Pas letrës së parë para takimit, Kurti i nis Thaçit edhe një letër pas takimit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti pas takimit që kishte sot me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i ka nisur edhe një letër të dytë.
Kurti aludon se konsultimet e Presidentit me partitë politike “nuk kanë bazë në asnjë dispozitë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, raporton lajmi.net.
“Po ashtu, dëshiroj të ritheksoj gatishmërinë time që të rrimë në kontakt lidhur me betejën tonë kundër virusit COVID-19, si dhe me detyrën tuaj për të shpërndarë Kuvendin e Republikës së Kosovës pas mocionit të mosbesimit. Ndërsa, për çdo çështje tjetër jashtë këtyre dy temave, e ripërsëris qëndrimin tim të shprehur në takimin e sotëm, që komunikimi ndërinstitucional mes Zyrës së Presidentit dhe Zyrës së Kryeministrit, të vazhdojë në formën e shkruar”, thuhet në letër.
Letra e plotë:
Më vjen mirë që u takuam sot.
Dëshiroj t’ju falenderoj për qëndrimin tuaj të ritheksuar disa herë gjatë takimit, në lidhje me gatishmërinë për respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe praktikës kushtetuese.
Në lidhje me njoftimin tuaj se jeni duke kryer “konsultime” me liderët e partive të tjera politike, nuk kam as kompetencën, as dëshirën që t’ju udhëzoj se si e organizoni agjendën tuaj ditore. Mirëpo, dëshiroj të potencoj qëndrimin tim se konsultime të tilla nuk kanë bazë në asnjë dispozitë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Po ashtu, dëshiroj të ritheksoj gatishmërinë time që të rrimë në kontakt lidhur me betejën tonë kundër virusit COVID-19, si dhe me detyrën tuaj për të shpërndarë Kuvendin e Republikës së Kosovës pas mocionit të mosbesimit. Ndërsa, për çdo çështje tjetër jashtë këtyre dy temave, e ripërsëris qëndrimin tim të shprehur në takimin e sotëm, që komunikimi ndërinstitucional mes Zyrës së Presidentit dhe Zyrës së Kryeministrit, të vazhdojë në formën e shkruar.
Me respekt,
Albin Kurti
Kryeministër në detyrë