Lakmia, smira dhe inati kanë qenë gjithmonë armiqtë më të mëdhenj të njerëzisë, të cilat gjithashtu e shtynë njeriun në veprime jo të arsyeshme dhe jo të logjikshme. E sidomos kur në ditët e sotme mënyra që një individ të pasurohet është shumëfish e përshpejtuar, kur ai individ të përfshihet në jetën politike të një shoqërie.
Shkruan: Asdren Rrahmani
Edhe klima ka ndryshuar dhe kjo gjë vërehet shumë mirë nga viti në vit. Dimri nuk është as përafërsisht se si ishte dikur. A ka ndikuar njeriu në ndryshimin e klimës në botë, unë nuk jam shumë i bindur në atë gjë. Unë më shumë mendoj se planeti ynë kalon në një cikël të rregullt, kur këso ndryshimesh klimatike kanë ndodhur edhe më parë.
Thuhet se ndërrimi i poleve magnetike, i cili ka ndodhur edhe shumë herë të tjera në këtë planet, ka qenë shkaktari i ndërrimit të kushteve klimatike.
Nuk do të thotë që edhe degradimi, të cilin ne ia bëjmë natyrës me zhvillimin kaq të madh industrial, lirimin e gazeve të monoksid karbonit, shkatërrimin e natyrës, nuk e kanë kontributin e vet në përshpejtimin e ndërrimit të kushteve klimatike, mirëpo prapë mendoj se Toka kalon në disa cikle, të cilat gjatë historisë së saj 4 miliardë-vjeçare i janë përsëritur.
Janë me dhjetëra qytete antike të përmbytura në detet dhe oqeanet e ndryshme, që do të thotë se në të kaluarën paskan ndodhur ngritje aq të mëdha të nivelit të ujërave të deteve dhe të oqeaneve sa që sot kemi me dhjetëra qytete antike dhe gërmadha të tyre të përmbytura nën ujë.
Civilizime të ndryshme kanë rënë dhe janë ngritur, të tjerat ashtu mbi gërmadhat e vjetra. Shpeshherë në këto ngritje të civilizimeve të reja ekziston mungesë e informatave të mjaftueshme të civilizimit paraprak dhe përveç artefakteve të ndryshme, të cilat i përkasin asaj kohe ne shpeshherë dimë shumë pak për atë civilizim dhe ata paraardhës tanë.
Ku dëshiroj të dal me këto? Kur e shikoj nivelin e budallallëkut të njerëzimit në këtë planet, mendoj se jemi buzë asaj greminës të ndonjë cikli të përsëritshëm, i cili s’do të na i pyesë letrat fort, por do të na kthejë diku aty në pikën zero. E si do të mbijetojnë njerëzit pas ndonjë kataklizme të tillë? Si do të mbijetojnë gjeneratat e varura nga interneti, rryma elektrike, shoppingu, qendrat e ndryshme, veshmbathjet firmato, pajisjet e ndryshme elektronike, vetëshërbimet dhe marketet e furnizuara me ushqime nga më të ndryshmet.
Ajo shkoqitja se si të mbijetohet nga planeti, i ka goditur sigurisht 999 njerëz nga 1000 të tillë. E keni menduar ndonjëherë këtë gjë? Hiqeni vetëm rrymën elektrike nga ekuacioni dhe do të vëreni se si civilizimi të cilin ne e njohim do të shembet para syve tanë shumë më shpejt se që ne e mendojmë atë gjë. Instinkti për mbijetesën do të merrte primatin, dhe si rezultat i tij jo të gjitha veprimet tona kanë arsyeshmëri dhe logjikë. Të gjitha luftërat e kaluara ndërmjet popujsh dhe civilizimeve të ndryshme janë bërë për resurset natyrore. Fushat më pjellore, pasurinë e një vendi të caktuar me xehe, me burime të pashtershme të ujit dhe klimë më lehtë të përballueshme për jetesë.
Nuk ka ndryshuar asgjë në mendësinë e njeriut të sofistikuar dhe civilizues as në ditët e sotme. Ka ligje shumë më strikte ndërkombëtare, të cilat parashohin se çka do të quhej agresion ndaj ndonjë vendi dhe popullate tjetër, si dhe organizmat e komplikuar ndërkombëtarë në formë organizatash ndërkombëtare, të cilat janë promotore të “paqes” dhe stabilitetit në planet.
