provave dhe procedurës hetimore.
Tutje, avokati shtoi se në këtë rast, që për nga pesha penale si vepër penale, në kuptimin formal nuk konsiderohet vepër me rrezikshmëri të lartë shoqërore, andaj është në diskrecionin e gjyqtarit që ta vlerësojë se a kanë pushuar shkaqet për vazhdimin e masës së paraburgut.
Kujtojmë se tri ish-infermiereve të dyshuara të përfshira në këtë rast, Aurona Pelaj, Altina Rexhepi, dhe Remzije Kuqi – Gashi, iu ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji më 2 nëntor nga Gjykata e Pejës./KosovaPost/