Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha sot se nga 24 shtatori, nga sulmi terrorist në veri të vendit i mbështetur nga Serbia asgjë më nuk është e njëjtë.
Kryeministri tha se grupi terrorist i riorganizuar dhe mbështetur nga Serbia cenoi integritetin territorial e sigurinë tonë kombëtare.
“Prej të dielës që lamë pas asgjë më nuk është e njëjtë. Faktet dolën sheshazi që Serbia po e sponsorizon terrorizmin në veri, u vërtetua e u qartësua për të gjithë…. individë të sanksionuar në listën e zezë të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, të afërt me Vuçiqin, madje aktiv edhe në jetën politike në Kosovë u faktua që janë në krye të këtij organizimi.
Kurti po ashtu tha se Policia e Kosovës tashmë ka vendosur sigurinë dhe paqen në pjesën veriore të vendit tonë, ndërsa ka shpërndarë mbi 100 pako ushqimore që plotësojnë nevojat bazike te banorët serbë që jetojnë në Banjskë.
Kreu i ekzekutivit të Kosovës duke falënderuar qytetarët e Banjskës për qetësinë e tyre, theksoi se gjatë operacionit policor nuk është lënduar asnjë civil.
“Në Republikën tonë nuk ka vend për terroristë, përveçse para drejtësisë. Ne kërkojmë që ata që kanë ikur tinëz malit e që janë strehuar nga Serbia, të ekstradohen në Kosovë sa më parë. Gjithashtu, organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’ tashmë ka prova e argumente të mjaftueshme të shpallen organizata terroriste edhe nga shtetet tona mike, partnere dhe aleate, ashtu si ne tashmë bëmë në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës para 3 muajsh”, vijoi Kurti.
Duke u ndalur të ruajtja e kufirit, Kurti tha se ekziston një zotim që Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të shkojë atje, prandaj kërkojnë që ky vakum të mbulohet nga forcat e NATO-s.
…Për këtë akt të agresionit të Republikës sonë, Serbia duhet të ndëshkohet ndërkombëtarisht sepse sa herë që ajo nuk është ndëshkuar për krimet e saj, i ka përsëritur ato dhe kjo nuk duhet lejuar”, deklaroi Kurti para delegatëve të LVV-së.
Kurti tha se Kosova është vendi me më së paku kriminalitet në Ballkanin Perëndimor, për dallim nga Serbia ku kriminaliteti është i lartë.
“Krimi i organizuar dhe autokracia politike shkojnë bashkë. Demokracia është liri për qytetarët. Autokracia bëhet liri për kriminelët. Në autokraci kriminalizohet politika dhe politizohen kriminelët. Aq i lartë është kriminaliteti në Serbi sa në vazhdimësi shikohen të eksportohet edhe në shtete përreth, e sidomos tek ne, siç është parë së fundmi madje edhe si terrorizëm.
Ne si Republikë do të vazhdojmë luftën kundër krimit dhe terrorit të sponsorizuar nga Serbia dhe nuk do të lejojmë të cenohet as integriteti, as sovraniteti, as jeta e qytetarëve tanë pa dallim. Kushtetutshmëria, ligjshmëria, rendi publik duhet të mundësojnë liri, liri nga krimi, liri në paqe, liri për prosperitet. Ne do të ngadhënjejmë sepse në kemi Afrimin brenda nesh kurse ata e kanë vetëm krimin”, tha Kurti.