Me kalimin e kohës resurset kanë ndryshuar në listën e prioriteteve të popujve më të zhvilluar industrialisht dhe ekonomikisht, dhe përveç atyre të nevojshme për mbijetesën e njeriut, të tjerat kanë ndryshuar varësisht nga stadi i zhvillimit industrial dhe ekonomik, si dhe kërkesave të një kohe të caktuar.
hëngjilli, druri, ari, diamantet, xehet e ndryshme, gazi natyror, nafta, të gjithat në prapavijë janë shtytëset kryesore të luftërave të cilat sot i kemi nëpër botë. Por, të gjitha janë të maskuara nën petkun e shumëfishtë të “demokracisë” dhe demokratizimit të një shoqërie të caktuar, apo një të drejte tjetër hyjnore për të qeverisur me një vend të caktuar.
Sigurisht se për këtë temë mund të shkruhet shumë gjatë dhe të numërohen me qindra raste të faktuara historike, të cilat vazhdojnë dhe përsëriten, ku i vetmi ndryshim është tek kompliciteti i ngjarjeve dhe rrjedhja e tyre në kakofoninë dhe zhurmën e lajmeve dhe informatave të shumta digjitale të ditëve të sotme. Ne nuk mbajmë mend se çka ndodhi 3 ditë më parë nga vrulli i jetës dhe kërkesat, dhe pritshmëritë, të cilat ajo i ka nga ne dhe të gjitha këto nga disa rregulla dhe norma të cilat ne vetë i kemi caktuar si pjesë e civilizimit dhe zhvillimit të shoqërisë dhe njerëzimit.
Kur të gjitha këto i përkthejmë në përditshmërinë tonë, atëherë e kemi më të lehtë që t’i kuptojmë arrogancën dhe injorancën e politikanëve të sotëm në botë, si dhe zhvillimin e kuteve dhe egove të tyre personale deri në pakuptimësi. E çka të thuhet për politikanin e rëndomtë shqiptar? Në vendet ku jeta për mbijetesë është edhe më garuese për shkak të normave dhe rregullave të paracaktuara, të cilat e determinojnë shkallën e zhvillimit ekonomik, ngritjen e arsimit dhe shëndetit të gjithëmbarshëm publik, stagnimi në të gjitha këto fusha e ka bërë njeriun që të topitet dhe e tëra që i intereson është se si të mbijetojë ai dhe familja e vet. E në këso ujërash të turbullta mikrobet e quajtura politikanë mbijetojnë më së miri.
Aty ku shpresa për mbijetesë venitet, aty premtimet e mikrobeve të quajtur politikanë për një jetë më të mirë e më lehtë të përballueshme, marrin dhenë dhe rreshtojnë delet e tjera pas tyre. Disa nga të cilat përfitojnë me vetëpërafrimin e tyre me politikanin, e disa të tjera të cilat thjesht bien pre e ideologjisë së caktuar e ku më pas logjika dhe arsyeshmëria shkojnë në një pushim të gjatë.
Lakmia, smira dhe inati kanë qenë gjithmonë armiqtë më të mëdhenj të njerëzisë, të cilat gjithashtu e shtynë njeriun në veprime jo të arsyeshme dhe jo të logjikshme. E sidomos kur në ditët e sotme mënyra që një individ të pasurohet është shumëfish e përshpejtuar, kur ai individ të përfshihet në jetën politike të një shoqërie.
Po të kthehemi pas dhe te vrojtojmë politikanin shqiptar për aq kohë sa ne vetë mundemi të mbajmë ndërmend, do të shohim dukurinë se në dy-tri dekadat e fundit apetiti dhe lakmia e tyre për pasurimin material janë rritur katërcipërisht (më në fund e përdora këtë fjalë, ndoshta po lë përshtypje tek lexuesi i ditarit tim se jam i lexueshëm) dhe proporcionalisht me topitjen e mendësisë së përgjithshme të popullatës. Premtimet e tyre apo thënë më saktësisht shkelja e premtimeve të tyre ndodh vetëm brenda një jave dhe aspak nuk ke nevojë të presësh me vite të tëra për t’u bindur në hipokrizinë, të cilën ata e shpërfaqin.
Por skuqje apo keqardhje për ofendim publik të tillë politikani i sotshëm shqiptar nuk ndien. Me gjithë faktin se sot është e vështirë që ta thuash një fjalë publike dhe ajo të mos jetë e xhiruar apo regjistruar me zë, prapë se prapë edhe me ballafaqim të tillë politikani mikrob shqiptar nuk skuqet, as nuk pendohet, por çka është më e keqja vazhdon të notojë në llumin e pisllëqeve që vetë i ka servuar.